Kryeministri Rama që nga dje e shpalli veten diktator të Shqipërisë

Opinione

Kryeministri Rama që nga dje e shpalli veten diktator të Shqipërisë

Nga: Sherif Ramabaja Më: 14 qershor 2019 Në ora: 11:46
Edi Rama

Me aprovimin e rezolutës së djeshme nga Parlamenti për rrëzimin e presidentit Meta, kryeministri Rama e shpalli veten diktator të Shqipërisë. Shqipëria tashmë si një shtet monist, ku kryeministri Rama i ka kapur të gjitha institucionet, do ta shpie vendin drejt përplasjes me pasoja të paparashikueshme.

Ai e drejtoi vendin drejt një gjendje të tillë ku sundon krimi, korrupsioni, kriminaliteti dhe kaosi politik. Ishte përshtypja se kryeministri Rama  kopjon dhe  imiton Erdoganin dhe Putinin, po sot me veprimin e tij ua kaloi edhe atyre dhe veten e shpalli diktator të shtetit shqiptar. Në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, kryeministri Rama e shfrytëzon Parlamentin dhe Komisionin Zgjedhor për t´i arritur qëllimet e veta diktatoriale. Askund në botë diçka e tillë nuk mund të ndodhë që kryetari i shtetit të degradohet dhe të injorohet si në Shqipëri.

 Kryeministri Rama i cili ka kapur të gjitha institucionet e shtetit, nga sot do të qeverisë me krimin, bandat e drogës dhe ata të cilët e mbajnë në pushtet. Tentimi i presidentit Meta ishte që të kërkohet zgjidhja duke u përpjekur që ta evitoi përplasjen, po tash e tutje do të jetë vështirë që gjërat të parashikohen. Kryeministri Rama i cili nuk qan kokën për shtetin dhe shqiptarët, me përkrahjen e Mogherinit dhe Juncker e forcoi pozitën e vetë që ta shkarkoi edhe kryetarin e shtetit. Sa mund të jetë një përkrahje e tillë valide nga EU, kur dihet se ajo ndodhet në një krizë të thellë dhe të pa rrugëdalje, mbetet pikëpyetje.

EU ballafaqohet me brexitin i cili e ka hedhur në dy gjunjë, pastaj mosmarrëveshjet me SHB, Hungaria, Italia, Kina, Siria, Irani, si dhe Rusia e cila me strategji lufton për ta zhbërë, është thuaja e pashpresë. EU po lufton që të mbijetoj, prandaj veprimet e saja shpesh janë të çoroditura, të pakoordinuara dhe të paharmonizuara. Reformimi i saj për të qenë efikase është i domosdoshëm dhe do të ndodh, po edhe sa do të zgjat nuk dihet. EU, dje ka folur në favor të Ramës, po nesër s´do të thotë që se ndërron mendimin për 180 shkallë. Prandaj është me rëndësi çfar qëndrimi do të marrin SHBA. Ata e dinë që nga EU nuk pritet shumë sepse nuk flet me një gjuhë. Kryeministri shqiptar Rama në vend që ta kërkoi zgjidhjen me faktorët relevant shqiptar, ai e kërkon shpëtimin nga jasht. Shtrohet pyetja, po u rebelua faktori i brendshëm, kush do ta shpëtoi kryeministrin shqiptar?

 Nëse vërtetohet që Basha kishte dhe ka lidhje me rusët, do ta merr denimin e merituar dhe nuk do t´i dhimbset askujt, po edhe kryeministri shqiptar nuk do të thotë që do të shpëtoi nga akuzat dhe lidhjet me krimin. Atij i janë cekur dhe numëruar faktet, vjedhjet dhe dështimet në këto gjashtë vite të qeverisjes. Dëshmitë e ofruara nuk i kanë bërë përshtypje dhe nuk ia kanë vrarë sedrën deri më tash. Askush nuk e din, çka duhet të ndodhë që ai të lëvizë, që Shqipëria të dal nga kjo gjendje.

Sipas përvojave të deritashme dhe të sotme diktatorët nuk kërkojnë zgjidhje. Ata e shikojnë vetëm interesin personal dhe askush tjetër në botë nuk u intereson. E njëjta situatë është në Venezuelë, Korenë e Veriut, Siri, Iran dhe disa vende të tjera. Vetëm revolta e popullit apo siç quhet ndryshe revolucioni, mund t´i përmbysë këto regjime. Ne menduam se jemi popull evropian dhe e kemi tejkaluar një situatë të tillë, po si duket ende jo. Nëse edhe më tutje kryeministri Rama vepron kështu, vendin po e drejton drejt greminës. Dikush duhet ta ndal atë me gjithë aparatin e tij diktatorial, përndryshe viti ´97 po troket te dera. Dikur mund të jetë shumë vonë, sepse personat e tillë për ta ruajtur karrigen e fundosin shtetin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat