Na harruat kryetar! Pse?

Opinione

Na harruat kryetar! Pse?

Nga: Fadil Bytyqi Më: 16 qershor 2019 Në ora: 11:18
Bali Muharremaj

Njëzetvjetori i çlirimit të Komunës së Therandës kaloi. Pati festë gjithandej. Nuk munguan as programet kulturore, as aktivitete sportive, defilime… parakalime dhe nderime të heronjve. Bashkë me këtë edhe spektakle reklamuese me mbrapa vij politike. Në fund, festa nuk është festë pa mish e pa verë. Urime!

Urime kryetari im. Ju jeni edhe kryetari im anipse nuk të kam votuar. Kam kulturë demokratike sa të respektoj parimin e shumicës, prandaj të quajta edhe kryetari im.

Ju, kryetari im, jeni dëshmitarë se lufta ka qenë gjëja më sublime e popullit tonë. Sikush ka dhënë kontributin e vet për këtë liri që sot po e gëzojmë e po festojmë. Por Ju, kryetar, si i Zoti i Shtëpisë, si nuk e pe të arsyeshme të nderosh së paku me një ftesë, grupin e gazetarëve të luftës që raportuam nga komuna e jonë për vuajtjet, plagët, buzëqeshjen e dinjitetin, krenarinë e sakrificën e qytetarëve tanë dhe luftës suaj?

Ju, kryetari im, harruat që gjatë asaj periudhe kishim takime të shumta me ne, madje në kronikat tona televizive dhe informacionet që i shpërndanim në mediat e kohës, protagonist ishe edhe ti.

Mbase nuk ta kemi theksuar emrin në veçanti, por ne ju pagëzuam me një emer: Luftëtar të lirisë, pjesëtarë të UÇK-s…,këtë emër kishe.

Ne u përpoqëm që në kushte të vështira, pa zyra, pa telefon por me mjete rrethanore ti viheshim përballë makinerisë propagandistike serbe. Për 2 vite luftë, kem dërguar me shumë se 400 kronika televizive dhe raporte në RTSH dhe qindra raport ne gazeta dhe agjenci informative. Paguanim çmime enorme ne telefona privat (me antena) për të dërguar raportet tona në TVSH, pa kurrfarë kompensimi. Ju Kryetar, ishit në ballë të luftës, ne ishim aty ku ishit Ju. Gojkqinjët po thonë se ju me shokë keni pas paga si luftëtar, në ishim pa paga gjatë asaj kohe.

Ju kryetar na harruat. Ju kryetar nuk denjuat që në një rast të vetëm, të na ftoni, dhe të na shprehni mirënjohjen më të vogël si satisfaksion moral.

Ju kryetar jeni habitur në vitet e lirisë, duke i dhënë vetës të drejtë, në mburrje për atë që keni bërë. Respekt, anipse herë herë i keni kaluar limitet për ambicie politike. Por keni harruar segmentin e rëndësishëm të luftës: propagandën, barrën e së cilës e bartnim ne.

Përvjetorët e çlirimit të vendit tonë, kryetar, nuk kanë ngjyra tjera pos atë kuq dhe zi. Të lutem kryetar, vetëm në këtë përvjetor, mos na shiko me ngjyra partiake, se je edhe kryetari im anipse kem ngjyra të ndryshme politike. Për këtë ditë shikona po me ato ngjyra që e kemi shiku njëri tjetrin gjatë kohës së luftës. Është nderë dhe krenari që në ditë të tilla të jemi aty, bashkë në festë e në përkujtim.

Urime festa kryetar! Pa ngjyra politike, kuptohet.

Urime kolegë të mi, reporter të luftës! Askush nuk mund të na e zbeh dinjitetitin edhe kur na harrojnë. Janë shkrimet tonë të arkivuara në altarin e lirisë së vendit tonë që sado të harruar qofshim, ato shkëlqejnë dhe rrezatojnë vetëmohimin tonë në detyrën fisnike që kishim. Informimin e qytetarëve të vendit tone në kushte lufte.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat