Ekskluziviteti patriotik, si antivlerë dhe monopol i profiterëve të paqes

Opinione

Ekskluziviteti patriotik, si antivlerë dhe monopol i profiterëve të paqes

Nga: Rexhep Elezaj Më: 18 qershor 2019 Në ora: 00:02
Rexhep Elezaj

Pranë vlerave reale të cilat u janë dhënë luftëtarëve, heronjve dhe dëshmorëve të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, për fat të keq, që nga pas lufta e deri më sot, kemi pasur prezent në skenën politike shfaqjen enorme të përvetësimit të këtyre vlerave nga individ dhe grupe jo të vogla në shoqërinë kosovare, por edhe në mërgatën shqiptare, thjesht për përfitime dhe privilegje personale dhe familjare..!?

Ndoshta për ndonjë analist dhe sociolog, mbase kjo dukuri është normale kur kihet parasysh dhimbja dhe afërsia e tyre familjare me heronjtë dhe dëshmorët, gjë që do ishte krejt në rregull, posikur këto vlera të mos keqpërdoreshin pa kritere dhe ndjenja humane ndaj vetë dëshmorëve, ngase loja dhe manipulimi me shpirtin dhe sakrificën e heroit apo të dëshmorit të lirisë për interesa politike, është pa dyshim, mëkat i rënd si dhe dhunim i shpirtit të tyre. Sepse, ata ranë jo për lirinë e ngushtë familjare, por për lirinë dhe pavarësinë tonë kombëtare si popull dhe si komb..!?

Edhe më keq sa kaq, është lufta e paskrupullt për ta pasur primatin e të parit të vendit, të odës dhe të mexhlisit, duke e mbivlerësuar veten ndaj të tjerëve për shkak të afërsisë së gjakut me heroin apo dëshmorin, derisa ideologjikisht dhe praktikisht ke qenë në anën e kundërt të barrikadës, kurse sot çirresh kudo që të jepet rasti, si bashkë-pjesëtarë, bashkë-pjesëmarrës në luftë, bashkë-aktivist dhe çka jo tjetër, ndërsa në fakt, nuk ke qenë në asnjërën nga këto bashkë-veprime, gjë të cilën ne e dimë mirë, duke glorifikuar kontributin vetanak e të pa qenë para opinionit publik pa fije turpi..!?

Kur kësaj dukurie të shëmtuar i shtohet megalomania, shpifja, rrena dhe vesi i mohimit, denigrimit dhe diskreditimit publik të figurave të shquara të kombit, të cilat deri dje kanë qenë frymëzim dhe shembull për veprimin tënd/tuaj politik dhe kombëtar, kurse tash në paq pas dështimeve personale si dhe për shkaqe imagjinare, subversive, përfitime politike dhe ngritje personale mbi vlerat e të tjerëve, madje edhe për disa arsye krejtësisht banale, siç është, gjithnjë sipas tyre, përkrahja politike dhe gjoja shoqërimi më kriminelë dhe vrasës të dënuar për krime lufte, tregon qartë nivelin e tyre të mjerë politik dhe kombëtar, meqë sipas kësaj logjike harbute, çdo kontakt, qoftë edhe i rastësishëm me njerëz të dyshuar për krime, na qenka po ashtu krim dhe tradhti kombëtare, që nuk është aspak e vërtetë..!?

Më pas, dukuria e të qenit “servilë” sipas disa bashibozukëve sikur keqkuptohet dhe keq interpretohet qëllimisht mbrapshtë, ngase të jesh servil i liderëve kombëtar, i prijësve të popullit, i politikanëve të denjë dhe patriotë, është në fakt, përkushtim, obligim dhe përgjegjësi kombëtare e çdo patrioti. A thua të gjithë Rugovistët ishin servilë të Ibrahim Rugovës..!? Por, të jesh servilë i armikut dhe bashkëpunëtorëve të tyre, është pa dyshim, tradhti dhe mjerim intelektual dhe kombëtar që nuk e pastron dot as lumi më i madh në botë, Misisipi dhe as oqeani.

Prandaj, është tragjikomike kur nga persona të pamoralshëm dhe me deficit intelektual dëgjon akuza prej më të ndytave, siç janë ato të cilat i cekëm më lartë në këtë shkrim të imponuar, pikërisht nga djallëzia e disave që për meny ditore kanë si ushqim shpirtëror intrigat dhe përgojimet ndaj patriotëve, intelektualëve dhe liderëve tanë kombëtarë..!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat