Shteti i njerëzve

Opinione

Shteti i njerëzve

Nga: Saimir Lolja Më: 18 qershor 2019 Në ora: 18:29
Saimir Lolja

Liria e njeriut (jo e ariut) është hapësira midis të drejtave dhe përgjegjësive të tij. Domethënë liria e njeriut ka kufi të poshtëm e të sipërm, kurse liria e ariut nuk ka kufi të sipërm. Demokracia është liria e njeriut (jo e ariut) për të votuar i lirë dhe shprehur mendim të lirë brenda kufijve të lirisë së njeriut. Demokraci nuk domethënë të kesh lirinë për të ngritur krye kundër shtetit, për të dëmtuar mjetet dhe objektet e shtetit apo cënuar sigurinë publike. Demokraci nuk domethënë lajthitje (anarchy, ang.) politike, morale, shoqërore, publike, fetare, apo lajthitje në ide (pëlqime) dhe heronj.

Marrëdhëniet shtetërore nuk janë marrëdhënie personale ndërmjet personash me të drejta, përgjegjësi e liri të barabarta. Demokracia nuk është barazi (communism, ang.). Demokraci nuk domethënë që secili nga turma të ketë të drejtën të urdhërojë të parin e shtetit si të veprojë. Sepse është edhe e pamundur të kryhet edhe s'ka arsye të kryhet.

Qoftë shtet demokratik apo autokratik në të dy rastet ka protokoll shtetëror i cili është i njëjtë. Shteti si kuptim e si makine nuk është personal, as krijim personal. Kushtetuta dhe ligjet e shtetit nuk janë personale. Detyrimisht të gjithë duhet ta respektojnë protokollin, mjetet dhe objektet shtetërore dhe as të mos i cënojnë ato.

Si në shtetin demokratik ashtu edhe në atë autokratik të gjithë urdhërohen nga shkalla më e sipërme e piramidës shtetërore si të veprojnë e çfarë të kryejnë. I punësuari në shtet është punonjës i shtetit dhe jo i ndonjë tufëze politike. Një vend pune shteti është detyrim shtetëror dhe publik për t'u përmbushur. Puna e shtetit kërkon njeri të pastër, të mirësjellshëm, profesional e të shkolluar. Shteti nuk është lopë për t’u mjelë apo lëndinë për të kullotur. Shteti nuk është hale ku njerëzit shkojnë me qejf e largohen me qejf. E njëjta gjë është si në një ndërmarrje private apo organizatë vullnetare.

Pushteti është fuqia për shtetin dhe jo pushtimi i shtetit. Pushteti është përgjegjësia e mbarëvajtjes së shtetit dhe qytetarëve. Shteti nuk është fusha ku tufëzat politike luajnë top me këmbë për tifozët. Shteti nuk është vendi ku piratët ndajnë plaçkën e grabitur.

Për ngjashmëri loja e topit-me-këmbë (football, ang.) bashkë me objektet dhe rregullat e saj që e krijojnë atë lojë nuk janë pronë e ndokujt. Të gjithë detyrimisht e respektojnë atë, qofshin tifozë, lojtarë apo stërvitës. Ajo ka kushtet dhe luhet sipas rregullave të saja, përndryshe nuk është më lojë topi-me-këmbë. Bie fjala, ajo nuk luhet pa porta ose duke qenë tifozët në fushë. Ato që kanë lidhje me lojën e topit-me-këmbë - lojtarë, kapitenë, portierë, stërvitës, mjekë, shërbyes, financierë, tifozë - nuk janë të barabartë midis tyre. Secili ka vendin e tij, domethënë hapësirën brenda gardheve përkatëse  të mendimit e veprimit. Bie fjala kapiteni i ekipit nuk mund të urdhërohet nga lojtarët e aq më shumë nga tifozët se si të luajë apo udhëheqë ekipin.

Shtet i qetë domethënë se për çdo njeri ka një vend e çdo njeri është në vendin e vet, dhe çdo njeri e nuhat, e sheh, e prek, e dëgjon dhe e shijon mirë këtë. Shteti i njerëzve është shtet i mirë-organizuar ku secili rëndon në vendin e vet, domethënë shteti ka organizim të organizuar mirë dhe jo çorganizim të organizuar mirë. Shtet cilësor domethënë shtet që mbron jetët, pasuritë, pronat e qytetareve, arshivat dhe të fshehtat shtetërore, trashëgiminë kombëtarë kulturore të tij, si dhe shton pasuritë e tij.

Shteti i njerëzve është i domosdoshëm për shkak të arsyes kombëtare të cilës i përket. Ai përdor arsyen shtetërore dhe arsyen kombëtare për të qenë i shëndetshëm, i siguruar, i qetë, i mbrojtur, i pastër dhe cilësor. Shtet i mbrojtur domethënë që shtetarët e tij të kenë qenë më parë ushtarë të ushtrisë së shtetit. Shtet i sigurtë domethënë shtet që ka vendosur vijat e bardha kudo dhe i var medaljen e duhur atyre që i shkelin. Shtet i shëndetshëm domethënë pastrim krundesh dhe njëtrajtësim brumi. Shqipëri pa shtet nuk ka. Bashkim kombëtar pa shtet të bashkuar shqiptar nuk ka.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat