Greqia tallet me Shqipërinë

Opinione

Greqia tallet me Shqipërinë

Nga: Shaban Murati Më: 19 qershor 2019 Në ora: 11:10
Shaban Murati

Ministrat e jashtëm të 13 shteteve anëtare të BE: të Republikës Çeke, të Estonisë, të Letonisë, të Lituanisë, të Hungarisë, të Bullgarisë, të Italisë, të Maltës, të Austrisë, të Kroacisë, të Sllovenisë, të Polonisë dhe të Sllovakisë, në datën 11 qershor 2019 u drejtuan një letër të përbashkët krerëve të shteteve të BE me kërkesën “për të hapur bisedimet e pranimit me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut”. Siç e shikoni, në këtë letër mungon ministri i jashtëm i Greqisë.

Ka munguar Greqia në çdo letër të përbashkët të mëparshme të ministrave të jashtëm të shumë vendeve anëtare të BE, që kanë kërkuar më herët avancimin e integrimit të Shqipërisë në BE. Por Greqia ka luksin të tallet me Shqipërinë. Pensionisti ish-ministër i jashtëm i Greqisë, Nikos Kocias, disa ditë pas kësaj letre të 13 ministrave të jashtëm zyrtarë, stis një letër si ish-ministër i jashtëm për të mbështetur hapjen e bisedimeve me Shqipërinë.

Por Kociasi, që ndejti katër vjet ministër i jashtëm, nuk u kujtua njëherë t’i dërgonte letër të përbashkët apo individuale BE-së që të hapte bisedimet e pranimit me Shqipërinë. Madje edhe tani në pension e kishte më të lehtë t’i thonte ministrit të jashtëm aktual të Greqisë, që ka qenë zëvëndësi i tij, që t’i bashkohej zyrtarisht me 13 ministrat e jashtëm te BE. Greqia e din se shqiptarët e hajnë lehtë demagogjinë dhe mund ta shesë letrën e pensionistit grek Kocias si “avokati e Greqisë për Shqipërinë” dhe të entusiazmojë patriotët filogrekë në Tiranë.

Greqia zyrtare kurrë nuk ka vënë firmën në një letër të përbashkët ministrash të jashtëm drejtuar BE në favor të Shqipërisë dhe ndaj mungon në listën e letrës zyrtare të 13 ministrave të jashtëm të BE, të cilët Tirana zyrtare ka për detyrë t’i falenderojë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat