Dështimi shekullor i shqiptarëve: Ndërtimi i një shteti të qëndrueshëm, ligjor

Opinione

Dështimi shekullor i shqiptarëve: Ndërtimi i një shteti të qëndrueshëm, ligjor

Nga: Sadik Elshani Më: 20 qershor 2019 Në ora: 12:04
Sadik Elshani

Populli ynë ndër shekuj arriti që të krijojë ca vlera sublime të përgjithshme njerëzore për të cilat eëhtë i dëgjuar në tërë botën: besën, tolerancën ndërfetare, mikpritjen, mbrojtjen e të pafuqishmit. Për shkak të pozitës gjeografike, në udhëkryqin e rrugëve e qytetërimeve lindje – përendim, gati gjatë tërë historisë së tij ka qenë i pushtuar nga fuqi të shumta: Roma, Bizanti, Serbia, Turqia, për një kohë të shkurtër nga Italia e Gjermania. Edhe në këto rrethana kur nuk kishte shtet, shqiptarët krijuan ca organizime shtetërore, siç ishin kuvendet, ku mblidheshin burrat e zgjedhur the kuvendonin, organizoheshin, merrnin vendime të rëndësishme për t’iu kundërvënë pushtuesve. Ata krijuan edhe një kod të pashkruar, kanunin, që është një përmbledhje, kodifikim i ligjeve tradicionale shqiptare. Për kushtet e ditës së sotme, ndoshta është një dokument primitiv, por në kohën e mesjetës së hershme kur është krijuar, zbatuar e ka luajtur rëndësinë e vet në organizimin e jetës shoqërore të shqiptarëve. Kuptohet, këtu flasim në kontekstin historik, që dëshmon se shqiptarët qysh herët, edhe pse te pushtuar, e kanë patur një form të organizimit shoqëror, zakonor – ligjor. Shqiptarët si një popull me dinjitet, tradita të lashta, karakter të fortë e fisnik, një kod moral të lartë e të pakrahasueshëm me ndonjë popull tjetër, tani në liri për një periudhë prej 107 vitesh, duhet të kenë krijuar një shtet të qëndrueshëm, shtet ligjor. Por, për fat të keq nuk është kështu. Jo vetëm ngjarjet e kohëve të fundit ne skenën politike shqiptare, por pothuajse e tërë periudha që nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë e deri në ditën e sotme karakterizohen me situata të trazuara. Përjashtim bën periudha nën drejtimin e mbretit Zog, që krijoi shtet, edhe pse ishte një shtet autokratik, vendit i solli një qëndrueshmëri, krijoi institucionet shtetërore, vendosi ligjet bashkëkohore, u happen shkolla, ndërsa shumë studentëve iu ndanë bursa për të studiuar nëpër universitetet përendimore: Romë, Torino, Milano, Napoli, Vienë, Paris, Londër, etj. Periudha tjetër është ajo e diktaturës komuniste që krijoi një shtet ideologjik, çdo gjë ishte në duart, nën kontrollin e shtetit - parti, që më shumë i ngjante një sistemi skllavopronar, ku mungonin edhe të drejtat dhe liritë më elementare të qytetarëve. Nuk po zgjatem më tepër, sepse ka shumë për t’u shkruar për këtë periudhë, por kjo nuk është tema e këtij shkrimi.

Diku hasa në një shkrim ku citohej nje artikull i gazetes “The Neë York Times” i vitit 1911, ku flitet me respekt për shqiptarët si “raca më e shkëlqyer në Ballkan, si intelektualisht edhe fizikisht”. I njejti shkrim pastaj vazhdon: “Nëse shkoni në Konstantinopojë do të shihni se shumë prej njerëzve më të shkëlqyer,jo vetëm ushtarë, por edhe shtetarë, janë shqiptarë. Faji i tyre, për shkak të shkallës së tyre aktuale të qytetërimit, është se ata nuk mund ta rrokin idenë e shtetit. Fisi është organizimi i tyre më i lartë, ata nuk janë në gjendje teë shohin rëndësinë e kombinimit të fisit me organizimin më të lartë të bërjes së një shteti. Por, kjo do të ndodhë”. Ky fragment i këtij shkrimi përputhet mirë edhe me një thënie të Mit’hat Frashërit: “Shqiptari, duke mos qenë i mësuar me jetë politike, dua të them, duke mos pasur gjer më sot shtet, qeveri dhe independencë, s’ka kuptuar dot akoma barrën, detyrat dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga një jetë indipendente”. Parashikimi i shkrimit të cituar vërtet ndodhi: Shqipëria e shpalli pavarësinë më 28 nëntor të vitit 1912, 107 vite më parë, por shqiptarët ende nuk arritën të formojnë një shtet normal, shtet modern, funksional me institucione demokratike. Ky ka qenë synimi i popullit tonë, ëndrra e atdhetarëve tanë, Rilindësve tanë mendjendritur. Shpallja e pavarësisë së një vendi është akti vendimtar,por është vetëm hapi i parë në rrugëtimin e gjatë të ndërtimit të një shteti. Ndërtimi i një shtetit të qëndrueshëm, ligjor është projekti më madhor i një kombi, të cilit kurrë nuk i hiqen skelat.

Të mos ankohemi se me shekuj kemi qenë të robëruar. Kjo është e vërtetë, por tani për më shumë se një shekull jemi vend i pavarur. Shumë vende që kanë qenë të robëruara si Shqipëria, dhe që e kanë fituar pavarësinë shumë vite ëe vonë, kanë arritur të ndërtojnë shoqëri, shtete të qëndrueshme, demokratike, me një nivel të lakmueshëm të zhvillimit ekonomik dhe mirëqenje të larëe për qytetarët e tyre (shembull:Izraeli, 1948). Ndoshta jemi duke vuajtur nga një lloj i “Sindromit të Stokholmit”, jemi mësuar që të tjerët të na organizojnë e drejtojnë administratën, të na ofrojnë ndihma ekonomike, etj. Niveli i rregullimit shoqëror të një vendi, shteti i mirorganizuar, mirëqeverisja pasqyrojnë vlerat e një populli. Siç u cek më lart, populli ynë ka krijuar vlera morale e njerëzore, nga gjiri i vet ka nxjerrë figura të kalibrit botëror, atëherë përse ende nuk kemi arritur të ndërtojmë një shtet normal, funksional e të qëndrueshëm?! Kjo për fat të keq është duke u manifestuar me gjendjen shumë kaotike e të polarizuar të skenës së sotme politike shqiptare, që është duke e paralizuar tërë jetën e vendit. Plogëtia i ka kapluar gati të gjitha institucionet shtetërore, shoqërore, arsimore e kulturore. Po ballafaqohemi me kriza dhe gjendje të pakandshme, madje edhe skandaloze, edhe nëpër institucionet që duhet të jenë pararoja e zhvillimit arsimor, kulturor, shkencor, ekonomik teëvendit: Universitetet, Akademia e Shkencave. Ato duhet të jenë vatra të edukimit, emancipimit, formimit të brezave të rinj dhe jo të shndërrohen në vatra të korrupsionit, intrigave, kundërvlerave. Shqipëria ka ngelur peng i politikanëve të paaftë, të korruptuar, të një mendësie fisnore, të cilët nuk janë duke i kryer punët e vendit, por vetëm duke u kujdesur për mirëqenien e tyre personale (vetjake) dhe të klaneve të tyre mafioze. Duke vëzhguar këtë gjendje të papranueshme, këto trazira politike që jane duke e çuar vendin drejt një katastrofe kombëtare, të vijnë në mend vargje e Faik Konicës:

“Sot kanë dalë ca zuzarë

Që u lindën shqiptarë

E punojnë natë e ditë

Që të mbetemi pa dritë

Është turp prej kësi krimbash

Të mundohet një komb trimash”.

Clirimi nga pushtuesi i huaj nuk do të thotë edhe liria e fituar. Despotët vendës nganjëherë ua kalojnë edhe pushtuesit të huaj. Rruga deri te fitorja e pavarësisë është e gjatë, e vështirë e me plot sfida e sakrifica, por edhe ndërtimi i një shteti të qëndrueshëm e funksional është po aq i vështirë. Ëndrrat, shpresat dhe përpjekjet e Rilindësve tanë gjatë pushtimit të gjatë Otoman kanë qenë të përqëndruara te një qëllim i lartë që një ditë Shqipëria e lirë do të bëhet si një Zvicër. Fatkeqsisht realiteti ishte dhe është diçka krejt ndryshe, nganjëherë pa fajin e shqiptarëve dhe herave tëë tjera për fajin e shqiptarëve. Shqipëria sot është e lirë, përse shqiptari shqiptarin e shikon, e trajton si armik. Ndertimi i një shteti është një projekt jo edhe aq i lehtë, por jo edhe i pamundshëm, që kërkon angazhimin e të gjithë faktorëve politikë, shoqeror, arsimor, ushtarak, etj. Shqiptarët kur janë bashkuar gjithmonë kanë arritur suksese, fitore, kanë ngadhnjyer: Periudha e lavdishme e Skendrbeut, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Kuvendi i Vlorës dhe Shpallja e Pavarësisë së Shqiërisë, Pavarësia e Kosovës. Politikanët, udhëheqësit tani duhet t’ia shtrijnë dorën njeri – tjetrit, të ngriten mbi nivel e t’i vënë interesat kombëtare mbi ato vetjake e klanore. Partitë politike të profilizohen mirë, të modernizohen, të kenë një program kombëtar dhe jo të ngelin grupime klanore dhe të lidhen për një individ, udhëheqësit e partive perkatëse. Duhet pak durim, tolerancë punë këmbëngulëse e përkushtim. Të marrim shembull nga Rilindja jonë Kombëtare, por edhe nga të tjerët, nga historia e Shterteve të Bashkuara të Amerikës dhe demokracitë europiane. Etërit Themelues të ShBA-ve 243 vite më parë u mblodhën për të formuar “nje qeveri (shtet) te popullit, prej popullit, per popullin (government of the people, by the people, for the people, siç është shprehur Presidenti Lincoln në fjalimin e tij të famshëm të Gettysburg-ut) dhe jo për veten e tyre, për interesat e tyre. Madje ishte edhe kundër interesave të tyre. Ky është shembulli më i mirë sesi duhet të ndërtohet një shtet, edhe pse nuk është i perkryer, por që i ka mekanizmat per t’i mënjanuar padrejtësitë, mangësitë dhe që ecën me kohën.

Në Shqipëri nuk ka dështuar vetëm klasa politike, por edhe intelegjenca e vendit, e cila duhet të marrë një rol më veprues dhe të angazhohet më tepër për demokratizimin e vendit, t’i afrojë e t’i pajtojë palët kundërshtuese. Kemi shumë kohë për të kompensuar dhe të mos humbim edhe më tepër kohë duke e luftuar njëri – tjetrin. Energjia jonë te jetë pozitive, ndërtuese dhe jo shkatërrimtare. Të ndërtojmë një shtet të qëndrueshëm, ligjor e demokratik për të gjithë shqiptarët, një shtet ku sundon drejtësia dhe jo ligji i xhunglës, një shtet që i bën nder kombit tonë, emrit shqiptar. Ua kemi borxh të gjithë atyre brezave të shqiptarëve që u flijuan ndër shekiuj për lirinë e Shqipërisë, por edhe më e rëndësishme, është edhe një detyrim i shenjtë kombëtar për brezat që do të vijnë pas nesh, Keqpërdoruesit e lirisë dhe shkatërrimtarët e Shqipërisë historia do t’i gjykojë, dënojë rëndë. Këtij gjykimi nuk mund t’i shpëtojë askush.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat