Shqipëria përsëri në darën e së keqes

Opinione

Shqipëria përsëri në darën e së keqes

Nga: Beqir Sina Më: 21 qershor 2019 Në ora: 06:05
Beqir Sina

Si shqiptar jam i ngazëllyer me përparimin e Shqipërisë, por jam edhe tejet i brengosur për gjithçka të ligë që po ndodh në vendin tim.

Si një ish i vuajtur politik dhe i larguar nga vendi 30 vjet më parë, kurrë nuk kisha menduar dhe besuar se edhe mbas tre dekadave, diktatura, e cila u rrëzua e fundit në kampin socialist të Europës juglindore, do të ringjallej me një petk të ri, që mishërohet si fizonomi, si program dhe si bindje, në atë që quhet PSSH me kryetar Edi Ramën.

E kam ndjekur situatën e krijuar që kur ajo nisi, dhe jam i befasuar për arrogancën dhe përqeshjen që tregon ndaj opozitës kjo qeveri –dhe ky kryeministër, pjellë e një klase politike me sjellje fëmijënore.

Është e qartë që edhe si shqiptar kaq larg vendit tim - duhet të mbaj asnjanësinë si gazetar, por pasi që unë dhe të tjerët si unë, ne që kemi fuqinë për të përforcuar rastin dhe mundësinë për ta sjellë atë më pranë syve dhe veshëve të arësyeshëm, unë besoj se është një detyrim moral për të gjithë shqiptarët për të ndihmuar vendin tonë - Shqipërinë, që të heqim qafe këtë klasë politike me sjellje foshnjore.

Pikërisht, kjo vlen më shumë se kurrë tani që shqiptarët ndihen gati të braktisur, sepse politika e kësaj klase të re që ata e vetë e krijuan, është bërë si një ndeshje gladiatorësh që përfundon vetëm me vdekje.

Përgjithësisht, kudo në Ballkan ka politika me sjellje fëminore, por ne shqiptarët jemi kampionët më të njohur të saj. Ne mund të thuhet se mbajmë primatin.

Ne jemi gjithashtu në krye të listës kur qahemi për ndihmë nga ndërkombëtaret. Jemi kampionët e asaj që të na i zgjidhin problemet të huajt - i mbajmë sytë e veshët nga të huajt - presim se çfarë do të thotë Amerika, apo Europa.

Dhe kështu pa e kuptuar as vet - ditë pas dite po bëhemi edhe më të de-modernizuar, më të de-motivuar për zhvillimin e vendit tonë.

Dhe, kështu historia jonë duket sikur po kthehet mbrapsht. Ne e kemi humbur çdo asnjanësi në gjykim dhe në veprim, duke e lënë vendin në rënie të lirë, drejt instalimit të një shteti monist ku sundon diktatura dhe poltika e njëshit.

Shqipëria, pas ngjarjeve të ditëve të fundit, duam apo s’duam ta pranojmë ne, do apo nuk do ta kuptojë Kryeministri, ka hyrë në një rrugë pa krye dhe të rrezikshme. Përgjegjësia më e madhe bie mbi Edi Ramën, sepse ai është Kryeministër i vendit. Është ai që po lejon Shqipërinë të shkojë prapa, si në përplasjet e fillimviteve 90’ në mos më keq.

Shqiptarët, duam apo nuk duam ne, janë politikisht ndarë, thellësisht në bindje. Sot jemi të gatshëm të nxjerrim në pah ndryshimet midis bindjeve politike, sikur të ishim në një luftë civile. Personalisht besoj se tani jemi në fakt në luftë civile, në një luftë të ftohtë, që po e nxit ditë për ditë kokëfortësia, arroganca dhe mëndjemadhësia e Edi Ramës.

Kjo çështja e kryeministrit Rama është ajo që më shqetëson më shumë, dhe mund të duket e pamundur për ju ose për të tjerët, por kërcënimi në rritje që vjen prej tij mund të na çojë drejt përplasjeve shumë më të mëdha si vend e si komb.

Dhe, në fund të fundit do të jenë të gjithë shqiptarët, njerëzit normalë, taksapaguesit dhe ata që interesohen vërtet për vendin që do të vuajnë më shumë nga një situatë e tillë, ku ka humbur çdo busull dhe çdo arsye.

Kokat e kthjellta dhe asnjanëse që meren me politik por edhe të tjerë, që kan sadopak fuqi dhe ndikim për të bërë diçka ose që u dëgjohet fjala, qofshin edhe këtu në Amerikë, ose që ndoshta janë miq me Edi Ramën, është koha të prononcohen dhe të ndihmojnë.

Thirrja për ju është e thjeshtë: Përdorni lidhjen apo miqësinë tuaj me mençuri dhe urtësi, ngjalluani shpresën shqiptarëve se ne mund të heqim qafe mallkimin, që na e la trashëgim qoftëlargu për më shumë se gjysmë shekulli nën komunizëm.

Shqipëria, sot nuk është e Edi Ramës, as e Ilir Metës dhe e Lulzim Bashës. Shqipëria nuk duhet të ishte kjo që shohim, siç e ka bërë Edi Rama, i cili në një shesh flet për fitore mbi fitore ndërsa në një shesh tjetër dalin çdo ditë policë me skafandra, gaz lotësjellës dhe helmues që përdoret kundër shqiptarëve.

Shqipëria, është e të gjithëve ne shqiptarëve, të majtë e të djathtë.

Duhet që të gjithë të zgjoheni nga gjumi, nëse dëshirojmë të quhemi evropianë dhe të jemi pjesë e familjes europiane, ashtu si keni ëndërruar dhe aspiruar, edhe atëhere kur rrëzuat regjimin më të egër komunist në botë - regjimin e Enver Hoxhës, dhe të bijëve të tyre, me thirrjet “T’a bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa!”.

Sot shqiptarët duhet të jenë më të ndërgjegjësuar dhe më patriotë për vendin e tyre për të merituar privilegjin e hyrjes në BE. Dhe, këtë duhet ta fitojnë duke treguar një qëndrim të pjekur dhe më bashkëkohor. Çdo njeri duhet ta kuptojë se vendi ynë është në zgrip të së keqes.

Shqipëria, sot ka nevojë më shumë se kurrë për ndihmë si një i sëmurë që ka nevojë për ilaçe. Shqipëria dhe shqiptarët nuk e meritojnë këtë qeveri dhe këtë Kryeministër, që ka shtatë vjet që nuk qeveris por bën vetëm një zanat: të fyejë opozitën dhe qytetarët e vendit.

Ironia është se ky Kryeministër dhe këta politikanë me sjellje fëminore e rrugaçe janë po ata që kanë qenë sponsorizuar me paratë e tatimpaguesve shqiptarë për vite me radhë, janë ata që nuk përfillin zgjedhjet e manipuluara, të vjedhura dhe të shitura e të blera, janë protagonistë të korrupsionit masiv, krimit të organizuar dhe së fundmi janë pengesë e de-komunistizimit të vendit e hapjes së dosjeve të sigurimit të Shtetit.

A thua se Brukseli apo SHBA nuk e dinë se për 29 vjet njerëzit në Shqipëri, kurrë nuk kanë pasur zgjedhje të lira dhe demokratike? Si është e mundur kjo në një vend që pretendon të jetë "demokraci" dhe anëtar i NATO-s? Pse ka Shqipëria nevojë për t’u udhëheqeur po nga këta njerëz? A ska të tjer por vetëm Edi Rama dhe bijt e Bllokut janë?

Të gjithë shqiptarët e dinë se kush jan fajtorët e kësaj situate dhe të gjithë e dinë se kush gënjen, të gjithë e dinë. Nuk është e vërtetë se njerëzit janë të ndarë në dynga bindjet e tyre , por janë të ndarë nga zhgënjimi dhe mashtrimi - propaganda boshe.

Ose nga ajo që Edi Rama, dëshiron të manipulojë çdo zgjedhje, sepse ai ka në dorë tani që kërkon edhe shkarkimin e Presidentit të gjitha pushtetet në Shqipëri.

Në Shqipëri për her të pare në se votohet më 30 qershor, do të votohet për nji parti - vetem për nji kandidat në mbi 50 përqind të zonave elektorale ….!

Gjithkush në Shqipëri dhe jashtë saj e di se kjo qeveri ka shpenzuar miliona euro të shqiptarëve për të blerë vota dhe për të blerë ndërkombëtarët - për t’i bindur të votojnë Partinë Socialiste dhe mbeshtesin Edi Ramën.

Ai dhe skuadra e tij investuan shumë për veten e tyre dhe nuk mund të pranojnë largimin ose një rotacion të butë. Ata e dinë se vetëm pushteti i tyre, mund të jetë shpëtimtari i tyre, prandaj janë të gatshëm të shkojnë edhe në një “Luftë të Ftohtë” civile, duke përfshirë përdorimin e forcës dhe çfarëdo mjeti tjetër.

Një e vërtetë tjetër e trishtueshme është se sot, askush nga ndërkombëtarët nuk po e dëgjon zërin e popullit në Shqipëri. Të ashtuquajturët diplomatë të huaj në Shqipëri, po rrahin ujë në havan me deklarata boshe, që flasin më tepër për një flirt të pajustifikuar me pushtetarët e sotëm.

Ndihem i dëshpëruar dhe i zhgënjyer me këta politikanë. Megjithëse kemi kaluar 29 vjet demokraci, e vetmja shpresë sot është që shqiptarët të marrin vetë kontrollin e fatit të tyre dhe të mos lejojnë politikanë të sëmurë në pushtet që të mohojnë të ardhmen për fëmijët e shqiptarëve.

Ekziston një listë e gjatë e problemeve në politikën shqiptare. Por këta shtatë vjetët e fundit janë ky kryeministër dhe këta pushtetarë e politikanë që kryesojnë listën. Kryeministri është i biri një ish-anëtari të lartë komunist, ish anëtari të KQPPSH, nipi i një anëtari të Byrosë Politike, i cili qysh në vitet 90’ dhe gjatë këtyre 29 viteve të kësaj demokracie (i thënçin) nuk bën tjetër veçse riciklon veten me fjalë, por jo me vepra.

Stili i tij i qeverisjes është thellësisht autoritar. Ne sundohemi sot nga një Putin, Lukashenko ose Maduro i variantit shqiptar. Në vend të investimeve, ai sjell vetëm konflikt dhe përplasje. Rama është është rrënja e së keqes nga e cila duhet të ndahemi një herë e mirë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat