Shqipëria mëmë nuk sjellët si nënë

Opinione

Shqipëria mëmë nuk sjellët si nënë

Nga: Rexhep Torte Më: 23 qershor 2019 Në ora: 11:34
Rexhep Torte

Nuk besojmë se ka shtet në botë si Shqipëria  që kufijtë e  shtetit të vet i ka të vendosura në trojet e veta  dhe me këto kufij  kufizohet me bashkëkombësit e vet të  ndarë  në pesë shtete fqinje.

Shqipëria këtë ndarje të padrejtë dhe absurde të shqiptarëve nuk e ka bërë me dëshirën e vet, por ka qenë e detyruar ta pranojë forcërisht nga fuqitë e mëdha vendimmarrëse në Kongresin e Berlinit 1978, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër 1920 dhe në Konferencën e Paqes në Paris 1920.

Si pasojë e kësaj padrejtësie më shumë se gjysma e trojeve dhe e popullit shqiptar mbetën jashtë kufijve të shtetit amë Shqipërisë.

Si pasojë e kësaj Krahina e Çamërisë së bashku me shumë troje tjera shqiptare mbeti në Greqi, shumë qytete e vise shqiptare mbetën në Maqedoni, shumë qytete e troje shqiptare mbetën në Malin e Zi, ndërkaq Kosova dhe Kosova Lindore ( Lugina e Preshevës) mbetën në Serbi.

Si pasojë e kësaj popullata shqiptare e Çamërisë e dëbuar forcërisht  nga Greqia me krime e tmerre  luftarake gjenocidale nga viti 1913 gjer në vitin 1944, është strehuar në Shqipëri dhe as që guxon të kthehet në vatrat e saj shekullore në Greqi, ose të dëmshpërblehet për pronat e okupuara.

Në Greqi kanë mbetur edhe shumë familje shqiptare të cilat as që guxojnë ta përmendin kombësinë shqiptare, dhe i janë nënshruar asimilimit ehe pse në familjet e tyre flasin shqip.

Në librin Ismail Kadare-Ushin Hoti me titull “Bisedë përmes hekursh”, në përgjigjet që Ukashin Hoti nga burgu i Nishit ia dërgon Ismail Kadaresë, veç tjerash shkruan se, “ Gjatë pushimeve verore  me do shokë në Greqi pata rastin të shikoj se në atë familje ku qëndronim flitej shqip,  dhe kuptova se asimilimi kishte qenë i dhunshëm, sepse je i detyruar të harrosh se je i vetes. Sipas Gabon 95 përqind e udhëheqësve të kryengritjes greke  që kishin ndihmuar fuqimisht  në pavarësimin dhe formimin e shtetit grek kishin qenë  shqiptarë orthodoksë”, thotë Ukshin Hoti.

Televizioni TOP CHANEL i Tiranës lidhur me gjenocidin e Greqisë  ndaj popullatës  Çame  ka përgatitur e shfaqur  një emision  dokumentar të titulluar “Gjurmë Shqiptare” me përplot me  dëshmi e fakte të gjalla.

Më 15 qershor 2019 në organizim të Shoqatës  “Bashkësia Shqiptare” në SHBA  mijëra shqiptarë nga diaspora, u mblodhën në Nju Jork në rrugën Manthaten dhe  shënuan 75 vjetorin e eksodit të popullatës  Çame nga forcat ushtarake fashiste të Greqisë, e cila  qe e  detyruar me forcë të largohet nga  trojet e veta  shqiptare në Greqi.

Kjo paradë madhështore  me moton “ME TY JEMI ÇAMËRI”, e përgatitur më një përkushtim të madh, e shoqëruar me këngë e valle shqiptare dhe me veshje kombëtare shqiptare, ia rikujtoi   popullit amerikan dhe mbarë botës për gjenocidin grek dhe vuajtjet që i pësoi popullata  Çame nga politika fashiste e Greqisë.

Kjo paradë madhështore u tregoi të gjithëve vitalitetin e popullit shqiptar për të ardhmen e lumtur e paqesore, por duke mos e harruar të kaluarën e hidhur dhe me kërkesën imediate “Duam drejtësi, nuk duam hakmarrje”.

Si pasojë e kësaj popullata shqiptare në Maqedoni edhe pse në trojet e veta shekullore me dekada është duke përjetuar vuajtjet, persekutimet, burgosjet,  por edhe vrasjet sa herë që ka tentuar të kërkojë  ti gëzojë të drejtat dhe liritë e njeriut, që janë e drejtë legjitime e çdo populli.

Si pasojë e kësaj popullata shqiptare në Mal të Zi, edhe pse në trojet e veta shekullore në vazhdimësi i është nënshtruar një presioni të paparë e të përgjakshëm për tu shpërngulur. Këto presione ndaj popullatës shqiptare në Mal të Zi kanë filluar qysh në vitin 1918 kur Serbia hegjemoniste me luftëra të përgjakshme bëri spastrim etnik dhe në trojet shqiptare vendosi  kolonë serbë.

Në një emision televiziv të përgatitur gjithashtu nga TOP CHANEL të titulluar “Gjurmë Shqiptare” të shfaqur  në javën e parë të muajit qershor 2019, në mënyrë bindëse dhe të argumentuar me fakte e dëshmi, ndjekësit e këtij emisioni patën mundësinë të shikojnë dhe dëgjojnë rrëfime direket të banorëve të fshatit Martinaj, se si edhe  tani në këtë fshat vijnë klerikë të kishës ortodoksë serbe, të shoqëruar me serbë dhe të mbështetur edhe nga shteti i Malit të Zi, për të ndërtuar forcërisht një kishë ortodoksë serbe në trojet shqiptare për të cilat ekzistojnë tapi shqiptare. Sipas protagonistëve të intervistuar në këtë emision televiziv, gjer tani në sajë të rezistencës, guximit dhe këmbëngulësisë së banorëve të këtij fshati kjo kishë serbe nuk është ndërtuar, por tentimet absurde për ndërtimin e saj vazhdojnë me provokime të njëpasnjëshme.

 Fshatarët e intervistuar të fshatit Martinaj, kërkonin që edhe Shqipëria të ndërhyjë te shteti i Malit të Zi që të ndërpriten këto provokime asimiluese dhe arrogante  serbe.

Si pasojë e sulmeve shekullore dhe gjenocidale  serbe, por edhe si pasojë vendimeve të mëvonshme të padrejta nga Berlini 1978, nga Londra 1913 dhe nga Parisi 1920, nën ndikimin e  politikës hegjemoniste të Serbisë, një numër i madh i popullatës shqiptare që ka banuar  edhe përtej Nishit  janë detyruar të largohen edhe nga këto troje shekullore shqiptare.

Në këtë mënyrë Mbretëria  e Serbisë i  krijoi Banovinën e Zetës, Banovinën e Moravës dhe Banovinën e Vardarit, duke e gllabëruar edhe Kosovën dhe Kosovën Lindore (Lugimëm e Preshevës), por edhe shumë troje e popullatë shqiptare që sot gjenden në Maqedoni.

Kosova pas agresionit  gjenocidal fashist të Serbisë në vitet 1998/1999, me rezistencën e armatosur të UÇK-së dhe me bombardimin  78 ditor të avionëve  të NATO-s mbi caqet  e ushtrisë serbë në Kosovë dhe mbi caqet në Serbi, më në fund u çlirua dhe u pavarësua.

Liria dhe pavarësia e Kosovës për fat të keq u arrit me viktima të mëdha,  me   afër 15 mijë shqiptarë të  vrarë e të masakruar dhe me 20 mijë femra  shqiptarë të dhunuara  në mënyrën më shtazarake nga ushtria, paramilitarët dhe policët e Serbisë.

Liria dhe pavarësia e Kosovës u arrit  pas djegies të qindra mijëra  shtëpive të shqiptarëve dhe pas eksodit të  më se 1 milion shqiptarëve në Shqipëri e Maqedoni për të shpëtuar jetën nga plumbat serbë.

Tani pas 20 viteve të lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës, Serbia është duke zhvilluar një propagandë gënjeshtare të fuqishme kundër Kosovës, me synim themelimin e asociacionit të 4 komunave me popullatë serbe në Veri të Kosovës, dhe të arritjes së një marrëveshje  finale gjithpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë mbi bazën e një kompromisi, që len të kuptohet se Serbia, pas të gjitha këtyre krimeve të kryera në Kosovë, ka për qëllim të gllabërojë edhe ndonjë pjesë nga Kosova tashmë shtet i pavarur e sovran.

Serbia të gjitha këto përpjekje ekspansionishte është duke i bërë me arsyetimin se mundohet për popullatën serbe  5 përqindëshe që jeton në Kosovë, e cila  i gëzon të drejtat dhe liritë e njeriut  më shumë se çdo pakicë tjetër në botë.

Shqipëria ndërkaq gjatë tërë historisë së saj ka marrë një pozicion të përgjumur, indiferent e tepër pasiv, duke mos treguar  interesimin e duhur për shqiptarët që jetojnë  në trojet e veta në pesë shtete të ndryshme fqinje dhe që u janë nënshtruar represioneve dhe presioneve të shumta.

Shqipëria e ka për detyrë si shtet amë  ta dëshmojë interesimin për bashkëkombësit e vet bazuar edhe në të drejtën ndërkombëtare dhe  në rrugë diplomatike,  ndryshe me këto sjellje e qëndrime  të cilat nuk  i ngjajnë sjelljes së një nëne të vërtetë, do të konsiderohet njerkë ndaj bashkëkombësve të vet që jetojnë jashtë shtetit amë.

Ky mosinteresim i Shqipërisë për popullin  shqiptar që pa vullnetin e tij është i detyruar të jetojë në 5 shtetet fqinje,  është shprehur edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore,  kur në viset shqiptare  si për shembull  në Dibër asokohe vinte Svetozar Vukmanoviq Tempo, apo Dushan Mugosha shkonte në Tiranë, që të dy  komunistë  dhe agjentë serbo-rusë, gjoja  për ta organizuar rezistencën kundër nazifashizmit.

Kjo lidhje e dëmshme shqiptaro-serbosllave, bëri  që pas çlirimit në vitin 1945 Serbia ta tregojë fytyrën e vet kriminale duke shkelur Marrëveshjen e Bujanit, ku thuhej se pas çlirimit popullit shqiptar do ti mundësohet që të vetëvendos për të ardhmen e tij. Pas çlirimit  në vitin 1945 u vunë në shënjestër, u përndoqën, u burgosën dhe  u vrarë bijtë më të mirë të popullit shqiptar  në Maqedoni, Kosovë e Malin e Zi, vetëm e vetëm pse kërkonin të hapnin ndonjë shkollë shqipe ose që kërkonin ndonjë të drejtë legjitime.

Shqipëria ndaj të gjitha këtyre përndjekjeve u tregua  e shurdhër  e memece dhe nuk reagonte fare. Bile shumë të rinj patriotë shqiptarë gjatë periudhës moniste që merrnin guximin dhe ilegalisht kalonin në Shqipërinë mëmë, Shqipëria  në vend që ti mirëpriste  dhe ti  ndihmonte, ajo ose i kthente prapë në shtetin fqinj nga i cili kishin ikur, ose i dënonte në Shqipëri me dënime drakonike me epitetin e shpifur si spiunë Jugosllavë.

Shqipëria në kohën kur Aleksandër Meksi ishte kryeministër i Shqipërisë, e refuzoi edhe kërkesën e Ukshin Hotit  për ti dhënë shtetësi të Shqipërisë.

Shqipëria edhe tani pas ardhjes së demokracisë dhe pluralizmit po vazhdon me avazin e vjetër.

Shqiptarët  që jetojnë  në pesë shtetet fqinje nuk kërkojnë që Shqipëria  ti mbrojë  me pushkë, por që me rrugë diplomatike,  nëpër institucionet ndërkombëtare, apo me demarshe ndërshtetërore, apo edhe nëpërmjet OKB-së të bëjë presion dhe  të dëshmojë se interesohet për bashkëkombësit e vet  që jetojnë në shtetet fqinje, që bashkëkombësit shqiptarë   të paktën ti gëzojnë si duhet  të drejtat e tyre legjitime.

Shqipëria nuk është duke e treguar interesimin e duhur  edhe tani aktualisht  lidhur me Kosovën, ku Serbia  po shfaqet me tërë agresivitetin e saj mashtrues  diplomatik kundër Kosovës.

Serbia, me pretekstin se gjoja interesohet për një grusht serbësh që jetojnë në Kosovë, është duke bërë të pamundurën  me lloj loj shantazhesh  diplomatike, për ta dëmtuar  me çdo kusht Kosovën tashmë shtet të pavarur e sovran.

Ne ende nuk e kemi dëgjuar Shqipërinë që ta ngrenë fuqishëm zërin e saj për ta ndihmuar Kosovën në rrafshin diplomatik, qoftë karshi Serbisë agresore gjenocidale, qoftë karshi faktorit ndërkombëtar.

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë duke iu bashkangjitur binomit Hashim Thaçi - Aleksandër Vuçiq për arritjen e një kompromisi mes Kosovës e Serbisë nëpërmjet tezës së shkëmbimit  të territoreve, tregon qartë se Shqipëria me këto qëndrime është shumë larg nga kujdesi i Shtetit amë që duhet ta ketë ndaj shqiptarëve që pa dëshirën e tyre  jetojnë në trojet e veta por  në pesë shtete  fqinje.

Shqipëria dhe diplomacia shqiptare në këtë aktualitet të ndjeshëm dhe shumë të rëndësishëm mbarë shqiptar është vënë në gjumin përrallor  dhe nuk po dëgjojmë as edhe një fjalë  në mbrojtje të bashkëkombësve të saj  në Greqi, Maqedoni, Malin e Zi, në Kosovë dhe në Kosovën Lindore ( Luginën e Preshevës).

Sa është  unikal dhe i padrejtë copitmi i trojeve dhe i popullit shqiptar që e kanë bërë Shqipërinë  të duket si mollë e kafshuar nga të gjitha anët, ashtu është unikal dhe i padrejtë mosinteresimi i Shqipërisë amë për bashkëkombësit e saj që jetojnë jashtë mëmëdheut amë, dhe që i ngjan sjelljes së një njerkë të vërtetë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat