Edi Rama me origjinë greke !?

Opinione

Edi Rama me origjinë greke !?

Nga: Nasho Bakalli Më: 25 qershor 2019 Në ora: 16:00
Edi Rama

Mitingu i Edi Ramës në Finiq, majtur tre ditë më parë, pati goxha jehonë në mediat greke; ndonjë  prej tyre  guxoi të shkruajë se ai është me prejardhje greke, dhe se flet greqishten si gjuhë amtare.

Ajo që më shtyn të shkruaj këto rradhë është thjeshtë e vërteta, të cilën  e kam mbledhur me punën time; për hobi; dhe ndofta për të shkruar një ditë të bukur, një librushkë, mbi të kaluarën e paraardhësve të mi; dhe, kur mes kësaj pune has të vërteta historike edhe për familjen e Kristaq Rama, "Artist i Popullit", atëhere, nuk ka arësye që të mos i shpërfaq ato përkundruall të "vërtetave" të portalit grek "Tribune.gr".

Në tetor të vitit 1984 Ing. Thoma(Tom) Truja - diplomuar, inxhinier industrial, në Universitetin e Romës, Itali; nëpunës, edhe mbas 29 nëntor 1945, deri sa doli në pension; bashkëshort i sopranos së famshme Jorgjia Truja(Filçe) - ishte me pushime në "Uji i Ftohtë", Vlorë.  Atje Tom Truja shkroi me dorën e Tij ndërmendje, të përcjella këto brez pas brezi, për origjinën e familjes Truja, me titullin: "Familja Truja. Berat - Durrës. Vitet 1813 - 1984". Nga ky burim historik kam shkëputur një element thelbësor, stërgjyshen e Edi Rama, e cila, i jep edhe formën konkrete origjinës shqiptare të paraardhësve të Edi Rama.   

"Thoma Truja (stërgjyshi i Tom Truja) lindi në Berat, në vitin 1813, dhe vdiq në Durrës, në vitin 1873. Thoma Truja u largua nga Berati kur ishte fare i ri me qëllim për ti shpëtuar rekrutimit ushtarak, të Jeniçerëve, të Perandorisë Osmane. Ai u martua në Durrës me Angjeliqi Popa, nga Kavaja, dhe patën 7 fëmijë: Eleni; Efrosina; Athinaja - stërgjyshja e Edi Kristaq Rama; Mihali; Perikliu; Ksanthipi - stërgjyshja ime, Nasho Bakalli; dhe Evgjenia". ... . "Athinaja (ose Thinka, siç e thërrisnin të afërmit stërgjyshen e Edi Ramës), pasi i vdiq burri i parë, u martua me Kristaq Rama ( stërgjyshin e Edi Kristaq Rama) dhe lindën tre fëmijë: Vlashi; Marika; Tali".

  "... nga tradita familjare rezulton se familja Truja rrjedh nga Berati dhe, qysh në fillim të shekullit XIX vazhdonte të banonte në një shtëpi të ndërtuar pranë mureve të Kalasë të Beratit, nga ana lindore e saj. ... . Kuptimin e mbiemërit tonë, Truja, e zgjidh fjalori "Arbëresh - Anglisht". Në këtë fjalor të shtypur në Itali - ku banojnë me dhjetramijëra arbëreshë, të cilët prej pesë shekujsh vazhdojnë të flasin gjuhën shqipe -  fjala "Truej" - "Truja" ka kuptimin "kala"(kështjellë). ... .

Pa u zgjatur më tej, jo se mungojnë të tjera fakte, del shkoqur  përfundimi se: pasardhësit e Athina Rama(Truja, i vajzërisë), stergjyshes të Edi Kristaq Rama, jetojnë në Shqipëri (Berat - Durrës -Tiranë) prej, më e pakta, 206 vitesh; dhe, në asnjë  resht të kujtimeve të Z. Tom Truja nuk gjehet ndonjë fjalë që të ketë lidhje, sado të vogël, me Greqinë.

Uroj që edhe administratorët e portalit "Tribune.gr.", ta kenë rrjedhën e orgjinës së tyre po aq të vjetër sa të Edi Kristaq Rama. Por, kjo nuk do të thotë asgjë sepse: grek mund të të bëjnë edhe pasi ti kesh gjysh-stërgjyshërit shqipëtarë; serbë; kroatë; bullgarë; maqedonas; turq; malazez; boshnjakë; magjypë; rumunë( për më tepër lexoni përmbledhje studimesh bashkëkohore - me titull "Të emërtosh dhe të klasifikosh në Ballkan" - Tiranë 2015; redaktuar nga Gilles de Rapper dhe Pierre Sintës, me bashkëpunimin e Kira Kurinkeski).

Për sa i takon prejardhjes se stërgjyshit të Edi Rama, pra, prejardhjes të Kristaq Rama(plakut) unë, shkruajtësi i këtyre rradhëvë, kam të dhëna - disa edhe i kam botuar - të cilat tregojnë se ashtu sikurse stërgjyshja e Edi Kristaq Rama, edhe stërgjyshi i tij Kristaq Rama ishte thellësisht shqiptar. Gjithësesi, portali grek "Tribune.gr" mund t'iu drejtohet për më shumë informacion, lidhur me origjinën shqiptare të Edi Rama, pasardhësve të familjes të patriotit Mihal Rama - vëllai i Kristaq Rama(plakut) - i cili ishte: lëvrues, përhapës, ndihmëtar i pakursyer i gjuhës dhe botimeve të  letërsisë shqipe; - bashkëthemelues i shoqërisë patriotike "Bashkimi" të Durrësit, të vitit 1909; - diplomuar ekonomist; - drejtor i përgjithshëm i pronave të patundëshme të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare ( pas themelimit të KOASH, në korrik 1929); nëpunës, edhe mbas 29 nëntor 1945, deri sa doli në pension.

               Dhe tani për ta mbyllur, përsëri më fakte të qënësishme, po i referohem librit "Tre Udhëtime"( në vitet 1904; 1905; 1907) të C.N Burileanu - A. Baldacci, botuar në Bolonja, dhe në Bukuresht, faqe 208; ku autorët mes tjerave shënojnë se: "Nga familjet kryesore të Durrësit që flasin; greqisht; vllaçe; shqip; janë:

- Greqisht: Mihail P. Terka; ... .

- Vllaçe: Atanasio Bakali, ... .

- Shqip: Kristaq Rama; Popa Rama; Truja; ... ."

P.S. Për të shmangur komentet e "pakujdesshme" të ndonjë lexuesi, i bëj me dije këtij të fundit se: fakti që stërgjyshja e Nasho Bakalli dhe stërgjyshja e Edi Rama kanë pas qënë motra, përdoret prej meje vecse me qëllimin për të përforcuar saktësinë e kujtimeve të Z. Tom Truja, dhe për asgjë tjetër, absolutisht jo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat