Katër këshilla kryeministrit të Kosovës

Opinione

Katër këshilla kryeministrit të Kosovës

Lis Bukuroca Nga Lis Bukuroca Më 26 qershor 2019 Në ora: 07:17
Ramush Haradinaj

E para: “I heqim taksat për mallrat serbe kur të kthehen mbetjet e 3.000 të varrosur nëpër Serbi!”

Theksimi i atij barbarizmi, ku armata serbe pas ekzekutimeve ka grabitur, fshehur apo zhdukur kufomat, do të ndikonte në opinionin publik perëndimor për të dalluar edhe një herë viktimën dhe kriminelin, sepse disa vende kanë prirje të shohin Serbinë si viktimë. (Serbia ia ka dalë të dëmtojë imazhin e UÇK-së, madje edhe të punësojë agjent pranë kryetarit Thaçi, sigurisht edhe në qeveri, por edhe në Agjencinë e Inteligjencës së Kosovës.)

Moskëmbëngulja për kthimin e atyre mbetjeve flet për një shoqëri pa dhembshuri, për një shoqëri jo humane, për një shoqëri pa sedër, shkurt e shqip, për një shoqëri që përfaqësohet nga një klasë politike poçavër, zvarranikësh, që lufton për bajraktarizëm dhe për pasurim. (Në biseda duhej vënë gishtin mbi tragjeditë e shkaktuara nga Serbia e Millosheviqit, jo të sillemi si fajtorë, kur jemi viktima. Vuçiqi shfaqet në takime me një dosje, Hashimi nxjerr nga xhepi një letër.)

E dyta: “Jemi të gatshëm të nisim negociatat, kur shteti serb të kërkojë ndjesë për dhunimin e 20.000 grave nga ushtria serbe, për deportime, për tragjeditë e shkaktuar në Kosovë dhe për vrasjen e mijëra vetave, në mesin e tyre edhe të fëmijëve. “

Cili shtet perëndimor do të kërkonte shpërfilljen e dhunimit të grave dhe cili do të kundërshtonte ndjesëkërkesën, kur dihet se ata pikërisht për ato tragjedi, kanë bombarduar Serbinë?!

E treta: “Jemi të gatshëm të pajtohemi dhe të njohim njëri-tjetrin kur Serbia të zhdëmtojë për 100.000 shtëpi të djegura, të shkatërruara dhe për vjedhjen e pasurisë së tundshme.”

Arsyetim

Pajtim të qëndrueshëm nuk mund të ketë duke shpërfillur një mizori fashiste dhe duke i falur Serbisë pa kërkuar ndjesë! Heshtja e tragjedisë së shkaktuar ka rehabilituar Serbinë në një farë mënyre dhe pas humbjes së luftës, nxënësit e Millosheviqit, kërkojnë shpërblim, sepse ata qenkan viktima dhe paskan humbur, kurse ne vetëm paskemi fituar, edhe pas gjithë atyre tragjedive dhe dëbimit të gati 50% të popullsisë. (Edhe një: politikanët shqiptar nuk duhet të përmendin numrin e deportimeve gjatë spastrimit etnik, por përqindjen! Kështu një gjerman, italian, francez e anglez, me 50% do të kuptonte gjysmën e popullsisë së vet!)

Sqarim

Pas kërkesës serbe, gjykatë më e lartë e Kombeve të Bashkuara, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, më 22 korrik 2010 ka konstatuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Ky mendim do të kishte bindur çdo shoqëri moderne, por jo nxënësit e Millosheviqit dhe mediat fashiste serbe, që përhapin ide raciste antishqiptare tok me kryeministren dhe disa ministra serb.

Edhe nëse ato kërkesa nuk do të gjejnë mbështetje në Perëndim, nuk janë pretendime që aq lehtë mund të hidhen poshtë. Vështirë të gjendet një jofashist, që do të kundërshtonte kthimin e mbetjeve të 3.000 vetave dhe rivarrosjen e tyre në atdhe. Vështirë se mund të gjendet një jofashist, që do të kundërshtonte ndjesëkërkesën për 20.000 gra të dhunuara dhe mbi 13.000 veta të ekzekutuar.

Rikthimi i atyre fakteve në kushte bisedimi, do të dobësonte pozicionin e Serbisë. Do të dëmtonte imazhin e nxënësve të Millosheviqit. Nëse jo, do të ndikonte në opinion ndërkombëtar. Nëse ato kërkesa kundërshtohen nga Perëndimi, atëherë së paku do të tregonin se jemi popull me dinjitet, se pranojmë diktatet e tyre pse jemi të pafuqishëm, por sikur të kishim forcë, së paku, nuk do të kishim lejuar të sekuestronin kufomat e njerëzve tanë që ka pushkatuar shteti serb!

Nëse ajo kërkon ndryshimin e kufijve, atëherë të kërkohet nga Serbia llogari për copëtimin e tokave shqiptare që ajo ka pushtuar dhe që sot kanë ngelur në Maqedoni, Mal të Zi dhe në Serbi. Maqedonia nuk ka pushtuar troje shqiptare, por e ka bërë Serbia! Asaj mund t’i premtohet sovraniteti mbi katër komunat në Veri, kur të zhdëmtojë Kosovën për gati gjysmën e Maqedonisë, për trojet shqiptare në Mali të Zi dhe pasi të kthehet Lugina. Tragjedia shqiptare në Ballkan, copëtimi dhe fragmentarizmi i kombit shqiptar mban vulën e fashizmit serb, që bazohet në idetë fashiste të Çubrilloviqit, Garashaninit dhe Invo Andriqit, por edhe të disa projekteve tjera serbe, deri te Dobrica Qosiqi! Kombi shqiptar nuk ka asnjë platformë për dëbimin apo zhdukjen e kombit serb.

E katërta: Të kërkohet distancim i qeverisë serbe nga nacionalizmi ekstrem në mes shumë platformave, nga programi fashist kundër kombit shqiptar “Naçertanja” e Ilija Garashaninit, nga platforma fashiste e akademikut Vaso Çubrilloviq “Shpërngulja e Arnautëve”, të cilën u përpoq ta zbatojë Millosheviqi dhe nga projekti fashist i nobelistit Ivo Andriq.

Sepse pajtim në mes dy kombeve nuk mund të ketë kurrë duke anashkaluar tragjeditë e shkaktuara. Sepse Serbia duhet të sillet ndaj kombi shqiptar me respekt. Sepse nuk kemi sulmuar kurrë Serbinë! Sepse ne nuk kemi pushtuar kurrë regjione serbe!

Për ta fituar ardhmërinë, duhet të gjykohet e kaluara fashiste serbe nga qeveria serbe, nga elita kulturore serbe! Kjo do të ndikonte në europianizimin e Ballkanit. Me nxënësit e Millosheviqit, që përpiqen të ftojnë në paqe nga ajo që ai ka humbur në luftë, nuk mund të gjendet zgjidhje dhe nuk mund të paqësohet Ballkani. Ata, si edhe Millosheviqi, tragjeditë që u kanë shkaktuar fqinjëve për rreth, i konsiderojnë moralisht të drejta! Kjo është arsyeja pse ata nuk pendohen dhe pse ata nuk kërkojnë ndjesë. Shteti serb i ka falur vetes licencë për të vrarë sllovenë, kroatë, boshnjakë, shqiptarë, maqedonas, gjermanë e hungarez tash e një shekull! Shteti serb masakrat për koloni, i kanë konsideruar vepra humane! Kur të ndriçohet Serbia, fillon paqja dhe mirëqenia në Ballkanin Perëndimor! Qysh nga fundi i shekullit XIX e këtej, Serbia është shteti që traumatizon, që terrorizon dhe që prodhon tragjedi te fqinjët e vet!

Gati asnjë komb për rreth, nuk e konsideron veten me fat pse ka Serbinë në kufi! Historia e të gjithëve është e përgjakur nga hegjemonia, megalomania dhe paranoja e shteti serb!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat