Preteksti (i munguar) humanitar

Opinione

Preteksti (i munguar) humanitar

Nga: Fadil Lepaja Më: 26 qershor 2019 Në ora: 13:56
Fadil Lepaja

Qendra humanitare Ruso-Serbe, e deklaruar si qendër regjionale(ballkanike) për situata të jashtëzakonshme, verën e vitit 2018 po priste thirrje zyrtare nga Greqia për të ndihmuar në fikjen e zjarrit të përmasave katastrofale i cili mori dhjetëra jetë njerëzish, në këtë vend. Lufta me zjarrin i tejkalonin kapacitetet e Greqisë për të u përballur me tragjedinë. Por thirrja nuk po arrinte në këtë qendër me pretendime të jetë më e madhja në rajon për menaxhimin e situatave të jashtëzakonshme, punëtorët e së cilës qendër në fakt janë punonjës të ministrisë ruse për situata të jashtëzakonshme. Greqia, e më vonë edhe vendet tjera të Ballkanit si Maqedonia, Mali i Zi , të cilat fillimisht llogarisnin në “shërbimet e saj” pasi u afruan me NATO-n, u larguan nga kjo qendër, kështu që e njejta e humbi rëndësinë që pretendonte se e kishte, aq më tepër që zyrtarë të lartë ushtarak, të NATO-s dhe vendeve perëndimore kishin deklaruar se misioni humanitar rus është veç fasadë për angazhime jokonvencionale, që do të thotë se janë më tepër krijues sesa menaxhues të situatave të jashtëzakonshme.

Këto ditë, kryeministri I Kosovës foli për skenarin e Serbisë për të shkaktuar artificialisht krizë humanitare në veri të Kosovës, dhe la të kuptohet, se nuk do të lejojë që ajo të krijohet artificialisht dhe aq më tepër që dikush nga jashtë të e menaxhoj atë si situatë të jashtëzakonshme. Sa here krijohen krizat, dhe qeveria serbe përpara faktorit ndërkombëtarë tregon “duart e pastra”, të papërfshira në të, atëherë fillojnë thashethemet nëpër media dhe kuloare, lidhur me aktivitetitn e Qendrës Ruso-Serbe e cila për shkak të kapaciteteve dhe misionit rajonal që ka, vështirë se mund të pajtohet me mospërfshirje e saj në një “krizë humanitare” , në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi apo BeH.

Ideja që po plasohet në Beograd se si pasojë e taksës së aplikuar nga qeveria e Kosovës për mallërat serbe, në veri të Kosovë është shkaktuar mungesë e madhe e mallërave elementare të domosdoshme për jetesë, përfshi ilaqet, i ka shqetësuar strukturat e sigurisë ndërkombëtare dhe vendore, përfshi këtu edhe mbështetjen e dyshuar logjistike, zyrtare, për kontrabandimin drejt Kosovës. Krizat humanitare janë përdorur si pretekst legjitim, për të ndërhyrë në vende sovrane, dhe kjo mori karakter global pas ndërhyrjes së bashkësisë ndërkombëtare, për të evituar katastrofën humanitare në Kosovë. Por, edhe historia e luftërave në Ballkan, sidomos në BeH, njeh (keq)përdorimin e pretekstit humanitar për të u përfshirë, apo për të ndërmarrë veprime politike , e sidomos ushtarake.

Për shembull, këto ditë, mediat shqiptare në përgjithësi nuk I dhanë asnjë publicitet një ngjarje e cila 27 vjet më parë, ishte e inicuar pikërisht nga një krizë humanitare, për shkak të bllokadës kroate dhe boshnjake të rrugës që e lidhë pjesën perëndimore të Republikës Serbe me atë lindore, dhe Serbinë.

Aso kohe spitali i Banjallukës, i cili ishte pjesë e sistemit shëndetësor serb kishte mbetur pa oksigjen dhe barëra esenciale dhe si pasojë vdiqën disa foshnje dhe pacient që kishin nevojë për hemodializë. Në rrethana të tilla, komandanti I i një brigade të motorizuar serbe kishte marrë urdhër për veprime luftarake, që të hapë rrugën nëpër atë zonë që serbët do të e quajtën si “Koridori I jetës”, I cili lidhë dy pjesët e ndara të entitetit serb në BeH, mes vete, dhe me vetë Republikën e Serbisë. Pa këtë koridor entiteti unik serb në BeH do të ishte i pamundur. Edhe sot e kësaj ditë ka debate a ishte reale kriza humanitare që mori aq jetë fëmijlsh apo e inskenuar, sidoqoftë ofensiva serbe dëshmoi se ishte pretekst i mjaftueshëm për të legjitimuar veprimet ushtarako politike të cilat sollën deri te konsolidimi i entitetit serb në BeH dhe federalizimi faktik i saj. Kjo e ndërroi pat situatën e pafavorshme për serbët. Përderisa bashkësia ndërkombëtare e sheh BeH si unike, Serbia, edhe sot e kësaj dite, me mbështetjen ruse po angazhohet fuqishëm që ajo të shkëputet dhe të bashkohet me të, sikurse që e luan edhe lojën me koridoret dhe me autonominë e veriut serb në Kosovë. Në fakt e gjithë kjo paraqet konturat e planit ruso-serb që Serbia sërish të jetë qendra e një konstrukcioni të ri politik në Ballkanin Perëndimorë, si kundërpeshë e asaj që ata e quajnë Shqipëria e madhe për të cilën pohohet se mbështetet nga SHBA dhe BE. Sakrifikimit dhe viktimizimi I civilëve në funksion të qëllimeve nacionale dhe shtetërore serbe është listuar si një taktikë e shpeshtë, dhe e rrezikshme serbe e cila provonte të ndërtonte pretekstin mbi çkadoqoftë që mund të duket motiv humanitar dhe nga përvoja e paraluftës kemi aq shumë shembuj inskenimesh deri në groteske si rasti Martinoviç apo edhe deri hyrjet banale të bagëtisë “shqiptare” nëpër arat “serbe”, çka interpretohej nga makineria propaganduese si presion i shqiptarëve për pastrim etnik. Nën pretekstin e mbrojtjes së serbëve, kontrabandohet ideja e rikthimit të shtetit të përbashkët.

Dy dekada pas lufte, tashmë ka shumë arsye për të besuar se edhe momente tjera dramatike, dhe akte teroriste, të jenë inskenuaruar pikrisht për të krijuar një pretekst humanitar, për të ndërhyrë dhe rikthyer Kosovën në kuadër të Serbisë dhe në zonën ruse të interesit. Ngjarjet e 2004, supozohet të jenë kulmi i këtij aktiviteti, i penguar vetëm nga vendosmëria dhe rezenca e fuqishme e NATO-s në Kosovë.

A ka krizë humanitare në veri? Serbët , të motivur politikisht pranojnë vetëm furnizimet serbe, dhe refuzojnë të furnizohen nga pjesa tjetër e Kosovës, duke keqpërdorur kështu pretekstin humanitar, për të mbajtur Serbinë prezente politikisht, e më vonë sipas planit edhe ushtarakisht në Kosovë. Përderisa komuniteti serb, në Kosovë nuk ka hapur dialog të brendshëm për të ardhmen e tyre në Kosovë, ata do të vazhdojnë të mbeten peng të strukturave që krijojnë kriza, mbi motive të qena apo paqena humanitare dhe të ëndërrojnë këthimin në gjendjen e para vitit 1999 kur NATO e bombardoi Serbinë dhe hyri në Kosovë duke larguar ushtrinë, policinë dhe paramilitarët serb.

Diçka po zihet, thonë të informuarit dhe të shqetësuarit. Po kërkohet preteksti për të ndërhyrë dhe thyer status kuonë e pafavorshëm për Serbinë evro-aziatike dhe aleaten e saj të fuqishme, Rusinë, e cila kurrsesi të pajtohet se nuk është pjesë e menaxhimit të situatave të jashtëzakonshme, pavarësisht arsyeve apo strukturave që i kanë krijuar. Plani Vuçiç-Thaçi për ndryshimin, me pajtim të dyanshëm të kufirit Kosovë-Serbi, si duket ka ra përfundimisht ndërkohë që duket se vetëm lëvizja e kufijve ka potencial për me rrezikue gjithçka që u krijua 30 vitet e fundit..! Çka po zihet? Çfarë preteksti?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat