Zoti Rama, ose qeverisni ose ikni

Opinione

Zoti Rama, ose qeverisni ose ikni

Nga: Nezir Kraki Më: 1 korrik 2019 Në ora: 14:12
Nezir Kraki

Eshtë detyrë e qeverisë të gjejë rrugë pajtimi dhe zgjidhje për problemet shoqërore që prekin jetën e njerëzve. Kjo s'mund të kërkohet nga opozita apo nga shoqëria civile. Jo veç zgjidhja i krizave por edhe lindja e tyre është përgjegjësi e qeverisë. Krizat lindin nga qerverisja e keqe dhe nëse dalin jasht kontrollit dëshmojnë se shteti ka dështuar. Me fjalë tjera, kjo i bie se qeveria e ka humbur të drejtën e menaxhimit me fatin e qytetarëve, është qeveri jolegjitime.

Opozita mund të çmendet, lideri i saj poashtu mund të jetë i çmendur por ata nuk e kanë detyrë garantimin e rendit dhe kohezionit social sepse populli nuk i ka zgjedhur ata të merren me këto punë. Shteti dhe fati i njerëve menaxhohen nga ata që e kanë pushtetin. Menaxhimi i shtetit nuk është veç mbajtja e rendit me polici e ushtri. Eshtë mbajtja gjallë e shpresës tek ata që të drejtat e tyre natyrore ia kanë deleguar asaj që quhet shtet.

Pse nuk kërkoi presidenti Macron zgjidhje nga opozita franceze kur plasen lëvizjet sociale këtu para gjashtë muajve dhe kur një pjesë e opinionit konsideroi se legjitimiteti i qeverisë ishte zbehur? Ishte qeveria ajo që mendoi, analizoi dhe në fund propozoi opsione që shkonin në drejtim të hallit të qytetarëve. Qeveria franceze u tërhoq gati nga 100% e reformave që kishte parashikuar t'i bënde lidhur me transportin, karburantin, taksat etj... I rishikoi që të gjitha dhe pastaj u qetësua gjendja. Kjo ia riktheu qeverisë franceze legjitimitetin sepse veprimi i saj mundësoi gjetjen e zgjidhjeve për hallet e individit që ajo qeveris.

Tash a është në rregull që Edi Rama të kërkojë nga opozita dhe nga qytetarët rrugëdalje nga kriza dhe ta bëjë këtë me arrogancë e me megalomani sikur t'ishte Shqipëria Azerbajxhan? Për asnjë krizë nuk mundet dhe nuk duhet të kërkohet llogari nga ata që s'janë në menaxhim të shtetit. Sjellja e opozitës e angazhon veç opozitën. Sjellja e qeverisë e angazhon krejt shtetin dhe popullin sepse ajo prek secilin. Sjellja e kryeministrit është sjellja e shtetit. Arroganaca e tij është arroganca e shtetit ndaj qyetarëve.

Atëherë, nëse biem dakord rreth këtyre pikave, pa bërë politikë dhe pa asnjë anim, a mund të themi se Edi Rama dhe qeveria e tij janë sot legjitimë? A mund të themi se ai ka të drejtë t'i kërkojë Lulzim Bashës llogari për dËshtimin monumental të Shqipërisë si brenda si jasht ? 
Mendoj që jo.

Ose qeverisni ose ikni, këtu s'ka shumë alternativa filozofike apo artistike. Kjo që shohim sot mund të quhet gjithçka përveç qeverisje. Sot në Shqipëri (sikur në Kosovë) qeveria jeton përballë popullit. Shteti është dikush tjetër, populli dikush tjetër. Jetojnë në sisteme paralele. Populli në realitet të dhimbshëm, shteti në fiksion megaloman.

Zoti Rama, ose qeveriseni Shqipërinë, dmth gjeni zgjidhje dhe nxirreni popullin nga kjo humnerë ose ikni që nesër dhe zhdukuni nga skena. Ky spektakël është bërë i gërditshëm tashmë.

Tmerrsisht i zhgënjyer.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat