Jo ricopëtim të Kosovës sipas “dioptrisë politike” të trojkës Vuçiq-Thaçi-Rama! - Bota Sot
Jo ricopëtim të Kosovës sipas “dioptrisë politike” të trojkës Vuçiq-Thaçi-Rama!

Opinione

Jo ricopëtim të Kosovës sipas “dioptrisë politike” të trojkës Vuçiq-Thaçi-Rama!

Nga: Prof. Dr. Mehdi Hyseni Më: 3 korrik 2019 Në ora: 14:23
Prof. Dr. Mehdi Hyseni

-Jo konfrontim, as  kushtëzim e as diktat BE-së, sepse ne nuk jemi kurrfarë faktori me ndikim dhe me peshë politike evropiane e as botërore, pavarësisht  “krrokamave” kërcënuese dhe cinike të tandemit Thaçi-Rama se, nëse BE-ja nuk përshpejton procedurën e pranimit të Kosovës dhe Shqipërisë në radhët e saj, atëherë, kinse  këta do ta “bashkonin” Kosovën me Shqipërinë, pa  marrë dritën e gjelbër të BE-së dhe të Amerikës. Me gjithëkëtë, bashkimin e Kosovës me Shqipërinë e ndalon edhe Kushtetuta e Kosovës (15 qershor 2008), ku thuhet : “ 3.Republika  e  Kosovës  nuk  ka  pretendime  territoriale  ndaj asnjë  shteti  ose  pjese  të  ndonjë  shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti.” (Neni 1, Pika 3.).

Për zgjidhjen paqësore të problemit kolonial shqiptar në Ballkan, Qeveria e Shqipërisë, duhet t’u bëjë “lutje” BE-së dhe Amerikës !

Kjo, do të duhej të ishte urtia dhe vizioni  i objektivave parëse të strategjisë së politikës dhe të diplomacisë paqësore të pushtetarëve të qeverive të Kosovës dhe të Shqipërisë, jo kurrfarë kushtëzimi deklarativ dhe bombastik për ta “trembur” BE-në. Ky është fatalitet për shqiptarët në Ballkan nga i cili më së shumti, do të përfitonte politika kolonialiste dhe neokolonialiste e shteteve fqinje sllave, jo shqiptarët e as Shqipëria Etnike. Shqiptarët kanë nevojë të domosdoshme për BE-në, jo anasjelltas.

-Thjesht, për faktin se, po të kishin qenë Hashimi dhe Rama faktorë  politikë me peshë, Preshevën, Bujanocin, Medvegjën, Novi Pazarin, Malësinë e Madhe të Mbishkodrës, Iliridën dhe Çamërinë nuk do t’i kishin lënë në “baltën e gjallë” të kolonializimit sllav ballkanik (1878-2019). Mirëpo, këtë problem të nxehtë dhe të mprehtë gjithëkombëtar, fatkeqësisht, deri tani, Thaçi dhe Rama, as që kanë pasur guximin, që në rrugë zyrtare, t’ia shtrojnë për zgjidhje BE-së ose Amerikës.

Ky është problemi, jo BE-ja, në asnjë mënyrë nuk mban përgjegjësi për heshtjen  dhe “arkivizimin” e çështjes së pazgjidhur koloniale të shqiptarëve në Ballkan. Prandaj, Jo vetëm Hashim Thaçi dhe Edi  Rama, por nuk ka asnjë lider politik dhe fuqi politike ballkanike, që  do të mund ta frikësonte, ta kushtëzonte dhe ta vinte para aktit të kryer Bashkimin Europian (BE). Këtë hashimët dhe ramët, duhet ka kenë mbajtur parasysh.

Ndryshe, me deklaratat e tyre skandaloze boshe të  “inxhinieringut” politik të tyre për të vjelë sa më shumë vota prej popullit për pushtetin e tyre të pakufizuar despotik, autokratik dhe burokratik, rrezikojnë interesat  vitale kombëtare dhe shtetërore të shqiptarëve në Ballkan. Nëse Rama dhe Hashimi duan që, sa më parë të integrohen në BE, së pari, duhet  t’u ushtrojnë kërkesë  zyrtare BE-së dhe Amerikës për organizimin e një Konference a Kongresi Europian për zgjidhjen në mënyrë paqësore të problemit kolonial shqiptar në Ballkan. – Jo vardisja propagandistike, duam Evropë, pa përmbushjen e kushteve dhe të standardeve elementare të BE-së.

Këtë “fizkulturë” politike nuk e ha Evropa Perëndimore, sepse nuk është “Opozita” politike e Ramës e as  Hashim Thaçit. Kjo është ecuria metodologjike e konceptit realist politik për t’iu afruar dyerve të BE-së, sepse pa zgjidhjen e konflikteve territoriale me shtetet fqinje sllave ballkanike, BE-ja, nuk do ta pranojë në gjirin e saj, as Shqipërinë, as Kosovën ( shtetësia e së cilës ende nuk është përfunduar sipas së drejtës ndërkombëtare ngaqë statusi i saj ende është pezull në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara), as Serbinë, as Malin e Zi, as sllavomaqedoninë e as Bosnjë Hercegovinën. Këtë e provon edhe krijimi i Ballkanit Perëndimor, që është “rezervuar” për  këto shtete me probleme të pazgjidhura ndërkufitare territoriale.

Pra, për mos integrimin e deritashëm  të këtyre shteteve ballkanike në BE, nuk është fajtore BE-ja, por problemet e grumbulluara   dhe të pazgjidhura me shekuj mes këtyre vendeve të Ballkanit, të cilat janë në kolizion me parimet, me kriteret, me normat dhe me standardet e strategjisë integruese të Bashkimit Evropian (BE).

Tani, është momenti i fundit oportun, që  të  mendohet dhe të veprohet me mençuri kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht, duke e lutur BE-në dhe Amerikën për riaktualizimin e zgjidhjes koloniale shqiptare në Ballkan, në saje të organizimit urgjent të një Konference Evropiane Ndërkombëtare. Kjo, do të duhej të ishte detyra parësore politike dhe diplomatike, që do të duhej ta konkretizonin qeveritë e Shqipërisë dhe të Kosovës nën drejtimin e Hashim Thaçit dhe të Edi Ramës, jo “loja me fjalë” përmes intervistave dhe konferencave  të shtypit, gjoja, duke e “kushtëzuar”, ”frikësuar” dhe vë nën hipotekë BE-në për mospranimin e Shqipërisë dhe Kosovës në BE!?

Ky është vetëm një cirk politik për të  “rrahur ujë në havan”, që nuk është në interes as të Kosovës, as të Shqipërisë e as të shqiptarëve në Ballkan.

Përkundrazi, deklaratat e tilla të tandemit Thaçi-Rama, janë shumë të dëmshme dhe provokative, sepse janë vetëm propagandë boshe, pa kurrfarë konkretizimi dhe argumentimi për zgjidhjen e çështjes koloniale shqiptare në Ballkan. Shqipëria Etnike nuk është një humbëtirë gjeopolitike në Ballkan e as “hapësirë” fantazmë e presidentit  Hashim Thaçi. Shqipëria etnike nuk është nocion abstrakt, kjo ka emrin e përveçëm, historinë dhe identitetin e  vet të lashtë  shumëshekullorë sa vetë shqiptarët në Ballkan.

Prandaj,  presidenti i Kosovës  nuk ka asnjë arsye dhe interes, që të manipulojë dhe të taktizojë me sintagmën “Shqipëria Etnike”, sepse e përmendi apo jo, Serbia, Rusia dhe sllavët e Ballkanit dhe hedhurinat shqipfolëse të tyre , do të na akuzojnë për “Velika Albanija” derisa të Ribashkohet Shqipëria Etnike.  Jo vetëm presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, por, këtë, duhet ditur edhe  shtetarët dhe liderët e tjerë  politikë shqiptarë të Ballkanit, si dhe  të gjithë shqiptarët si brenda, ashtu edhe jashtë SHQIPËRISË ETNIKE, sepse kjo nuk është “HUMBËTIRË” e imagjinuar në hartën e Ballkanit, por është realitet i natyrshëm, i krijuar gjatë rrjedhave dhe proceseve historike të epokave dhe të shekujve nga vetë shqiptarët.

Prandaj, as Hashimi, as Rama e as të tjerët nuk kanë asnjë arsye, që të hezitojnë  e as të frikësohen, që në vend termave eufemistikë abstrakt dhe të përgjithshëm, të “shpikur” dhe të shpifur nga armiqtë shekullorë  sllavë ballkanikë  për t’ua mohuar të drejtën historike dhe të drejtën e vetëvendosjes së shqiptarëve mbi territoret e tyre indigjene të Shqipërisë etnike, ata po përdorin “armën” më të fuqishme politiko-propagandistike dhe diplomatike-“Shqipëria E Madhe” – “Velika Albanija” –“Greater Albania” – “La Grande Albanie”, “Velikaja Albanija”, etj.

Mirëpo, pavarësisht nga kjo shpifje shekullore  serbe (1844), që është projekt strategjik  për mbrojtjen e  Serbisë së Madhe, e cila është krijuar me copa të vjedhura dhe të ankesuara të territorit autokton shqiptar, që nga Kongresi i Berlinit (1878),  si politika, diplomacia, propaganda dhe shkenca mbarëshqiptare, pa asnjë hezitim, duhet ta hedhin poshtë tezën serbe “Velika Albanija” dhe, në vend të saj të përdorin ANTITEZËN-SHQIPËRIA ETNIKE mbase shqiptarët janë SOVRAN, jo ata, të cilët e kanë copëtuar dhe kolonizuar me agresion dhe me gjenocid disa shekuj më parë (XIX, XX). Shqiptarët duan rikthimin e territoreve  të SHQIPËRISË ETNIKE, JO kurrfarë  “Shqipërie të Madhe”!  Këtë të vërtetë,  liderët politikë shqiptarë, duhet t’ua thonë, jo vetëm armiqve borxhlinjtë shekullorë sllavë të Ballkanit, por edhe partnerëve tanë europerëndimorë dhe Amerikës.

– JO vetëm verbalisht, por edhe në rrugën zyrtare politike dhe diplomatike, duke kërkuar ribashkimin kombëtar shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike, sepse pa zgjidhjen e këtij problemi kolonial shekullor, shqiptarët janë të humbur, vërtet në disa “hapësira” koloniale sllave në Ballkan. Presidenti Thaçi dhe Kryeministri aktual  i Shqipërisë Edi Rama nuk duhet të kërkojnë  vetëm  “Ribashkimin e Kosovës me Shqipërinë”, sepse kjo është formulë gjysmake-sakat, që nuk  e zgjidh, por e lë të hapur problemin kolonial shqiptar në Ballkan. Ndaj, assesi, nuk guxojmë të luajmë vetëm në këtë letër, sepse këtë formulë të “Unionit Kosovë-Shqipëri”, do ta pranonin shtetet kolonialiste sllave ballkanike dhe Rusia për shkak se janë në dijeni, se nuk do të humbisnin asgjë, por vetëm një ish-koloni të Serbisë, e cila  nuk mund t’i rikthehet Serbisë (duke qenë se Kosovën deri tani e kanë njohur 114 shtete të Kombeve të Bashkuara së bashku me fuqitë e mëdha botërore, siç janë Amerika, Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Kanadaja etj.). Fundja, kërkesa për “Unionin Kosovë-Shqipëri” nuk paraqet kurrfarë rreziku  as për Ballkanin e as për Evropën, sepse, sipas së Drejtës Ndërkombëtare, është tërësisht e ligjshme.

Prandaj, pavarësisht nga brohoritja dhe nga  kërcënimet me parullën “Velika Albanija” të serbomëdhenjve dhe të kolonialistëve sllavë ballkanikë, ribashkimi i Kosovës me Shqipërinë, është çështje e marrëveshjes së Tiranës dhe  e Prishtinës, jo e Serbisë e as e shteteve të tjera fqinje ballkanike. Mirëpo, ky ribashkim Kosovë-Shqipëri nuk është në interesin e të gjithë shqiptarëve të kolonizuar në Ballkan, sepse me realizimin e tij, (edhe për 100 a 200 vjet të tjerë) 3 milionë shqiptarë, do të ngelnin sërish nën kthetrat e përgjakshme të sundimit kolonial  sllav në Ballkan. Me një fjalë, Unioni Kosovë-Shqipëri, do  t’i vinte “kapak” problemit kolonial të shqiptarëve të copëtuar në Ballkan.

Pra, duhet mbajtur parasysh faktin se vetëm Unioni Kosovë-Shqipëri, nuk është zgjidhje, as kurrfarë ribashkimi gjithëkombëtar, por vetëm një formulë e përkohshme kompromisi e fuqive të mëdha evropiane me Rusinë dhe me Serbinë. Në këtë pikëvështrim, duhet të “ llogarisim” politikisht dhe diplomatikisht se, as Evropa e as Amerika, nuk do të  merren vetëm me kufijtë  dhe me konfliktet e shteteve të Ballkanit, që, sa herë të duan ballkanasit, të mbahen konferenca apo kongrese të nivelit të lartë  evropian ndërkombëtar.

Mësimi thelbësor, që duhet të nxjerrim nga  historia e derisotme e hidhur dhe tragjike e copëtimit të Shqipërisë Etnike, është të mos kënaqemi me copa dhe, të mos nxjerrim mësime nga pësimet tona, sepse kombi shqiptar dhe Shqipëria Etnike nuk janë kurrfarë prone private e partive politike dhe e liderëve të tyre, që pa e pyetur popullin po bëjnë pazare për fatin e tij, duke e mashtruar dhe duke e lënë nën robërinë shekullore sllave kinse në emër të “patriotizmit kushtetues”, të  “integrimeve” dhe të  “reformave” ligjore, politike, ekonomike, demokratike dhe zhvillimore me  “përmbajtje moderne” të korrupsionit, të krimit të organizuar, të  “livadheve të kanabisit”, të mjerimit social dhe të mirëqenies, të shfrytëzimit, të varfërimit, të papunësisë dhe të eksodit sistematik, pa kurrfarë perspektive për shumicën dërrmuese të popullit! 

Për të gjitha këto probleme të mëdha të shoqërisë shqiptare, nuk është fajtore BE-ja, por “kushtëzuesit” e saj, Rama dhe Thaçi me  “sëmundjen” e tyre për pushtet absolut, nepotist dhe partiak.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...