“Të huajt dhe të vendit”!

Opinione

“Të huajt dhe të vendit”!

Nga: Lirim Begzati Më: 10 korrik 2019 Në ora: 11:56
Lirim Begzati

“Kënaqësia për me e vizituar vendin e origjinës, ambienti i tollovive të mëdha dhe i një komunikacioni të dendur, shprehja e elementeve apo shpenzimeve luksoze, manifestimi i një dinamike të jetës ku duket se vendi merr një pamje krejtësisht tjetër», janë këto disa nga gjërat që i dëgjojmë dhe i vërejmë shpesh, por edhe që e karakterizojnë një pjesë të imazhit të kohës së pushimeve, posaçërisht atyre verore, kur një numër i konsiderueshëm i bashkatdhetarëve tanë kthehen në vendlindje, në shtëpitë e tyre.

Nga viti në vitë, duket se «pasurohet», tepër e më tepër, fjalori i njerëzve «të vendit» dhe «të huajve», fjalorë ky i shprehjes së disa vizioneve tona, i adaptuar sipas kohërave dhe realiteteve tona, dhe që luhatet në mes të mirësisë dhe kënaqësisë, kritikave dhe revoltës, por edhe në mes të interpretimeve të ngjyrave të ndryshme dhe buzëqeshjeve e thashethemeve ndaj njëri tjetrit.

Përballë asaj që dëgjojmë, nuk mungon dominimi i shprehjeve “Mirë se vini mërgimtarë” dhe thënia sadopak më diskrete e shprehur posaçërisht me fjalët «Falë të huajve, në këto kohëra pushimesh, krijohet një tjetër gjallëri, duket se ekonomia lulëzon së paku përkohësisht».

Kësaj që u tha i shtohet faqja tjetër e «medaljes» e shprehur posaçërisht me fjalët «Këto të huajt na krijojnë tollovi, mundohen ti tregojnë pasuritë e tyre...!», si përbuzje kjo jo gjithmonë aq diskrete dhe jo domosdoshmërish pa vend, edhe pse këtu shtrihemi në horizontin e përgjithësimeve të tepruara!

Komentime të pafundëta! «I huaj në vendlindjen time, i huaj edhe jashtë», thotë njëri, e kurse tjetri replikon «Kur do të shkojnë më këto të huajt, se na lodhën»! Qofshin këto edhe thënie të një pakice apo anekdotike, ata ekzistojnë megjithatë, ata qarkullojnë, këtu e aty, qoftë përmes shprehjeve qoftë përmes ca ndjenjave të krijuara.

Një shembull domethënës dhe sa për ilustrim që shpesh tërheq disa kureshtje; me plotë arsye drejtohen nganjëherë vërejtje të llojit «O zotëri, pse e keni parkuar veturën aty ku është e ndaluar…Vallë, a do të mund ta bëni po të njëjtën gjë në Zvicër, Gjermani, etj..?».

Në realitet, vërejtje e qëlluar kjo, edhe pse mungon sadopak reflektimi objektiv i kohës dhe në përputhje me funksionimin e disa normave jetësore dhe rregullave në vendin tonë, ku duket se nuk janë të paktë ata që veprojnë kësisoj, ata «të vendit» dhe të «huajt». Një funksionim ky “universal” i njerëzve tanë!

Bie në pah fakti se kritikuesi harron nganjëherë se po të njëjtin veprim e ka bërë ndoshta edhe ai vetë apo nëse jo, atëherë nuk dyshohet se nuk do të vonohet shumë për me e bërë edhe ai po të njëjtin veprim. Kritikuesi i ditës së sotme shpesh shndërrohet pra në «aktor» i nesërm i aktit të tillë të papëlqyer. Këto janë realitetet tona, e jo vetëm të tjerëve!

Mbi të gjithat, ato « të vendit », por edhe ato « të huajt », apo ata të cilët shprehin një sensibilitet më të theksuar ndaj akteve dhe gjesteve që na pengojnë, i bashkon dëshira për luftimin e dukurive të papëlqyeshme apo të pahijshme që ndodhin para syve tona, në trojet tona! E kjo është ajo që i bashkon njerëzit tanë, që përfundimisht nuk dallojnë shumë nga njëri tjetri, nga të tjerët!

Ndodhin pra rivalitete të papëlqyera dhe të ç’veshura nga mirëkuptimi. Jepet edhe përshtypja se nuk tregohet gjithmonë mundi i duhur për me analizuar dhe vlerësuar sadopak më objektivisht disa realitete, që të kuptohet më mirë njëri tjetri.

Në qoftë se synohet t’iu jepet ndonjë përgjigje e kënaqshme disa pyetjeve mbi këto çështje, me siguri se shpejt do të hasnim në vështirësi të shumta për me gjetur ndonjë përgjigje që do t’i shkonte përshtati çdokujt.

Paralelisht me atë që na duket e papëlqyeshme, hasim fatmirësisht një dukuri që mbizotëron dhe që duket më e vyeshme se çdo gjë tjetër që u tha më lartë; shprehjet e kënaqësive së paku të dyfishta, të atyre që kthehen në vendlindjen e tyre, tek të afërmit e tyre, dhe të atyre që shprehin gjithashtu kënaqësinë për me i parë të afërmit e tyre që kthehen në shtëpitë e tyre.

Fundja, «këto të huajt, këto të vendit, e këto të tjerët…! », janë thënie të kota!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat