Nuk na i ka fajet bota, por koka! - Bota Sot
Nuk na i ka fajet bota, por koka!

Opinione

Nuk na i ka fajet bota, por koka!

Nga: Xhevat Mustafa Më: 11 korrik 2019 Në ora: 08:00
Xhevat Mustafa

Ne shqiptarët kemi plot arësye të moçme e të reja fringo të nervozohemi, të ankohemi dhe të protestojmë jo me dhjetra, por me qindra mijëra ndaj disa vendeve fqinj dhe ndërkombëtarëve më të largët, përfshirë edhe atë e bir, Xhorxh dhe Alex Soros, për gjëmat dhe tragjeditë biblike që na kanë shkaktuar në këta afro 150 vite.  Natyrisht, kur themi “Bota” duhet të bëjmë ndarjen e saj. Një pjesë kanë qenë dhe janë dashamirës, mbështetës dhe miq me ne si populli e si vend, na kanë dhënë pareshtur shanse e ndihmë, që paradoksalisht apo çmendurisht, i kemi “djegur” apo kotësuar  me duart tona. Në të kundërt me këta, një pjesë kanë qenë dhe janë armiq shekullorë, histerikë e të pangopur me kufoma, gjak e copa Shqipërie dhe Kosove.

Pjesa e mesit, ka të ngjarë që të mos ketë dëgjuar se ekzistojmë në rruzullin tokësor. Ose të ketë dëgjuar, sidomos pas 1990-tës, vetëm të këqiat, me të cilat e kemi çuditur botën, duke i bërë aq shumë gjëma vetvetes...Pra, një pjesë e madhe e fajeve dhe përgjegjësive për tragjeditë tona, sidomos në këta rreth 75 vjet, bie edhe mbi ne shqiptarët, në Shqipëri. Një pjesë e popullit, jo vetëm në fshat, me origjinë fshatare, por edhe të shkolluar në mes të qyteteve, prej 78 vitesh e majtë, është e pandryshueshme në bindje dhe votë. Kjo ndodh edhe pse është bërë e qartë plotësisht se edhe shumica e tyre janë viktima njësoj si qytetarët e paparti dhe ata të djathtë prej diktaturës enveriane dhe të keqqeverisjeve, si kohë më shumë nga ekipe të së majtës, rreth 62 vjet. Po tek koka jonë duhen kërkuar edhe fajet dhe përgjegjësitë që për 28 vjet nuk realizuam një proces të sinqertë e të vërtetë të kalimit nga gjasme socializmi në kapitalizmin modern, nga diktatura në demokraci, që i kemi djegur me duart tona shanset për të majtë e të djathtë të vërteta, për zhvillim modern, mirëqenie më të lartë, integrim më të përshpejtuar e më të denjë në BE. Tek ne, e majta, përgjithësisht dhe masivisht, nuk shpreh aftësi reflektimi dhe reagimi njerëzor, qytetar, demokratik...Për argumentim do t’i referohem një komenti në facebook, më 7 korrik, të një enveristo-rilindaseje nga qyteti i Vlorës. Ajo ndiehej krenare dhe mburrej se e donte dhe votonte Edi Ramën, “sepse e ka transformuar Vlorën në këta 6 vjet...”.

Nuk përjashtohet që ajo të jetë një nga përfitueset e pakta gjatë qeverisjes së tij. Por ajo “harron” ta kërkojë dhe shikojë “transformimin” përtej Lungomares dhe blloqeve të pallateve të reja, ndërtuar më së shumti me rreth 5 miliardë euro, që fitohen nga rreth 900 ton kanabis në vit prodhim vjetor në “Shqipërinë e rilindjes”, siç shkruhet edhe në gazetën prestigjioze zvicerane “Neu Zyrcher Zeitung” më 1 qershor 2019. “Harron” të shikojë dhe analizojë edhe brenda vetes dhe familjes së saj, edhe përtej, tek komshinj të afërt e të largët. Edhe më larg e më thellë, në qytete, qyteza dhe fshatra të largët, ku mbizotëron masivisht mjerimi migjenian, ai enverian i viteve 1945-1994, apo ai afrikan, koreanoverior, kubanez, venezuelian... Nëqoftëse  nuk do të ishte nën efektin e dozave të larta të partishmërisë dhe militantizmit majtas, nëse do të gjykonte me sytë dhe mendjen e vet dhe jo të “partisë dhe të kryetarit të zemrës”, do të tronditej nga një realitet krejt tjetër. Logjikisht dhe normalisht duhej ta vështronte jo me adhurim e dashuri, por me përbuzje dhe urrejtje Edi Ramën.

Arsyet apo argumentet për zhgënjim, reflektim dhe revoltim janë të shumta. Nuk mund të kundërshtohet se“transformimi” i bregdetit apo në zonën e Lungomares ka sjellë bukuri e kënaqësi për sytë e shqiptarëvë dhe të turistëve të huaj. Por, edhe nuk mund të “harrohet” se pllakat e saj u kanë kushtuar shumë shtrenjtë taksapaguesve të thjeshtë vlonjatë dhe nuk janë copa buke, djathi, mishi, sallamrash, çokollatash... për mijëra familjet me të ardhura të ulta, që nuk i zë gjumi nga uria e duke menduar për bukën e gojës...“Ky transformim viziv dhe emotiv” nuk është shoqëruar me transformime, rritje të ndjeshme, të dukshme, të prekshme në nivelin e pagave, pensioneve e të mbështetjes sociale, të jetesës në përgjithësi. Në të kundërt, gjatë këtyre 6 viteve të qeverisjes rilindase edhe në Vlorë, si në të gjithë Shqipërinë, janë rritur në shifra dhe nivele të frikshme e depresuese papunësia,varfëria, palarizimi në të ardhura e pasuri...Po kështu, janë rritur deri në dyfishim taksat, çmimet e artikujve të ushqimit, ujit,  ilaçeve, veshjeve dhe shërbimeve të përditshme juridiko-administrative, shëndetësore, jetësore (shumica  me cilësi të dyshimtë dhe fatura rrënuese), të biletave të avionëve, të paketave të internetit e telefonëve mobil, të televizioneve...Janë rritur lemerisshëm edhe korrupsioni, emigracioni, kriminaliteti, prostitucioni, dhuna në familje, divorcet, sëmundshmëria, vdekshmëria,  mpakja dhe mplakja e popullsisë...Si enveristo-rilindasja vlonjate, me nivel kaq të lartë të “verbërisë” partiake dhe politike, gjen me bollëk në të gjithë Shqipërinë.

Zhgënjimin nga Rama, sidomos në këto dy vite të mandatit të dytë qeverisës, kur duket dhe shprehet se ai është “tërbuar” nga bollëku i pushteteve dhe përfitimeve sheikore, disa të majtë e kanë të dukshëm e të ndjeshëm. Por, duke “harruar” se më së pari janë qytetarë e viktima, nuk e shprehin masivisht dhe ndërgjegjshmërisht në kutitë e votimit dhe në sheshe protestash me kërkesat qytetare: " Edi Rama, qeveris shumë më mirë, me vepra e jo me premtime që i harron po atë ditë; qeveris më ndershmërisht; kujtohu se po jetojmë me mangësi dhe sakrifica të mëdha... Nëse nuk di të qeverisësh ndryshe, ik dhe lerja vendin një më të afti, më të ndershmi, më njerëzori e më shqiptari, nga e majta, shoqëria civile, pse jo, edhe nga Diaspora!" Por, edhe më 30 qershor, pa mohuar firon e ndjeshme, u shpreh se “e majta rilindase”, edhe pse ka jetuar si veshka mes dhjamit edhe gjatë 13 vjetëve të qeverisjeve të Berishës, është konservatore, individualiste, egoiste, cinike deri në " harrimin" e vetvetes, të familjeve, të interesit të përgjithshëm si vend e si popull dhe duke i varrosur për së gjalli shanset për rrotacion të efektshëm politik dhe qeverisës. Shumë të majtë duket se kanë si parim:” a jemi në punë, me pagë e pension të mirë unë, gruaja, fëmijët, nuset e tyre, nipërit, mbesat?

A po jetojmë mirë ne si familje? Për të tjerët përreth, që vuajnë, nuk dua t'ia di fare e nuk më vjen aspak keq”.  Sipas meje kjo bindje dhe ky mentalitet është në dobi vetëm të tufës së politikanëve dhe qeveritarëve, për t'u pasuruar më shumë nga mbështetja e qytetarëve që kërkojnë kaq pak e mendojnë kaq ngushtë.. Më e keqja rritet, kur paradoksalisht, pa menduar për të mirën e vet individuale dhe familjare, kur u thua se PKSH, PPSH, PSSH ka 78 vjet që ju mashtron, shfrytëzon, persekuton, vjedh, eksperimenton dhe dështon..., plot “të majtë fanatikë”tregohen kokëfortë, arrogantë, sfidues, fyes, kërcënues....Përballë një realiteti të tillë mund të mendohet edhe se na ka ndëshkuar fati të jemi pjesë apo bij të një populli, që edhe pse ka nevojë për t'i hapur sytë dhe mendjen, nuk i pranon këshillat dashamirëse e të sinqerta të bijve të vet, duke i fyer me shurdhëri, me fjalor rrugësh, me insinuata banale.

Në mënyrë figurative, kjo mund të krahasohet edhe me një të verbër nga dy sytë, që nuk pranon t'i dhurosh një sy, sepse dëshiron të dëgjojë vetëm përrallat dhe mashtrimet e "partisë dhe të kryetarit të zemrës"..Në vend që të ndiejnë dhe shprehin mirënjohje e respekt, kundërsulmojnë duke të vënë në dyshim sinqeritetin e angazhimit, duke sajuar apo duke u furnizuar  nga “shefat” e vjetër e të rinj edhe me “përralla me dosje e spiunë”, duke të mohuar lirinë dhe të drejtën e reflektimit, të bindjes dhe të pozicionimit në “mesin e artë”, si jo partiakë e si të pavarur. Nëqoftëse Sali Berisha nuk do të kishte bërë gabimin historik dhe do të kishte marrë vendimin historik për hajen e dosjeve për periudhën e diktaturës komuniste do të dilte sheshit se plot nga këta militantë histerikë dhe agresivë të së “majtës”, prej 6 vitesh me maskën e “Rilindjes”, vesin, zanatin, të keqen, njollat e gjakut e të lotëve të plot nënave, grave dhe fëmijve në duart e veta, apo “kopilin” e vet,  përpiqen t’ua lënë në derë apo t’iu ngjisin në kurriz të tjerëve, të ndershmëve, të të papërlyerve, të të painkriminuarve. Kuptohet lehtë se kanë marrë urdhëra e këshilla nga lart fare që të jenë të palodhur për persekutimin shumëformësh, pa përjashtuar edhe kërcënimet e rënda individuale e familjare ndaj këtyre intelektualëve kurajozë dhe sakrifikues me vetëdije.

“Krimi”, faji apo mëkati i tyre është se po i prishin shumë plane dhe punë Edi Ramës me shokë e shoqe; po ua heqin një e nga një “petat e byreqeve” të gatuar me “miell kanabisi, heroine, kokaine” dhe me gjak e lotë nënash shqiptare; po u thonë shqiptarëve dhe botës të vërteta tejet diskretituese për “qeverisjen rilindase”. Merret me mend se duke trembur dhe gojëkyçur “rebelët antirilindas” mbillen dhe përhapen masivisht në popull sy, gojë e veshmbyllja, frika, paniku, indiferentizmi, konformizmi...Shprehur edhe më shqip: heshtja dhe nënshtrimi i plotë dhe kohëgjatë ndaj të keqes me emrin dhe maskën”rilindje” apo “Edi Rama”, sot për sot si kryeministër, nesër, largqoftë, si Enveri, Putini, Erdogani, Kim Jongu... Rreth 85% e qytetarëve që i bojkotuan palozgjedhjet e 30 qershorit 2019 shprehën edhe vetëm me këtë akt se të duash, mbështesësh, votosh Edi Ramën dhe tufën e politikanëve dhe qeveritarëve që i rrinë përreth, është jo vetëm majtizëm i verbër, naivitet, marrëzi, vetësakrifikim, vetëturpërim...Mbështetja e Edi Ramës me shokë e shoqe, pas një vargu të gjatë dështimesh, skandalesh, turpesh, diskretitimesh, shifrash dhe faktesh që dëshmojnë qartësisht rritje të nëpërkëmbjes së Kushtetutës e të shtetit ligjor, të  autokratizmit apo diktatorizimit..., mbart dhe shpreh hapur edhe vetinkriminim dhe bashkëpunim me ata, për ta çuar vendin edhe në ditë më të vështira, drejt një kolapsi të plotë ekonomik, social, institucional, largqoftë drejt një 97-te të dytë, e cila do të ishte fatale për Shqipërinë dhe Kosovën dhe për ëndërrën tonë të bashkimit kombëtar.Tani për tani mund të mendohet se vetëm ZOTI në qiell mund të na ndihmojë për të na e sjellë më shpejt  ditën që të çlirohemi nga “prangat e politizimit dhe të partishmërisë së verbër”, jo në duar, por në tru e kokë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...