Kur spiunia e KGB-së shitej për një orë dore!

Opinione

Kur spiunia e KGB-së shitej për një orë dore!

Nga: Gani Mehmetaj Më: 12 korrik 2019 Në ora: 08:35
Ilustrim

Në Moskë ishte ndryshe. Na priste fytyra e re e Gorbaçovit dhe Mauzoleu i Leninit që dikur e lau në gjak Rusinë. Askush nuk e përmendte Çernobilin as nuk fliste për Kievin. Duke e lënë prapa Ukrainën e lamë edhe kujtimin për një avari që na shqetësoi dhe desh na e prishi udhëtimin pesëmbëdhjetë ditor nëpër Bashkimin Sovjetik. Nuk prisnim mrekulli. Gorbaçovi liderë i ri sovjetik me një si glasë në ballë, ishte shpresa e Perëndimit me Perestrojken e tij, por nuk ishte shpresa jonë. Nuk kishte shumë kohë që e mori pushtetin në një shtet të varfër me shtetas të alkoolizuar. Ne donim ta shihnim edhe sajesën e Leninit e të Stalinit që e kishin tmerruar botën me krime e me Gulagun. Hrushqovi me pamje muzhiku nuk futej asgjëkund. Ndërkaq, Brezhnjevi, miku i madh i Josip Broz Titos, që dikur shëtisnin me jaht nëpër liqenin e Bajkallit, ende ishte në kujtesën tonë. Shtetet e tyre po e merrnin rrokullimën. Por asnjëri nga dy liderët sllavë nuk ishin në këtë botë, mund t'ia qanin hallin njëri-tjetrit në botën e përtejme, megjithëse që të dy ishin ateistë.

Ajo që me ra në sy që në fillim ishte ndalimi i alkoolit. E dinim se rusët e pinin alkoolin si shushunja, mirëpo nuk vërejtëm ndonjë efekt të asaj ndalese, të përgjumur e të dehur ishin tërë kohën. Vendësit nuk kishin  të drejtë të blinin alkool, në shitoret për të huaj çmimet e rakisë ishin të pakapshme. Kur e këmbeje markën gjermane me rublën ruse në tregun e zi jo vetëm që mund ta mbyllnim restorantin me llambadarë të aristokracisë ruse, por kamerierët na shërbenin me dorëza të bardha shampanjë e kaviar. Për herë të parë shumica prej nesh e shijonim kaviarin dhe shërbimin në një sallon të mrekullueshëm. por ishim të vetmit. Ndonjë suedez i humbur në shoqëri me dy biondina ruse na përshëndeste nga fundi i sallonit.  

Hoteli i madh "Rossia", ku u vendosëm, i ngjante hotelit "Jugoslavia" të Beogradit, apo më saktë hoteli "Jugoslavia", ku kisha ndenjur shumë herë pashë qe ishte ndërtuar sipas modelit rus. Natyrisht hoteli jugosllavë ishte më i vogël. Vetëm kur e shikova kryeqytetin sovjetik nga hotel "Rossia" pashë sa i ngjante Beogradi i Ri!

Morali për të cilin flisnin sovjetikët kishte rënë në trotuare e në kthina të pista, ku femrat e të gjitha moshave u jepeshin të huajve për një grusht çamçakëzësh, një palë çorape grash, apo ato më të shtrenjtat për një orë digjitale dore që në Prishtinë shiteshin në tregun e zarzavateve. Njëri prej shqiptarëve tanë na tregoi se mbrëmë bleu me një orë digjitale hiret e spiunes së KGB-së që na shoqëronte gjatë ekskursionit. Njëri serb reagoi me nervoz, meqë kolegu ynë na tha serbisht para të gjithëve. Disa serbë ishin të shushatur nga zhgënjimi me gjendjen e nënës Rusi. Nuk flisnin fare si t'u kishte rënë damllaja.   

Në Moskë në tregun e zi shitej e blihej çdo gjë, ndërsa në shitore ku s'kishte gati asgjë, radhët nuk e di pse bëheshin të gjata pambarim. Madje edhe qumështi qarkullonte në një cisternë të vjetër uji, ku shkruante "Moloko".  Duke e krahasuar me gjuhën serbe, ku qumështit i thoshin "mleko", hamendësoja se është fjala për cisternën e qumështit.        

Rusët kishin arritur shkallë të tillë të alkoolizimit saqë qeveria sovjetike e ndaloi rakinë. Por raki kontrabandë kishte kudo, kishte edhe konjak gjeorgjian nëpër shitore, por i pakapshëm për vendësit.

Në korridoret e secilit kat të hotelit "Rossia" vrojtonte nga një grua e majmur, babushka. Ajo  ndiqte çdo lëvizje tonën. Por biondinat moskovite që përvidheshin korridoreve, ua kishin mësuar huqet, ose u thoshin partnerëve të tyre t'ua linin nga një dhuratë : një palë çorape grash a një grusht çamçakëzësh. Futja e tillë hajdutçe ta irritonte qëndrimin.     

Me të vetmit "sovjetikë" që i njoha nga afër dhe bisedova ishin grupi i studentëve e studenteve nga Gjeorgjia. Kishin ardhur në një spartakiadë, sikurse i quanin garat federale, rrinin vetëm me grupin e tyre pa u përzierë me rusë. Mu duken si shqiptarët e Kosovës kur shkonin ne Beograd, që nuk shoqëroheshin me askënd. Ndërkaq, sa herë dilte kryeministri sovjetik Eduard Shervernadze në televizor, studentët i brohorisnin dhe me tregonin se ai është i tyre, gjeorgjian. Pastaj nisnin e na i numëronin njerëzit e suksesshëm gjeorgjianë në Bashkimin Sovjetik.  Edhe këtyre të rinjve u mjaftonte vetja. sikurse neve kur qëndronim në Serbi.   

Bolshoi teatri, ndërtesa e Mosfilmit dhe disa institucione tjera me emër kumbues me joshnin në mënyrë të veçantë. Me Bolshoj teatrin u zhgënjeva me godinën, me portierin që rrinte të dera si hu gardhi dhe vazhdimisht thoshte "njet", çkado që e pyesnim. Me dëshpëruan fytyrat e lodhura, të zymta e të ftohta që i ndeshëm kur u futem nëpër korridore. Bolshoj Teatrin më shumë e kisha në kokë nga leximet se sa nga ajo që me shpalohej para. Në Mosfilm nuk arrita të futesha, sepse pos meje askush nuk donte t'ia dinte, nuk mbanin në mend çfarë ka prodhuar kjo shtëpi filmike, meqë në kinematë tona nuk shfaqeshin filmat sovjetik, ndërsa në televizor pakkush kishte durim t'i shihte.

Vizita në Mauzoleun e Leninit ishte diçka që rrallë shihet. Rreshta të gjatë, të pafund prisnin me durim, vendas, por edhe të huaj, kureshtarë, grupe marksiste-leniniste, disa roje që e mbanin rendin, nuk me kujtohet me saktësi ishin me uniformë ushtarësh a milicësh sovjetik. Derisa prisnim, talleshim me këto pritje, sepse të rusët hasëm rreshta të gjatë kudo. Para se të futesha në gjysmë errësirën e mauzoleut asnjëherë nuk kisha parë fytyra të balsamosura. Faraonët e Egjiptit ishin ndryshe, nuk jam i sigurt nëse u shquheshin sytë, ndërsa trupi e fytyra kurrsesi. Paraqitja e bëftë e një fytyre të mbufatur, koka e vogël e shogët, me lëkurë të zbehtë të atij që duhej të qe Lenini prapa qelqeve të sarkofagut, me nxori nga binarët e normalitetit. Nuk do të doja të shihja askënd në këtë pamje, mu duk diçka neveritëse. Nuk prisja që ta shihja të tillë, nuk besoja se do të me godiste pamja e njeriut të balsamosur. Nuk e di të popujt e tjerë të lindjes, por e di që egjiptianët e vjetër i balsamosnin kufomat e perandorëve, i fusnin në labirintet e piramidave, mirëpo e di që nuk i ekspozonin. Ndërkaq, ky ekspozim ishte denigrues që ta nxirrte qejfit edhe sikur të kishe simpati ndaj tij. Lenini mu duk si një kukull e mbufatur, prapa qelqeve të sarkofagut, nuk ishte as hija e njeriut që e përgjaku Rusinë si asnjë perandor a satrap tjetër. Ai ishte për mëshirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat