Kujdes nga ligji i ri zviceran për të huaj…, por pa nevojë paniku!

Opinione

Kujdes nga ligji i ri zviceran për të huaj…, por pa nevojë paniku!

Nga: Lirim Begzati Më: 13 korrik 2019 Në ora: 13:35
Lirim Begzati

“Aplikohet ndaj shtetasve të huaj, apo ndaj personave, statusi juridik i të cilëve nuk është i rregulluar sipas dispozitave të tjera të së drejtës federale ose përmes traktateve ndërkombëtare të lidhura nga Zvicra”, thuhet në mes tjerash në hyrje të ligjit të ri zviceran për të huaj dhe integrim. Në definimin përkatës përfshihen pra edhe njerëzit tanë që nuk e posedojnë pasaportën evropiane apo atë zvicerane.

Pse flasim për ashpërsime të reja ligjore?

Kushte të reja për fitimin apo vazhdimin e lejes së qëndrimit, për realizimin e të drejtës për bashkim familjar, por edhe për humbjen e statusit të qëndrimit, një ridefinim i domethënies së integrimit në shoqëri, një përkushtim i veçantë ndaj njohjeve gjuhësore, janë disa këto nga karakteristikat kryesore të ligjit të ri.

Në të kaluarën, ka qenë e ditur gati se për të gjithë ne se, për shembull, varshmëria e gjatë apo e vazhdueshme nga ndihmat sociale të shtetit, figurimi në regjistrin e të dënuarve, kanë qenë ndër kriteret kryesorë të cilat kanë ndikuar në realizmin apo në humbjen e një të drejte që lidhet me statusin e qëndrimit në Zvicër.

Mirëpo, tani risia është se gjendemi përball sfidave të reja të “integrimit” në këtë shoqëri të pranimit. Jo vetëm se rregullat e mëparshme mbi statusin e qëndrimit mbeten ende në fuqi, por ata kanë kaluar në një shkallë tjetër vlerësimi, duke u ashpëruar dukshëm e më tepër.

Në kuadër të shqyrtimit të një kërkese (për shembull, për vazhdimin e lejes së qëndrimit, bashkimin familjar, etj.), ligji i ri parashikon një sërë masash plotësuese të cilat synojnë posaçërisht një mbikëqyrje dhe një verifikim gati se “milimetrik” të rasteve të cilat janë objekt shqyrtimi.

Kushtet për transformimin e lejes së qëndrimit B në C janë vështirësuar, kurse ato për humbjen lejes C janë lehtësuar (në emër të rregullës së “mosplotësimit të kushteve të integrimit”). Kjo leje nuk është më e paprekshme, ashtu siç konsiderohej në të kaluarën! Një varshmëri e gjatë (dhe e paarsyeshme!) nga ndihmat sociale mund të çojnë deri te humbja e saj! Pengesa të ngjashme hasim në realizmin e të drejtës për bashkim familjar.

Për vazhdimin apo transformimin e lejes së qëndrimit, autoritetet vendimmarrëse kanë të drejtë të marrin informata të ndryshme, sidomos nga disa shërbime tjera “specifike” shtetërore, siç janë institucionet që veprojnë në fushën e pagesave të shërbimeve shtesë,  institucionet shkollore dhe organet që merren me tutorinë dhe kujdestarinë. Nuk është kjo një listë gjithëpërfshirëse.

Me fjalë të tjera, interesimi përqendrohet në atë që të dihet më mirë, se kandidati a merr ndihma shtesë nga shërbimet e shtetit (për shembull, atyre që nuk iu mjaftojnë të ardhurat e pensionit), se çfarë dosje kanë në shkollë fëmijët e tyre (për shembull, a janë shqiptuar masa disiplinore ndaj tyre, etj.), por edhe çfarë telashesh paraqiten tek institucionet që përkujdesen për mbrojtjen e fëmijëve dhe personave madhorë (për shembull, fëmijët e familjeve të vënë nën kujdestari, etj).

Shkohet edhe më larg; kërkohen nganjëherë edhe informata për me e ditur edhe atë se kandidati a ka nevoja të veçanta për integrim. Një çështje kjo që i takon sferës jo aq të kuptueshme, që mbetet ende e pa qartësuar, dhe nuk dihet aspak se a do të kuptohet një ditë domethënia e saj reale!

Një ridefinim i integrimit!

Respektimi i sigurisë dhe i rendit publik, respektimi i vlerave të Kushtetutës, niveli i kompetencave gjuhësore dhe pjesëmarrja në jetën ekonomike apo fitimi i një përgatitje profesionale (apo shkollimi), janë këto shtyllat apo komponentët kryesore të cilat e definojnë integrimin sipas ligjit të ri.

Edhe pse duket se ekziston një definim i kuptimit të tij, faktorët të cilët shërbejnë për me e matur shkallën e integrimit nuk janë të një qartësie për më ia pasur lakmi! Vallë si do ta definonim atëherë shkallën e integrimit në shoqëri të bartësit të pasaportës zvicerane apo evropiane, i cili, bile as për së afërmi, nuk i plotëson shumicën e kritereve ligjore të përmendura?! Specialistët e këtyre pyetjeve të “integrimit” duket se iu frikësohen përgjigjeve pragmatike!

Kritikat ndaj ligjit

Nga qarqet e kritikuesve të ligjit të ri, dëgjojmë më tepër analizat se ky ligj simbolizon më tepër një instrument masash, ai është i fokusuar para së gjithash në detyrimet e të huajve, e jo aq sa duhet në detyrimin e njëfarë “reciprociteti zotimesh” (nga të huajt dhe të vendit).

Përveç kësaj, konsiderohet se ky ligj hapë një fushë rreziku për vendime arbitrare, krijon një pasiguri juridike, ku disa misione shtetërore e marrin ngjyrën e akteve “hetimore” apo anketuese, futen ndoshta më tepër se sa duhet në jetën private të disa njerëzve!

Ekziston gjithashtu frika nga ajo se, marrë parasysh dallimet e mëdha që ekzistojnë në mes të kantoneve zvicerane, paraqitet rreziku i një interpretimi të dëmshëm të ligjit në planin e aplikimit të tij praktik. Vështirë pra të synohet njëfarë uniformiteti i zbatimit të tij në tërë territorin shtetëror zviceran!  

U tha se, një theks të veçantë, aty i kushtohet nivelit të njohjeve gjuhësore. Jo vetëm se kërkohet një shkallë e caktuar, por kësaj çështje i jepet gati se epiteti i një sinonimi për integrim në shoqëri. Një aspekt ky që iu nënshtrohet gjithashtu kritikave nga më ndryshmet! Praktika na tregon qartazi se më të integruarit në shoqëri nuk janë gjithmonë ata që kanë më tepër prirje gjuhësore!

Edhe një instrument i parashikuar në ligj i quajtur “Marrëveshja për integrim” nuk është i kursyer nga pakënaqësitë e disa rrjeteve. Ai iu lejon kantoneve që në praktikat e tyre të parashikojnë lidhjen e një marrëveshje në mes të kandidatit të huaj (për shembull, depozituesi i kërkesës për vazhdimin e lejes) dhe një institucion shtetëror (që merret me çështje të të huajve), ku do të përfshiheshin ca rregulla integrimi të cilat kandidati do të zotohet se do ti respektoj apo do ti përmbushi kushtet e kërkuara brenda afateve të caktuara! Definimi i instrumentit të tillë duket se nuk është i një qartësie të duhur.

Në këndvështrimin juridik, edhe përcjellja e disa informatave (që i cekëm më lartë) tek institucionet e tjera (shërbimet për të huaj) është problematike, nëse iu referohemi rregullave që kanë të bëjnë me parimin e respektimit të sferës private e familjare, sipas nenit 8 të Konventës evropiane për të drejta e njeriut. E ardhmja do të na tregoi se a do të kalojnë pa telashe ca rregulla aq të lakmueshme për disa autorë të ligjit! 

Konkludim

E gjithë kjo çka u tha mbi zbatueshmërinë e këtij ligji, vlen të theksohet ajo se ai nuk i prek, së paku drejtpërdrejt, personat tjerë të huaj që vijnë në Zvicër me pasaportat e tyre nga shtetet evropiane.

Ta përfundojmë me një shembull konkret; në aspektin e statusit juridik në shoqërinë zvicerane, një bashkatdhetari ynë që posedon lejen e qëndrimit C dhe punon në Zvicër me dekada të tëra, ka më pak të drejta se sa një person shtetas italian apo që e posedon pasaportën italiane dhe punon në Zvicër që prej vetëm disa javësh.

Sidoqoftë, dhe marrë parasysh natyrën kritike të disa vlerësimeve të shprehura në këtë tekst, mos ta harrojmë rregullën e pacenueshme në demokracinë zvicerane e cila kërkon që, pa rezervë, ta respektojmë ligjin, qoftë ai edhe i një shije që neve nuk na shkon nganjëherë përshtati!

Mirëpo, kemi edhe të drejtën që aplikueshmërisë së ligjit të tillë mos i dëshirojmë një rrugëtim të gjatë (për sa i përket vlerës së tij kohore për vendet tona ballkanike), pasi që perspektivat e hyrjes në familjen evropiane, do ta shkurtojnë edhe perspektivën e vlefshmërisë së ligjit të tillë për vendet përkatëse! Çfarë vlera shumëdimensionale bartin pra nevojat e avancimit të reformave dhe proceseve zhvillimore në trojet tona!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat