Ikja e të rinjve nga Kosova! Kush e ka fajin!?

Opinione

Ikja e të rinjve nga Kosova! Kush e ka fajin!?

Nga: Sali O. Kabashi Më: 14 korrik 2019 Në ora: 14:01
Sali O. Kabashi

Në një sistem demokratik, të fajësohet pushteti për bëmat e tij dhjetëra vjeçare, është gabim shumë i madh! Pushteti, është në dorën e popullit dhe ai vendosë për të ardhmen e tij dhe të vdendit.

Largimi apo ikja e kosovarëve nga vendi, është një gjë shumë shqetësuese për shtetin tonë, por nuk mund të themi se është shqetësuese për pushtetin! Sipas shifrave jo-zyrtare, thuhet se rreth 200.000 kosovarë janë duke pritur përgjigje për vizë pune vetëm nga Ambasada e Gjermanisë! Eksode të tilla kishte edhe në të kaluarën, kur kosovarët iknin nga vendi për shkak të kushteve ekstreme dhe përndjekjeve nga pushteti diktatorial serb. Por sot, ato po ndodhin në liri dhe demokraci!

Të gjithë mund ta fajësojnë pushtetin, e që pajtohem, sepse pushteti i keq e solli këtë gjendje socio-ekonomike që jemi sot!

Por lind pyetja: Kush e solli pushtetin!?

A e solli diktatura! A e solli faktori ndërkombëtarë! Apo e solli vota e popullit (vota e atyre që po largohen nga vendi)!

Sikur të qeveriseshim nga një sistem monist, apo monarki, pa dyshim se faji do të ishte i diktatorit apo pushtetit të udhëhequr nga prijësi, sepse zakonisht, në sisteme të tilla, populli nuk pyetet për asgjë, çdo gjë është në "dorën" e liderit.

Për çështjen e sistemit të qeverisjes në Kosovë dhe impaktin që mund ta ketë populli, ka folë edhe Ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell.

Ai në bashkëbisedimin e tij virtual me qytetarët e Kosovës në Facebook, ka pranuar ankesa nga qytetarë për politikanët e Kosovës. Një komentues ndër të tjera e pyet: "..na thuani ju lutem nese ka shpres per nderhyrje serioze nderkombetare per neutralizimin e ketij rrjeti (të korruptuarish - S.K.) dhe sjelljen e tyre para drejtesis?"

Ndërsa përgjigja e Ambasadorit britanik, ishte:

"Jo, mos keni shprese hic, asnje pike shprese, per nderhyrje nderkombetare. Kosova eshte shtet i pavarur. Nuk ka rast ne bote qe jane rregullu problemet e nje vendi, te krimit te organizuar dhe korrupsionit, duke i pritur te huajt me ardhe. Askush nuk ka me ta ndreqe shtepine, duhesh me bo vete. Bone vete. Por, ne do te vazhdojme te kerkojme permiresime, sepse krimi i organizuar ne Kosove na demton neve dhe nuk e pranojme me. Dhe nese ka vullnet politik per te ndryshuar sendet, qofte nga qeveria qofte nga nje qeveri tjeter, ne do te jemi prane politikaneve qe me te vertete deshirojne te luftojne krimin dhe korrupsionin."

Ai u përgjigje edhe në një pyetje tjetër tejet me rëndësi, ku komentuesi pyet: "Deri kur me këta politikanë kështu, kur ka me u pastru kjo Qeveri?" Ndërkaq, O’Connell është përgjigjur:

"Nese nuk ju pelqejne politikanet tuaj votoni dikend tjeter, kjo eshte Demokracia, dhe kjo mendoj eshte shume e thjeshte."

Atëherë, siç po shihet edhe ndërkombëtarët po na "trokasin" në mendjet tona, se kush e ka në dorë situatën! Ne jetojmë në një sistem demokratik, mund ta zgjedhim vetë udhëheqjen e shtetit tonë, e kemi të drejtën e votës së lirë!

Çfarë po bëjmë ne!? Po e votojmë një pushtet të korruptuar dhe të pashkolluar, pastaj marrim valixhet dhe ikim nga Kosova duke thënë: "Nuk jetohet në këtë vend i cili udhëhiqet nga të pashkolluarit dhe të korruptuarit"!

Përderisa jemi tek sistemi demokratik dhe zgjedhja e pushtetit nga populli, vlen të përmendet se shumë nga votuesit, votimin apo zgjedhjen e një lideri, udhëheqësi apo partie politike, e shohin si interes personal, e jo interes shoqërorë dhe të vendit në përgjithësi! Në shumë raste shitet vota për 20-30€, jepet vota për një grand, apo ndonjë favor tjetër i cili bënë që të jetë në fuqi një udhëheqje e korruptuar dhe e padrejtë!

Sipas këtyre që u thanë, kosovarët po ikin nga vendi për shkak të bëmave të tyre!

Nëse ne e duam ndryshimin e gjendjes tonë personale, në rregull, mund të ikim nga vendi jonë dhe ta rregullojmë jetën në vendet e huaja! Por, nëse duam ta ndryshojmë jetën në vendin tonë, atëherë duhet ta ndryshojmë mënyrën e të menduarit dhe të perceptuarit të çështjeve që na takojnë.

Duhet ta mësojmë se çka donë të thotë në të vërtetë Demokraci! Duhet ta kuptojmë se sistemi demokratik pushtetin ia jep popullit në duart e tij! Ta kuptojmë, se vota jonë, është fuqia që na jep demokracia, është mendimi jonë i pavarur! Mos ta lejojmë të nëpërkëmbët.

Mos të ikim nga vendi, gjendjen e të cilit mund ta ndryshojmë dhe e kemi fuqinë që ta bëjmë një gjë të tillë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat