Jemi për shoqëri të hapur

Opinione

Jemi për shoqëri të hapur

Nga: Zana Beqiri Më: 14 korrik 2019 Në ora: 17:09
Zana Beqiri

Një shoqëri e hapur nënkupton në thelbin e saj një shoqëri demokratike. Demokracia përfaqëson vetëqeverisjen e organizuar të qytetarëve, zakonisht në sisteme të ndryshme parlamentare. Kështu që, vetë shoqëria e hapur nënkupton qeverisjen e qytetarëve me vetë shtetin duke respektuar liritë dhe të drejtat e secilit individ dhe të çdo komuniteti. Shoqërinë e hapur mund që ta shikojmë si një sistem vlerash shoqërore ku promovohet individualizmi dhe të drejtat e individit, e jo një shoqëri fisnore ku dominon kolektivi dhe shumica.

Vetëm një sistem demokratik që si elemente kryesore i ka vlerat e shoqërisë së hapur mund që të arrij një demokraci të plotë, nënkuptohet permes vetë proceseve demokratike dhe jo përmes revolucioneve, luftërave ose grusht shtetit, edhe pse në sisteme totalitare dhe opresive këto kategoritë e përmendura mund të jenë të domosdoshme për fillimin e ndërtimit të një sistemi të ri demokratik që do të promovojë një shoqëri të hapur. Ideja për një shoqëri të hapur rrjedh prej kohës antike, më saktë prej Greqisë së lashtë, duke filluar prej Perikliut dhe demokracisë së Athinës.

Kjo ide nuk është shuar në botën antike, por ka vazhduar të ekzistojë në gjitha kohërat që vijojnë pas saj në forma të ndryshme, në vende të ndryshme të botës, si dhe në sisteme të ndryshme politike. Filozofi britaniko-austriak Karl Poper është një prej ideologëve bashkëkohor që e ringjall këtë ide për një shoqëri të hapur me një vullnet më të madh gjatë shekullit XX. Karl Poper ka shkruar një libër gjatë Luftëssë Dytë Botërore me titull “Shoqëria e hapur dhe armiqtë e saj” – libër në të cilin ai ashpër kritikon sistemet totalitare dhe i del në mbrojtje një shoqërie të hapur, demokratike dhe liberale. Në këtë vepër Poper ka kritikuar ashpër edhe idetë e Platonit, Hegelit dhe Marksit – të cilët ai i llogarit si totalitar.

Promovuesi më i madh i shoqërisë së hapur në ditët e sotme është filantropi i njohur amerikano-hungarez me prejardhje hebreje Xhorxh Soros. Ai përmes Fondacionit Shoqëri e Hapur, të cilin e udhëheq ai, dhuron shumë mjete financiare nëpër botë për punë në ndërtimin e një shoqërie të hapur, e posaçërisht në vendet e pazhvilluara në aspekt demokratik, si shumë vende Evropiane të ish-Bllokut të Lindjes, që sot anojnë për një shoqëri të hapur dhe demokratike, por prapë përballen me shumë pasoja nga e kaluara dhe sfida të vështira për të arritur qëllimin e tyre. Vlerat e shoqërive të hapura sot nënkuptojnë shoqëri tolerante, qeveritë e të cilave janë llogaridhënëse ndaj qytetarëve, si dhe të hapura për përfaqësimin dhe pjesmarrjen e gjithë qytetarëve. Në shoqëritë e hapura kemi një sundim të ligjit dhe gjithë qytetarët janë të barabartë para atij ligji. Një shoqëri e hapur siguron drejtësi më të madhe në sistemet politike, ligjore dhe ekonomike, si dhe në mbrojtjen e të drejtave themelore. Luftimi efikas i korrupsionit është pikë kyçe për funksionimin e një shoqërie të hapur.

Nëse korrupsioni është i futur thellë në rrënjët e një shoqërie, veçanërisht në organet e larta shtetërore, atëherë flasim për një shoqëri që është shumë larg prejshoqërisë së hapur. Nepotizmi në organetshtetërore, mosbërja e dallimit në mes shtetit dhe partisë politike, si dhe papërgjegjshmëria e funksionarëve shtetëror para qytetarëve dhe para ligjit flasin për një shoqëri të mbyllur. Një cilësi tjetër kryesore e shoqërisë së hapur është respektimi dhe promovimi i të drejtave të njeriut. Shoqëria e hapur e parasheh që gjithë njerëzit – pa dallim kombësie, përkatësie fetare, race, gjinie, orientimi seksual, klase shoqërore ose çfarë do dallimi tjetër – kanë të drejtë të marrin pjesë në jetën shoqërore, ekonomike dhe kulturore, si dhe të jenë krijues të politikave të tilla. Një shoqëri e hapur u garanton gjithë qytetarëve të drejta të barabarta, si dhe një shoqëri e hapur i mbron gjitha pakicat dhe komunitet e margjinalizuara, ashtu që punon në përmirësimin e gjendjes së tyre shoqërore si dhe ngritjen e vetëdijes tek qytetarët e tjerë.

Shoqëritë e hapura i luftojnë idetë ekstremiste pa dallim të cilës natyrë. Secila ide ekstremiste llogaritet si një kërcënim i rëndë për vlerat themelore të kësaj shoqërie, që respekton dhe promovon diversitetin në mes njerëzve. Shoqëria e hapur po ashtu promovon mendimin kritik si dhe lirinë e shprehjes. Një shoqëri e cila nuk ka media të lira dhe ku nuk dominon liria e shprehjes, por ka cenzurë të fjalës së lirë, si dhe gjuhë të urrejtjes, ajo shoqëri nuk mund që të llogaritet si një shoqëri e hapur.

Shoqëria e hapur nënkupton transparencën e informacioneve, si dhe saktësinë dhe paanshmërinë e tyre. Sot në botë disa shtete të botës Perëndimore mund që t’i llogarisim si shoqëri të hapura, ose afër idesë për një shoqëri të hapur, nëse marrim parasysh politikat kyçe në aspekte shoqërore, ekonomike dhe kulturore, që ato shtete i promovojnë dhe i krijojnë për qytetarët e tyre. Si pjesë e atyre shteteve mund që të llogarisim SHBA-në, Kanadanë, disa shtete të Bashkimit Evropian (Britania e Madhe, Gjermania, Holanda, shtetet skandinave etj) dhe Australinë. Shtetet e Ballkanit, duke përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Kosovën nuk mund që të llogariten si shoqëri të hapura, por si vende që pretendojnë të arrijnë një gjendje ku do të kenë një shoqëri të hapur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat