Njëzet e shtatë vite në mësimdhënie të gjuhës amtare

Opinione

Njëzet e shtatë vite në mësimdhënie të gjuhës amtare

Nga: XHAVIT ÇITAKU Më: 16 korrik 2019 Në ora: 09:50
XHAVIT ÇITAKU

I pajisur me kulturë të gjerë gjatë jetës dhe shkollimi i lartë e ka përcaktuar edhe ndjeshmërinë e Osman Ahmetxhekaj që është shprehur në zhvillimin e një aktiviteti të tij të begatë në sensibilizimin e gjendjes së rënduar nën regjimin e Milosheviqit, në organizimin e mërgatës shqiptare  për të dalur në protesta masive në shumë qytete të Suedisë së largët,në ruajtjen e kulturës dhe traditës shqiptare,  në mbajtjen gjallë të mësimit plotësues për fëmijët shqiptarë. Brengë e tij e madhe ishte, sidomos, fati i dhjetra  mijëra fëmijëve shqiptar, të cilët nuk e dinin gjuhën e shtetit mikpritës, ndaj kjo brengë u bë burim e frymëzim kryesor që në vitin 1991 dhe 1992 të punoj pa përtesë e pa pagesë në dy qytete me mbi 300 nxënës si arsimtar i gjuhës shqipe së bashku edhe me dy koleg të tjerë , Azem Hajzeraj dhe Bedri  Hajdar Pecin, në qytetet Klepen dhe Bakamu.  

Tetë vite ishte sekretar i LASH – it “ Naim Frashëri” dega në Suedi

 Pas marrjes së lejeqëndrimit ky pishtar i arsimit punoi për gjashtë vite radhazi në qytetin e Hyltebrukut në mësimdhënie të gjuhës amtare. Këtë profesion fisnik ai e vazhdoi  për shumë vite edhe në qytetin e Laholmit si dhe në Kristianstad. Në të gjitha institucionet shkollore ku ishte i angazhuar Osman Ahmetxhekaj prindërit e nxënësit shprehin fjalë miradije për të ngaqë ai për 27 vite tërë mundin e dijen e shkriu për mësimin e gjuhës së ëmbël shqipe e kësisoj edhe të ikjes së asimilimit të këtyre gjeneratave por edhe të tjerave që vijnë pas. Jo vetëm kaq. Duke pasur kontakte të përhershme me organet përkatëse komunale dhe duke e ndier nevojën që fëmijët shqiptar të jenë sa më të lidhur me mëmëdheun, ky arsimtar i vyer arriti të siguroj mjete materiale për organizimin e disa udhëtimeve të nxënësve shqiptar për në Kosovë, të cilët vizituan vendet më të bukura, institucionet shtetërore dhe ato shkollore.

Për shkak të punës së madhe që zhvilloi në procesin edukativo- arsimor me fëmijët shqiptar, ai u zgjodh sekretar i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptar “ Naim Frashëri” dega në Suedi. Këtë detyrë e mbajti plot tetë vite, të cilën e kreu me një përgjegjësi të madhe. Rrugëtoj pothuajse në të gjitha mjediset ku banonte komuniteti shqiptar dhe gjithnjë e më tepër zgjeronte rrjetin e institucioneve shkollore në të cilat përshiheshin numër i madh i nxënësve shqiptarë. Në këtë sukses të madh që arriti në këtë segment të rëndësishëm, Osmanin e ndihmuan edhe anëtarët e degës së LDK-së, nënkryetar i së cilës ishte për disa vite.

Kreu shumë punë të dobishme kombëtare    

Osman Ahmetxhekaj ishte i mbushur me plot entuziazëm për të ndihmuar e organizuar komunitetin shqiptar në Suedi në jetën politike, shoqërore, arsimore, kulturore, humanitare e sportive, si dhe për të marrë përsipër për të kryer shumë punë të dobishme në të mirë të sensibilizimit të çështjes shqiptare në këtë vend të largët skandinav, qoftë me intervista të ndryshme për mjetet e informacionit apo duke qarkulluar në vise të ndryshme për të marrë pjesë por edhe për të organizuar protesta kundër shtypjes se shqiptarëve nga regjimi  fashist serb i Milosheviqit. Osmani përkundër një force të madhe ushtarake që kishte okupatori serb, gjithnjë kishte optimizmin se fitorja e popullit shqiptar në Kosovë është e pashmangshme sepse ky popull po bënte një luftë të drejtë  që kishte për objektiv lirinë dhe ekzistencën fizike që ishte në rrezik të zhbëhet. Në momentet vendimtare mërgimtari si një vetëdije e zgjuar e një populli nuk mund të jetë indiferent, por vihet në qendër të veprimit e idealit liridashës që e gjallon dhe e forcon shpirtërisht e fizikisht njerëzit për aksione konkrete. Do të thotë se për të ndihmuar atdheun nuk kursehet asgjë dhe qëndrimi dhe pjesëmarrja e tij aktive në ngjarjet e viteve të nëntëdhjeta  përcakton edhe karakterin e tij atdhedashës/ liridashës . Pra, tek ky veprimtar, sikundër edhe të shumë të tjerë, bie në sy sidomos motivi i dashurisë, nevoja e bashkëpunimit vëllazëror të shqiptarëve, në mes tyre edhe lufta për liri, motive këto shumë të shprehura gjatë kësaj periudhe. Thënë konkretisht, të gjitha ngjarjet e dhimbshme që ndodhën gjatë përfundimit të shekullit të njëzet, përkatësisht situata tejet e rëndë në Kosovë dhe jeta e hidhur në kurbet u reflektuan në forma e përmasa pozitive me prirje të theksuar atdhetare tek Osman Ahmetxhekaj. Në fakt, duke i harmonizuar jo vetëm idealet kombëtare, por edhe duke u angazhuar dhe organizuar në Kontekst të nevojave që preokuponin aq rëndë popullin e Kosovës.

Osman Ahmetxhekaj ka lindur në vitin 1955 në Rudicë të komunës së Klinës. Rrjedh nga një familje e edukuar në frymën dhe dashurinë ndaj atdheut. Pra, edukimin e fitoi nga familja patriotike që gjithnjë në shpirt kishte lirinë dhe dashurinë ndaj gjuhës dhe kulturës shqiptare. Kësisoj ai u inkuadrua aktivisht edhe në Lëvizjen Patriotike të mërgimtarëve shqiptar dhe ishte bërë armë e fuqishme në realizimin e shumë synimeve të rëndësishme për vendin nën sundimin serb. Aktiviteti i tij gjithnjë zgjerohej dhe pas përfundimit të luftës në Kosovë ai u zgjodh sekretar i Fondit për raste të jashtëzakonshme, formimi i të cilit ishte bërë me qëllim që bashkatdhetarët tanë të kenë mundësi  që pas vdekjes të varrosen në vendlindje. Ishte edhe pjesë e aktivitetit të grumbullimit të trepërqindshit , Fond ky i cili ishte shembull për të mirë në gjithë mërgatën shqiptare. Ai edhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së nga diaspora. Ka bashkëpunuar edhe me disa gazeta e revista shqiptare, të cilat kryesisht pasqyronin  punën që zhvillohej në procesin e mësimit të gjuhës amtare.. Tash për tash është duke zhvilluar aktivitet të çmuar në Shoqatën e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptar “Papa Klementi  XI Albani” në Suedi. Për momentin ky mësimdhënës i shquar është duke punuar si arsimtar i gjuhës suedeze për  vijuesit e shkollës për të huaj në qytetin Kristianstad.

  Të pakta janë ato mjedise shqiptare në këtë shtet skandinav që nuk e njohin apo që nuk kanë dëgjuar për  Osman Ahmetxhekajn dhe për punën e tij të madhe që ka zhvilluar në të gjitha fushat me interes për bashkatdhetarët tanë dhe atdheut, sepse në vazhdimësi ishte pranë tyre, punoj me ta, i organizoj,i këshilloj e i ndihmoj kur patën nevojë.

Për kontributin e tij të madh të dhënë në procesin edukativo- arsimor dhe për aktivitetin e pasur e me përmbajtje  që zhvilloi në të gjitha fushat ai mori shumë mirënjohje e lëvdata si nga Ministria e Arsimit dhe ajo e Diasporës të Republikës së Kosovës, nga LASH-i “ Naim Frasgëri”, Këshillat e prindërve, organet përkatëse arsimore suedeze etj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat