Aventurierët dhe halabakët politik e kanë futur Shqipërinë në një krizë të rëndë shtetërore

Opinione

Aventurierët dhe halabakët politik e kanë futur Shqipërinë në një krizë të rëndë shtetërore

Nga: Skënder Kapiti Më: 16 korrik 2019 Në ora: 11:22
Skënder Kapiti

Për lexuesit që nuk kanë kohë dhe as durimin për t’i shkuar deri në fund leximit të këtij shkrimi, vertetimin e këtij titulli po e vertetojmë vetëm me këtë fjali: Sot mafia, krimi dhe korrupsioni kanë kapur shtetin. Në Shqipëri ka krizë parlamentare, kushtetuese, juridike; medie të kërcënuara; shoqëri civile të atrofizuar; korrupsion, krim të organizuar dhe mafie në pushtet, ekonomi dhe kudo; ka pushtet dhe qeverisje autrokratike; ka drogë, varfëri, papunësi dhe eksod. Pra ku është këtu roli dhe funksionimi i shtetit, pasi pra nuk funksionon as ai, dhe as shoqëria. Dhe me pak fjalë, a nuk është kjo një gjëndje krize shtetërore?

Gjëndja ku ka ardhur shteti shqiptar sot tregon se politikanët dhe pushtetarët shqiptarë në pushtet sot janë halabakë, aventurierë e rrugeçër, të cilët nuk janë aspak të interesuar për patriotizmin, nacionalizmin dhe as për shtetin shqiptar. Këta lloj politikanësh janë të pakonceptueshëm dhe të pa imagjinueshem si antikombëtarë të cilët falin, rrënojnë, korruptojnë, vjedhin dhe dëmtojnë kombin dhe shtetin për interesat e tyre.

Askush në Europë nuk është i tillë dhe nuk gjen askund as politikanë dhe as qeveritarë kaq të papërgjegjshëm dhe kaq antikombëtarë, të cilët për interesa personale, familjare e klanore sakrifikojnë kombin dhe japin e tradhtojne shtetin e vet, ashtu siç bëjnë politikanët halabakë shqiptarë.Është për të ardhur keq se kjo politikë kaq e dëmshme kombëtarisht është montuar dhe injektuar si një trashëgimi e keqe dhe e pakorigjueshme që vetëm sa ka përkeqësuar vazhdimisht që prej 100 vitesh Shqipërinë Shtet.

Sot aktualisht Shqipëria ndodhet në një krizë të rëndë gjithinstitucionale, pasi kjo krizë ka prekur dhe kapur të gjitha institucionet shtetërore.

Pra vendi ka hyrë në një krizë shtetërore të paprecedentë në historinë 100 vjecare të Shtetit shqiptar.

Bota po çuditet me atë se çfarë eksperimentohet në institucionet shtetërore, në ato demokratike, politike, ekonomike, juridike, akademike, universitare dhe çuditet në atë se si funksionojnë shoqëqria, demokracia, ligji dhe shteti shqiptar sot.

Qeverisja aktuale e Edi Ramës në Shqipëri vepron si një agjensi private e 3P-ve, e partneriteve publik private, ngritur mbi themele korrupsioni dhe hajdutërie të parasë publike.

Shqipëria ndodhet në një krizë prej së cilës jo vetëm që nuk ka zhvillim, punësim, mirëqënie e as siguri, por kjo krizë e cila po kërcënon me destabilizim dhe gjithnjë e më shumë sovranitetin kombëtar.

Shkaktari kryesor që gjëndja ka precipituar deri në këtë shkallë është keqqeverisja, krimi, hajdutëria dhe korrupsioni i Qeverisë së Edi Ramës, të së ashtuquajtur Rilindje Socialiste. Burimi kësaj krize vjen nga paligjshmëria dhe jolegjitimiteti i kësaj qeverie, e cila u riciklua në pushtet në vitin 2017 me “demokraci” të votave të manipuluara e të blera nga mafia e krimit ,drogës dhe e pushtetit të saj, gjë e cila tashmë është vertetuar edhe publikisht e mediatikisht, madje edhe ndërkombëtarisht.

Kjo pastaj shkaktoi edhe krizat zinxhir: krizën parlamentare pasi kokëfortësia dhe arroganca e Kryeministrit Rama nuk mori në konsideratë faktet dhe protestat e drejta fillimisht as të rinisë studentore shqiptare dhe as ato të opozitës reale në parlament dhe as protestat paqësore të saj dhe të popullit opozitar sot e që prej 6 muajsh e cila kërkon qeveri teknike dhe zgjedhje të lira, demokratike e të pamanipulara dhe jo të blera.

Për hatër të demokracisë dhe të interesave kombëtare qeverisja aktuale përballë fakteve dhe argumenteve reale të korrupsionit, krimit, drogës dhe të blerjes së votave dhe të pushtetit, minimalisht pushteti dhe kryeministri duhet të kishin dhënë dorëheqje dhe t’i hapnin rrugën demokracisë dhe të drejtës demokratike për zgjedhje të lira dhe të pakorruptuara.

Vetë fakti që masivisht populli shqiptar refuzoi dhe nuk mori pjesë në zgjedhjet qeveritare dhe socialiste të 30 Qershorit 2019 tregon se ky pushtet tashmë është delegjitimuar, pra nuk është legjitim.

Një qeveri e kryeministër i cili duke përdorur pushtetin, artificialisht formoi dhe fabrikoi opozitën “e re”mercenare të tij në parlament pas largimit nga parlamenti të opozitës së vërtetë demokratike, veprim ky i pushtetit sa për të mashtruar me pluralizmin parlamentar fals dhe mercenar.

Kjo arrogancë e pushtetit ka futur në konflikt edhe parlamentin me Presidentin e Republkikës, për faktin se Presidenti i Republikës për të shmangur konfliktin civil, ç’dekretoi mbajtjen e zgjedhjeve moniste socialiste të rilindjes Ssocialiste duke caktuar një datë tjetër me qëllim që ato të moszhvilloheshin në kulmin e krizave ku ndodhej Shqipëria.

Pushteti i Rilindjes në shkelje të rënda të Kushtetutës së Shqipërisë, me arrogancën tipike diktatoriale të saj mbajti këto votime me 30 Qershor 2019, zgjedhje e votime pa opozitën, si një absurditetet i pashëmbullt në demokraci, ku me ç’rast rilindja socialiste rrëmbeu edhe të gjitha Bashkitë në Shqipëri, pra rrëmbeu edhe pushtetin lokal, pasi më parë kishte rrëmbyer edhe parlamentin si dhe është shkërrmoqur dhe asgjësuar edhe Gjykata Kushtetuese, edhe Gjykata e Lartë, pra drejtësia.

Ky pushtet ka dështuar aq thellë sa që me gjith angazhimin e tij maksimal, duke përdorur manipulimet e presionet mbi administratën shtetërore arriti që mezi të marrin pjesë në votime 15% e votuesve , që edhe në të tillë gjëndje përsëri ka pasur manipulime dhe më shumë fletë votimi në kuti se sa që kanë votuar.

Mirëpo habit edhe fakti se si u nundësua që kjo qeverisje e Edi Ramës dhe kryeministrërllëku autokrat e arrogant i tij të gëzojnë mbështetje dhe përkrahje edhe nga politika e diplomacia perendimore, në një kohë që sikur të mos mjaftonin vetëm këto që e kanë zhytur Shqipërinë në krizë shtetërore, kryeministri Rama është dhe një prej promotorëve dhe përkrahësve të idesë antishqiptare ruso-serbe për ndarjen e Kosovës?!Pra, kryeministri i Shqipërisë me “guxim” vepron edhe kundër linjës politike jo vetëm asaj kombëtare por edhe asaj të BE-së.

Aventurizmi antikombëtar i politikanëve shqiptar u ndal falë ndërhyrjes së kancelares gjermane, znj. Merkel, e cila shpartalloi planin e coptimit dhe të ndarjes së Kosovës, plan sipas së cilit Kosovës i hiqeshin dhe i kalonin Serbisë burimet jetike territoriale, pasurore dhe ujore. Kjo i dha shkak edhe ekspozimit të aventurës politike antishtet dhe antikomb të disa politikanëve të lartë shqiptarë.

Pra,jo vetëm se Shqipëria ka rrëshqitur në krizë, por edhe Kosova e ka pësuar rëndë nga politika antikombëtare e Tiranës.Dhe nisur e shikuar edhe nga ky këndvështrim rezulton se: nëse protestat në Shqipëri largojnë nga pushteti Edi Ramën, ky do të ishte edhe një shërbim dhe për në favor edhe të Kosovës.

Kjo krizë që ka mbërthyer sot Shtetin Shqiptar u vjen për shtati propagandës dhe armiqve të shqiptarëve e të Shqipërisë, e ndoshta ata edhe mund të jenë në prapaskenë inkurajuesit e nxitësit e kësaj gjëndjeje paqëndrueshmërie në Shqipëri, sepse armiqtë e Shqipërisë kanë si objektiv dëmtimin e imazhit të shqiptarëve e të Shqipërisë në sy të Europës, për të treguar se ja: shqiptarët nuk dinë të bëjnë shtet.Dhe dashje apo pa dashje, politika dhe kryesisht pushteti sot, si pushtet intolerant,autokrat,arrogant, egoist, i korruptuar dhe i papërgjegjshëm po bllokon integrimin, po i bën dëme të mëdha kombit shqiptar dhe po shpie ujë në mullirin e armiqve të shqiptarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat