Jo – Reagimeve dekonstruktive / Po – Debatit konstruktiv

Opinione

Jo – Reagimeve dekonstruktive / Po – Debatit konstruktiv

Nga: Ibrahim Kelmendi Më: 16 korrik 2019 Në ora: 20:27
Jusuf Buxhovi

Jusuf Buxhovi në emisionin televiziv “rubikon” (11.07.2019) shfaqi edhe (dis)kualifikime goxha irrituese, sidomos për ata që kanë bletën pas veshi. Reagimet ndodhen duke mos e cituar Jusufin, por duke e parafrazuar, ndonjëherë tepër të tjetërsueshëm. Ta zëmë, edhe mbrojtësi i Jusufit, gazetari Valon Rugova, në shkrimin e tij me titull “Unë jam Jusuf Buxhovi”, ka dezinformuar: “Mbrëmë, zoti Jusuf Buxhovi, tha se lufta e UÇK-së nuk kishte qenë e pastër sepse 102 zyrtarë të LDK-së ishin vrarë.” (“Bota sot”, 12.07.2019)

Në Bibel duhet të jetë edhe dezinformata se gjoja Jezusi (inekzistent) paskësh thënë: “Jepi Cezarit atë që i takon Cezarit.”
Edhe Jusufit duhet t’i jepet ajo që i takon, por jo t’i mvishet ato që nuk i ka thënë në këtë intervistë, pavarësisht koncepteve e interesave që kanë kundërshtarët dhe tifozët. As gazetari Valon Rugova nuk ka qenë korrekt me parafrazimin e tij, sepse Jusufi nuk ka thënë që Lufta e UÇK-së nuk ishte e pastër e as nuk i ka quajt të vrarët e LDK-së zyrtarë, por aktivistë.

Për korrektësi, po ofroj citime konkrete nga intervista, që kanë të bëjnë me alarmimin destruktiv, sidomos të disa ish-pjesëtarëve të UÇK-së:

Jusuf Buxhovi (minuta 7’45”): “Strukturat e SHIK-ut kanë qenë paramilitare.”

JB (minuta 8’20”): “Sipas të dhënave të ndërkombëtarëve, nga qershori 1999 deri në vitin 2002 janë vra 102 aktivistë të LDK-së.”

JB (minuta 10): “LDK-ja ka udhëheq 8 vjet pushtetin paralel në Kosovë. (…) Në Kosovë ka ndodh luftë qytetare, në aspektin historik, nëse shihen shifrat, dmth. 102 [të vrarë të LDK-së]. 92 janë vra vetëm pjesëtarë të UÇK-së. Pra, 102 të LDK-së dhe 92 të UÇK-së, janë vra nga qershori 1999 deri në vitin 2002. I kam prezantuar me emër e mbiemër në librin tim.”

JB (minuta 11’40”): Lufta e UÇK-së dhe n’përgjithësi rezistenca e armatosur, që ashtë e lidhun me ate institucionale, ka qenë e drejtë. Kurkush nuk e mohon ate, as nuk mund ta mohoj. Por, gjithëkush duhet ta di n’çdo luftë ka element t’pa pastër. Ka faktorë, nga ata kriminelë, deri të tyxharët e ndryshëm. (…) Janë vra gjashtëqind e sa vet. (…)
[Ndërhyrja e intervistuesit Adriatik Kelmendi (14’25”):] “Që do të thotë se lufta e UÇK-së nuk mund të cilësohet e pastër, ka qenë e papastër?”]

[Vazhdon JB:] “Ka pas elemente shumë t’pa pastra.”

***
Pra, nga këto citime dhe në gjithë intervistën, askund nuk rezulton që JB të ketë diskualifikuar Luftën e UÇK-së si luftë të papastër! Edhe kur Adriatik Kelmendi e ka keqkuptuar, sikur JB po e diskualifikon luftën e UÇK-së të papastër, JB përgjigjet: “Ka pas elemente shumë t’pa pastra.”

Ky konstatim i JB është korrekt dhe i saktë!

Pavarësisht angazhimeve politike e policeske të JB në strukturat e pushtetit monist, pushtues, jugo-sllav, serb dhe në “pushtet paralel”, kësaj radhe do të duhej të debatohej për (dis)kualifikimet dhe opinionet që i ka shfaq, si intelektual tejet i zellshëm. Unë e (keq)kuptova, se paskësh bërë shtjellime goxha interesante për zhvillimet e pasluftës në Kosovë e Makedoni, deri në zhvillimet aktuale. Po shpresoj të kem vullnet dhe kohë ta analizoj këtë intervistë të tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat