Jusuf Buxhovi e ka thënë të vërtetën

Opinione

Jusuf Buxhovi e ka thënë të vërtetën

Nga: Lirim Gashi Më: 16 korrik 2019 Në ora: 22:01
Lirim Gashi

Shqiptarë të dashur:

Etiketimi dhe linçimi medial i Jusuf Buxhovit nuk e ndryshon të vërtetën, sepse ajo është vetëm një dhe e vetmja.

Jusuf Buxhovi nuk është njeriu i vetëm që është shërbyer me këto argumente, gjegjësisht fakte, përkundrazi me të njëjtat fakte dhe argumente janë shërbyer shumë individë të tjerë, për të cilët asesi s'mund të thuhet se ishin bashkëpunëtorë të UDB-es ?

Prononcimi i Jusufit ka bërë bujë kaq të madhe vetëm pse ai është fytyrë e njohur publike që polarizon për shkak të veprimtarisë dhe biografisë së tij specifike. 

Nëse besoni se glorifikimi (lartësimi, shenjëtrimi) i rrejshëm i UÇK-së është rruga e duhur për pastrimin e mëkateve dhe zgjidhjen e problemeve që ia kanë shkaktuar popullit dhe shtetit disa komandantë korrupt, kriminel, vrastar, anti njerëzor dhe anti kombëtar, atëherë mëkatoni rëndë ndaj viktimave të tyre, gjegjësisht ndaj vetvetes.

Edhe më saktësisht, nëse besoni se glorifikimi i rrejshëm i UÇK-së është rruga e duhur për t'i menjanuar pasojat e krimeve, vrasjeve, komploteve, abuzimeve dhe keqpërdorimeve që këta komandantë të papërgjegjshëm i kanë arsyetuar përmes glorifikimit (lartësimit, shenjtërimit ) të rolit dhe meritave të tyre në luftë dhe paqe, atëherë ju në fakt po pajtoheni me krijimin e kultit të rrejshëm kolektiv për hirë të kultit të rrejshëm individual, prandaj rrjedhimisht po pajtoheni pa dashur edhe me të gjitha krimet, vrasjet, komplotet, abuzimet dhe keqpërdorimet që i keni përjetuar në lëkurën tuaj tash e dy dekada. 

Shtrohet pyetja e arsyeshme dhe logjike:

A keni të drejtë të veproni në këtë mënyrë dhe çfarë epiteti e meritoni nëse po?

Vetëm pse synimi i UÇK-së ishte i shenjtë, kjo nuk do të thotë që edhe UÇK ishte e shenjtë?

Kuptojeni njëherë e përgjithmonë:

Nuk ka njerëz të shenjtë, ka vetëm synime të shenjta, e aq më pak formacione të shenjta ushtarake.

Sepse rruga për realizimin e synimeve të shenjta kolektive kalon nëpër kurthet e mëkateve individuale. 

Nëse fillojmë të mendojmë në këto kategori kolektive uniformike dhe totalitare, atëherë ne nuk meritojmë as shtet, as liri dhe as demokraci.

Ne UÇK-në mund ta pastrojmë nga mëkatët vetëm duke i zbardhur dhe individualizuar krimet, vrasjet, keqpërdorimet dhe abuzimet e individëve që i kanë kryer ato dhe duke i emërtuar ato mëkate me emrat dhe mbiemrat e tyre të përveçem.

Çdo rrugë tjetër është hipokrizi, tragjikomedi, cinizem dhe fatalitet.

Sepse askush nuk e ka shkelur dinjitetin e popullit dhe gjakun e martirëve, heronjve dhe dëshmorëve më shumë se sa këta individë.

Sepse, askush nuk e ka njollosur vetë UÇK-në më shumë se sa po këta individë. 

Mirëpo pasi që ne si popull dhe përfaqësuesit tanë në pushtet këtë obligim të shenjtë nuk e kemi kryer tash e dy dekada, e edhe më saktësisht nuk i kemi sqaruar dhe zbardhur mëkatet e tyre individuale duke e arsyetuar neglizhencën tonë dhe mungesën e kurajos civile me glorifikimin e rrejshëm të UÇK-së vetëm për t'i mbuluar krimet dhe tradhtitë e disa komandantëve të saj matrapaz, që na kanë shkaktuar vuajtje, mjerim, varfërim, copëtim territori, përçarje, izolim dhe egzod të paparë dhe që e kanë detyruar faktorin ndërkombëtar të formojë Gjykate Speciale Raciste enkas për shqiptarët, atëherë as ne si komb e as UÇK-ja jonë nuk e meritojmë epitetin ''shenjtorë' '.

Mjaft më me pollavra dhe vetgënjeshtra.

Edhe sa krim, mjerim, përçarje, tradhti, varfërim, izolim dhe egzod duhet të përjetoni nga këta njerëz kriminel, vrastar, të papërgjegjshëm dhe pandërgjegjshëm për t'a kuptuar njëherë e përgjithmonë të vërtetën?

Kroatet me plotë të drejtë Festivalin e Filmit në Pulë e hapen me filmin ''Gjenerali'' kushtuar Ante Gotovines.

Mirëpo Gjenerali i tyre i gjallë nuk ka pranuar në asnjë çast të jetës të bëhet pjesë e politikës zyrtare, sepse i njeh kurthet e saj të cilat nuk përkojnë me karakterin e tij, prandaj e meriton epitetin hero në kuptimin më të sinqertë të fjalës. 

Tek ne fatkeqësisht epitetin hero e meritojnë vetëm heronjtë e vdekur, sepse të gjallët janë zhytur deri në fyt në mëkate.

Prandaj jemi këtu ku jemi, me plotë meritë, sepse nuk jemi treguar në tërë periudhën e pasluftës të përgjegjshëm dhe ndërgjegjshëm me kutitë e votimit.

Prandaj e kemi marr dënimin e merituar nga po ata njerëz që i kemi votuar symbyllur.

Ndërsa kemi votuar symbyllur sepse jemi të çorientuar dhe çakorduar si qurat dhe quranat në mjegull.

Sepse kalorësit e mjegullës (politikanët) dhe rojet e mjegullës  (mediat publike) që janë nën kontrollin e pushtetarve të dhunshëm, mafioz, korrupt, kriminel, anti njerëzor dhe anti kombëtar, në një periudhë të gjatë kohore i kanë koordinuar veprimet e tyre shtet rrënuese, anti njerëzore dhe anti kombëtare në mënyrë aq të përkryer, sa që as rezultatet katastrofale të keqqeverisjes së tyre nuk na kanë zgjuar nga gjumi, letargjia, pasiviteti dhe nënshtrimi, aq efikase që ka qenë propaganda e tyre trushpërlarëse.

Dy dekada shtet rrënim, mashtrim, korrupsion, abuzim, manipulim, varfëri, mjerim, izolim dhe egzod nuk na kanë mjaftuar për t'u zgjuar nga gjumi, vetëdijësuar, reflektuar, vepruar dhe rezistuar në mënyrë të dinjitetshme dhe masive. 

E nuk kemi reflektuar dhe rezistuar në mënyrë masive ndaj dukurive negative, sepse nuk e kemi kuptuar dhe nuk e kuptojnë pse jemi këtu ku jemi.

Ndërsa nuk e kuptojmë pse jemi këtu ku jemi, sepse jemi të pa ditur, të çorientuar dhe nuk kemi as njohuri bazike për të drejtat tona elementare njerëzore, kombëtare dhe universale, e as për mënyrën se si mbrohen dhe realizohen ato më së miri.

Shtrohet pyetja si është e mundur që dy dekada krim, hajni, abuzim, plaçkë, shtet rrënim, vrasje politike, errësirë, izolim dhe korrupsion të mos prodhojnë syqeltësi (vigjilencë), vetëdijësim, mobilizim, organizim dhe rezistencë të shumicës (popullit) ndaj pakicës (pushtetit kriminal, kuisling dhe korrupt) , përkundrazi të prodhojnë nënshtrim, përulje, servilizëm, egzod biblik dhe numër aq të madh nomadësh të pa strehë që në terminologjinë politike njihen si skllevër modern të perendimit? 

Është e mundur, sepse agonia kolektive lëshon rrënjë dhe përhapet sidomos te popujt e ngecur dhe primitiv, ku mungon filozofia e mirëfilltë shtet ndërtuese, prioritetet e qarta individuale dhe kolektive, si dhe vigjilenca dhe vetëdijësimi i shumicës. 

Të gjitha këto anomali së bashku prodhojnë pasivitet, neglizhencë dhe indiferencë, ndërsa rezultati negativ final është mungesa e rezistencës së shumices ndaj dhunës shumë dimensionale dhe shumë disciplinare të pakicës në pushtet.

Në anën tjetër pikërisht ky është qëllimi i kalorësve të mjegullës në pushtet, ose më saktësisht mbjellja e letargjisë në popull dhe përhapja e pa penguar e dukurive negative në të gjitha lëmitë, sferat dhe fushat e veprimit politik. 

Duke e pasur parasysh faktin se mbjellja dhe përhapja e pa penguar e dukurive negative në shoqëri është e mundur vetëm aty ku mungon elita politike, kulturore, edukative, shkencore dhe arsimore, atëherë për çdo shqiptar normal duhet të jet e qartë që një e tillë ka munguar tërë kohën në të gjitha trojet tona etnike, sepse sikur të kishte ekzistuar në kuptimin më të sinqertë të fjalës, s'do të kishte ngecur kaq shumë vetëdijësimi, reflektimi, mobilizimi dhe rezistenca e shumicës. 

Shtrohet pyetja : Kur i mungon popullit, gjegjësisht shoqërisë plani i detajuar i veprimit alternativ, si dhe gatishmëria, gjegjësisht vullneti për të vepruar, kundërshtuar dhe rezistuar në mënyrë efikase?

Plani i detajuar i veprimit të organizuar u mungon vetëm popujve dhe shoqërive primitive që s'kanë elitë politike, shkencore, kulturore, arsimore dhe edukative, sepse cilësia (elita) është motor apo lokomotivë e sasisë (popullit) dhe kur mungon cilësia, sasia ngec në baltë si gomari i ngarkuar trefish më tepër se sa që e lejon kapaciteti i tij natyror.

Shtrohet pyetja cilat janë efektet psikologjike dhe sociale që i kanë prodhuar këto dy dekada errësirë? 

1. Humbja e besimin në vetveten.

2. Humbja e besimit në përfaqësuesit politik.

3. Humbja e besimit në subjektet politike, shoqërinë civile dhe organizatat humanitare e joqeveritare. 

4.Humbja e besimit në institucionet shtetërore, politike, ekonomike, kulturore, arsimore, juridike, shkencore, shëndetësore, arsimore, edukative dhe ato të sigurisë. 

4. Humbja e besimit në sinqeritetin e faktorit ndërkombëtar. 

dhe

5. Humbja e besimit në politikën në përgjithësi si lëmi të pazëvendësueshme të veprimit të organizuar shoqëror.

Dhe çka ndodh kur shumica e humb besimin te përfaqësuesit e saj politik, te institucionet shtetërore, ekonomike, juridike, publike, shkencore, kulturore arsimore, sociale dhe edukative, si dhe te shoqëria civile dhe organizatat joqeveritare ?

1. Krijohet një vakuum i gjërë institucional të cilin e shfrytëzojnë qarqet ekstreme armiqësore, politike, religjioze, kulturore dhe edukative për të mbjellur dhe përhapur komplote, anti vlera dhe dogma ekstreme, dekadente dhe përçarëse që ua sigurojnë atyre dominancën shumëvjeçare. 

2. Përmes mbjelljes dhe përhapjes së anti vlerave, komploteve dhe dogmave konspirative të natyrës ekstreme politike, religjioze, kulturore dhe edukative, krijohen kushtet ideale për trushpërlarjen, hipnotizimin, përçarjen dhe mobilizimin e njerëzve të çorientuar, të varfëruar, të pa ditur dhe të papjekur për veprimtari destruktive, anti njerëzore dhe anti kombëtare.

3. Sa më i madh që është numri i individëve të përfshirë në veprimtaritë armiqësore dekadente dhe destruktive të natyrës anti njerëzore dhe anti kombëtare, aq më i madh është hutimi, çorientimi, rezignimi, letargjia, demoralizimi, përçarja, nënshtrimi dhe egzodi i shumicës.

4. Sa më i madh që është numri i njerëzve të përfshirë (me, apo pa vetëdije) në veprimtaritë kriminale, mafioze, anti njerëzore dhe anti kombëtare, aq më shumë është i rrezikuar kombi nga shthurja e vlerave kompakte tradicionale që e kanë ruajtur tradicionalisht dhe historikisht nga asimilimi dhe zhdukja.

dhe

5. Sa më shumë që kaplohet dhe dobësohet rrënja dhe trungu kombëtar nga kriminaliteti, varfëria, mjerimi, korrupsioni, përçarja, komplotet politike, tradhtia dhe anti vlerat, aq më shumë rrezikohet atdheu, gjegjësisht shteti nga riokupimi.

Shtrohet pyetja më e domosdoshme apo kruciale : Si mund t'a ndalim ne shqiptarët këtë trend shumëvjeçar negativ dhe si mund të rikthehemi fuqishëm në arenen politike kombëtare dhe ndërkombëtare?

1.Përmes mësimit nga dështimet.

2. Përmes instalimit të sistemit vlerësues meritokratik.

dhe

3. Përmes kërkimit, gjetjes, mobilizimit, zgjedhjes dhe angazhimit të më të mirëve prej më të mirëve në të gjitha nivelet institucionale shtetërore, publike, kulturore, arsimore, shkencore dhe edukative.

Sepse, vetëm në këtë mënyrë është i mundshëm krijimi i elitave të lartpërmendura të cilat përmes koncentrimit dhe akumulimit të dendur të cilësisë në të gjitha lëmitë, sferat dhe fushat e lartpërmendur do të shërbenin si lokomotivë për tërheqjen e sasisë (masave të gjëra) në drejtimin e duhur.

Çdo gjë tjetër është vetëm humbje kohe dhe stërgjatje e agonisë.

Cili do të ishte rrjedhimisht hapi më i duhur konkret në planin afatshkurtër?

1. Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme elektorale.

2. Vota masive për Vetëvendosjen dhe për Ldk-në, por vetëm nëse reformohet dhe pastrohet nga llumi, gjegjësisht nga satelitet e Thaçit. 

dhe

3. Monitorimi vigjilent i punës së këtyre dy subjekteve politike, gjegjësisht matja dhe vlerësimi i qeverisjes së tyre përmes rezultateve konkrete në luftimin e të gjitha dukurive të lartpërmendura negative, si dhe me gatishmërinë për përgjegjësi dhe llogaridhënie në rast dështimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat