Strategjia e Sigurisë: Qëllimet shtetërore strategjike dhe kërcënimet ndaj sigurisë

Opinione

Strategjia e Sigurisë: Qëllimet shtetërore strategjike dhe kërcënimet ndaj sigurisë

Nga: Burim Ramadani Më: 21 korrik 2019 Në ora: 16:48
Burim Ramadani

Duke udhëzuar veprimet për të bërë Kosovën të sigurt, të mbrojtur dhe prosperuese, Strategjia e Sigurisë promovon vlerat e lirisë, sigurisë, paqes, demokracisë, barazisë, dhe prosperitetit.

Ky dokument është mbi të gjitha dokumentet tjera sektoriale dhe, për më tepër, politikat sektoriale i subordinohen kësaj Strategjie.

Mbrojtja e siguria, informacioni e komunikimi, siguria energjetike e ekonomia, si dhe diplomacia, rruga për NATO e kontributi për siguri janë baza e Strategjisë së Sigurisë së Kosovës. Strategjia e Sigurisë është dokument i Kosovës. Merr për bazë nevojat dhe kërkesat e Kosovës në siguri, ndërsa kemi pasur këshillim të vazhdueshëm nga nivele të ndryshme të SHBA-së.

Cilat janë kërcënimet ndaj sigurisë së Kosovës?

Së pari, rëndësia e këtij dokumenti strategjik të politikave të sigurisë është primare. Ajo definon politikat e sigurisë kombëtare, politikat e mbrojtjes, çështjet e interesit vital të Kosovës, qëllimet strategjike shtetërore.

Së dyti, Strategjia e Sigurisë udhëzon veprimet e të gjitha institucioneve të Kosovës për të garantuar Kosovën e sigurt, të mbrojtur dhe prosperuese. Si i tillë, ky dokument është mbi të gjitha dokumentet tjera sektoriale dhe, për më tepër, politikat sektoriale i subordinohen kësaj Strategjie.

Së treti, gjuha e kësaj Strategjie është e thjeshtë, direkte, profesionale, e bazuar në vlerësime të thellluara nga institucionet e sigurisë, si dhe me qartësi të nevojshme për veprimet prioritare. Adresimi i kërëcënimeve të sigurisë kombëtare është po ashtu qëndrueshëm direkt, duke orientuar institucionet e të gjitha nivele në zhvillimin e kapaciteteve për të larguar apo zvogëluar këto kërcënime.

Kështu, Strategjia definon po ashtu listën unike të kërcënimeve ndaj sigurisë së Kosovës në gjashtë (6) kategori të rëndësishme:

Kërcënimet e Jashtme Armiqësore

Krimi i Organizuar Ndër-Kufitar dhe Korrupsioni

Terrorizmi

Vështirësitë ekonomike

Kërcënimet kibernetike

Polarizimi i shoqërisë dhe mungesa e kohezionit politik.  

Tashmë, është e qartë se me miratimin final të kësaj Strategjie në Kuvendin e Kosovës, rruga institucionale përpara do të jetë e mirë-koordinuar dhe e harmonizuar në shërbim të zbatimit të këtij dokumenti. Pra, rëndësia e kësaj faze është e bazuar në qasjen e përbashkët e secilit veç e veç dhe të gjithëve së bashku për të garantuar Kosovën e sigurt, të mbrojtur dhe prosperuese.

Strategjia është ambicioze për Kosovën model në rajon

Strategjia merr plotësisht për bazë nevojat e kërkesat e Kosovës në siguri, duke paraqitur edhe synime ambicioze për ndërtimin e shtetit model në rajon në këtë aspekt.

Duke forcuar përparësitë, avancuar e modernizuar institucionet, Republika e Kosovës do të bëhet model rajonal i stabilitetit, sigurisë, mbrojtjes, dhe prosperitetit, një kontribuues aktiv në sigurinë rajonale dhe globale, me politika të barabarta fqinjësore të partneritetit, dhe plotësisht e aftë për t’u anëtarësuar në NATO, BE, OKB dhe organizatat tjera.

Kështu, Strategjia e Sigurisë ka definuar katër Qëllimet shtetërore strategjike:

Mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial për të garantuar sigurinë për të gjithë qytetarët nga kërcënimet e brendshme dhe të jashtme përmes përdorimit efektiv të të gjitha kapaciteteve shtetërore.

Forcimi, avancimi dhe modernizimi i institucioneve për të ofruar shërbime të kualitetit më të mirë, përmirësuar efiçiencën, rritur besimin e publikut dhe për të përmirësuar mirëqenien e qytetarëve.

Përshpejtimi i zhvillimit ekonomik, rritja e konkurrueshmërisë, zvogëlimi i ekonomisë joformale dhe siguria energjetike.

Thellimi i vazhdueshëm i partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, partneritetet tradicionale me vendet anëtare të Bashkimit Evropian, anëtarësimi në NATO, si dhe kontributi aktiv në sigurinë rajonale dhe globale, përmes pjesëmarrjes aktive në mbështetje të paqes.

Duke udhëzuar veprimet për të bërë Kosovën të sigurt, të mbrojtur dhe prosperuese, Strategjia e Sigurisë promovon vlerat e lirisë, sigurisë, paqes, demokracisë, barazisë, dhe prosperitetit.

Strategjia e Sigurisë së Kosovës u miratua të premten, më 19 korrik 2019, në Qeverinë e Republikës së Kosovës, ndërsa të martën, më 16 korrik 2019, u miratua në Këshillin e Sigurisë së Kosovës. Më tutje, Kuvendi i Kosovës do të miratojë përfundimisht Strategjinë, duke besuar në mbështetje unanime.

Kjo paraqet një hap jashtëzakonisht të rëndësishëm në kompletimin e politikave strategjike të Kosovës në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat