Fletëthirrja e Tribunalit nuk e lan Qeverinë e Kosovës - Bota Sot
Fletëthirrja e Tribunalit nuk e lan Qeverinë e Kosovës

Opinione

Fletëthirrja e Tribunalit nuk e lan Qeverinë e Kosovës

Nga: MUHAMET HAMITI Më: 23 korrik 2019 Në ora: 00:09
Muhamet Hamiti

Kryeministri Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje të premten mbasi mori fletëthirrjen për t’u marrë këtë javë në pyetje si i dyshuar nga Tribunali i Kosovës (Dhomat e Specializuara), formuar nga Kuvendi i Kosovës, por Qeveria e Kosovës ka rënë efektivisht për shkak të numrave. Ka humbur besimin e pjesëtarëve të koalicionit PAN në luftë për interesa të veta, mbasi Qeveria më e madhe pas lufte kishte humbur besimin e të gjithëve për shkak të qeverisjes së keqe.

Mbas dorëheqjes së Haradinajt, partitë në Qeveri (AAK, Nisma, PSD-ja e asocuar në pushtet, si mbështetëse e Qeverisë së pakicës) u deklaruan me të shpejtë se duan zgjedhje të reja. PDK-ja e Thaçit dhe e Veselit s’e pati për qejf që Qeveria ra pa ndërskamcën e saj tradicionale dhe në kohën e zgjedhur prej saj. Për AKR-në e Pacollit, që firoi në Kuvend, edhe pse me hise gjigante në Qeveri, dhe tregtarët e tjerë me flamuj partiakë që lëshuan strehimoret zgjedhore (koalicionet nistore) të para dy viteve s’pyet kush çka duan e mendojnë. Halli i këtyre të fundit është se ku do ta gjejnë çadrën zgjedhore, nën cilin flamur do të garojnë në zgjedhjet e pritshme, me shpresën se me ndonjë rreng të tillë do të marrin mandat që do ta përkthejnë në pushtet si herën e kaluar. Nëse, natyrisht, ia dalin t’ia hedhin elektoratit sërish këta lojcakë e njerëz si këta që denigrojnë besimin e elektoratit e të partive me pabesitë e tyre, duke ndërruar kampet si lojtarë futbolli në afate kalimtare.

Partitë opozitare, LDK-ja dhe VV-ja, që kishte kohë që mateshin pa sukses ta rrëzonin Qeverinë Haradinaj, u shprehën natyrisht për zgjedhje të jashtëzakonshme. Këto janë partitë shqiptare me mbështetjen më të madhe në vend, simbas sondazheve.

Ka muaj që është ditur se zgjedhjet e ardhshme në Kosovë do të mbaheshin këtë vjeshtë. Përgatitjet për këto i kanë bërë, ose thonë se i kanë bërë, të gjitha partitë relevante në skenën politike të vendit. Kjo ka rëndësi për demokracinë përfaqësuese të Kosovës.

Kosova ka nevojë për Qeveri të re, me më shumë legjitimitet, me më shumë kompetencë, me njerëz më të ditur, për t’u përballur me gjendjen e rëndë ekonomike e sociale, në arsim e në shëndetësi. Në punë të brendshme e të jashtme. Vendi është katandisur keq dhe Qeverisë së re do t’i duhet kohë të sanojë dëmet e qeverisjes së mëhershme, të kapjes së shtetit nga struktura parashtetërore që janë veshur me pushtet, të degradimit të pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, jo vetëm karshi Serbisë agresive e armiqësore.

Në gjendjen e induktuar të pathosit kombëtar, dorëheqja e Haradinajt, një gjest i kalkuluar elektoralisht në rrethanën e fletëthirrjes së Tribunalit, po shitet shtrenjtë këto ditë si gjest burrëror e prej burrështetasi. Po ky kryeministër që mbante ministra me aktakuzë në Qeverinë e vet tha të premten se nuk donte të shkonte në Tribunalin e Kosovës si kryeministër i Republikës, ndonëse nuk ka aktakuzë të ngritur dhe mund të mos ketë në fund të fundit.

A e rehabiliton pathosi kombëtar i ‘dorëheqjes burrërore’ nga detyra kryeministrin që e ka udhëhequr një Qeveri të keqe? Janë të shumta huqjet e tij, por për shpejt le të kujtohen ndërhyrjet në fillim e në fund të mandatit në punën e institucionit të pavarur, siç është Agjencia Kosovare e Akreditimit, me pasoja për integrimin e arsimit tonë të lartë në institucionet relevante evropiane. Le të kujtohet lehtësia me të cilën ai me ministrin e tij i dhanë konzorciumit “Bechtel-ENKA” 53 milionë euro, në vend se 14 milionë, në emër të penaliteteve për autostradën Prishtinë-Shkup. Rritja kundërkushtetuese e pagave për veten e Qeverinë, numri enorm i zëvëndëskryeministrave, i ministrave, i zëvëndësministrave (mbi 80!), i 33 këshilltarëve të tij, janë të tjera teprime skandaloze në kohën kur partia e tij fliste për projektligjin që do ta zvogëlonte Qeverinë. Do kujtuar rritjen e madhe të borxhit publik dhe faktin se shumica e kompanive publike punojnë me humbje. Poashtu, punësimet në masë në institucione publike të militantëve të partisë së tij, të Nismës, të PDK-së, që u morën vesh thjesht falë punës së lavdueshme të medias jashtë kontrollit të pushtetit.

Le të kujtohet se po ky Ramush Haradinaj me partinë e vet e miratoi demarkacionin me Malin e Zi, mbasi kundërshtimin e tij e kishte bërë kauzë të dhunshme për rrëzim të Qeverisë së Kosovës që e drejtonte Isa Mustafës i LDK-së.

Kryeministri Haradinaj, që me të drejtë ka kundërshtuar (dhe ka bërë mirë që ka kundërshtuar!) ndarjen/ndryshimin e kufijve të Kosovës, ka bërë keq kur ka hequr dorë nga përgjegjësitë kushtetuese për t’u përfshirë në dialogun me Serbinë, duke e lënë kështu efektivisht këtë në dorën e Presidentit Hashim Thaçi, që ka qenë prijës në procesin e dialogut kur ka qenë vetë kryeministër e më vonë zëvendëskryeministër. (Ekipi kundërkushtetues për Dialog një huqje tjetër e Qeverisë Haradinaj, sa për kujtesë.) Një dialog që i ka shërbyer më shumë Serbisë sesa Kosovës deri në këtë pikë, duke u kthyer në dialog politik me pasoja eventuale për shtetësinë dhe tërësinë territoriale të Kosovës.

A e rehabilitojnë Qeverinë dhe kryeministrin Haradinaj vendimet e tij për taksën ndaj Serbisë, kundërshtimi i ndarjes së Kosovës, vendimi për formimin e ushtrisë, dhe thirrja e Tribunalit?

Në një vend normal, në një shoqëri që s’e ka kapluar amnezia kolektive, kjo s’do të ishte e mundshme. Njerëzit kudo, sidomos votuesit në vigjilie të zgjedhjeve, bëjnë bilancin e punës së Qeverisë së vet në largim. Dhe ky bilanc, në situatën aktuale, është shumë i keq për Kosovën.

Elektorati i Kosovës do të ketë rastin të dëshmojë se nuk e ka kapluar harresa, se do të dalë nga kjo apati shoqërore, se mund të triumfojë me vullnetin e vet të përkthyer në votë ndaj pjesës së elektoratit klientelist në të cilin llogarit klasa politike në pushtet.

Është koha që rreth opozitës së sotme të bëhet Qeveria e nesërme, në vjeshtë. Nën drejtimin e LDK-së, besoj, dhe me bazë të gjerë shqiptare.

Një Qeveri që e mëkëmb Republikën e Kosovës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...