Albanofobia në Serbi mban peng marrëdhëniet Shqiptaro-Serbe

Opinione

Albanofobia në Serbi mban peng marrëdhëniet Shqiptaro-Serbe

Nga: Prof. Lisen BASHKURTI Më: 24 korrik 2019 Në ora: 11:35

Albanofobia është një ndjenjë antishqiptare që mbart në vetvete diskriminim ose paragjykimin për shqiptarët, si grup etno-kulturor, i cili ndodhet në gjendje komunitetesh të mëdha emigrantësh shqiptarë nëpër vende të ndryshme të botës, siç janë Italia dhe Greqia, ose si komunitet etno-kulturor pakicë në shtetet fqinjë të Shqipërisë, siç janë Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia.

Krahas tipareve të përgjithshme që karakterizojnë edhe ksenofobitë e tjera në botë, albanofobia ka specifikat e saj, që lidhen me kushtet dhe rrethanat e marrëdhënieve të shqiptarëve dhe shtetit të tyre kryesisht me fqinjët. Nga pikëpamja e përcaktimit shkencor, albanofobia është e njësuar me anti-shqiptarizmin në mjaft studime kombëtare dhe ndërkombëtare, pasi dallimet midis këtyre dy përcaktimeve janë të papërfillshme.

Vështruar nga perspektiva historike, përcaktimi mbi albanofobinë është përdorur për herë të parë në botime shkencore nga studiuesi i shquar shqiptar, Arshi Pipa, i cili lindi në Shqipëri, por u largua për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbas Luftës së Dytë Botërore. Arshi Pipa përdor termin albanofobi në vitin 1982, në “The South Slav Journal”. Studiues të tjerë, Mai nga Italia dhe Ana Triandafillidhu nga Greqia i janë referuar gjithashtu definicionit albanofobi në studimet e tyre në vitet 2002 në raportin analitik “Racizmi dhe Diversiteti Kulturor në Mass Media”.

Serbia dhe populli serb kanë albanofobi mjaft të thellë, të përhapur dhe në nivele dhe kategori të ndryshme. Lindja, përhapja dhe nivelet e albanofobisë në Serbi kanë kaluar nëpër disa faza të historisë së marrëdhënieve shqiptaro-serbe. Qysh nga ofensiva e dyndjeve osmane në fund të shekullit të XIV-të, shqiptarët dhe serbët patën një qasje të përbashkët anti-osmane. Beteja në Fushë-Kosovë dhe ngjarjet që e pasuan atë dëshmojnë se të dy këto popuj përputheshin në qëndrimin e tyre kundër pushtimit Osman të Rajonit. Kjo lloj filozofie politike u ringjall edhe në fillimet e shekullit të XIX-të, atëherë kur shqiptarët e Pashallëkut të Janinës dhe Serbët nisën lëvizjet kundër Perandorisë Osmane për krijimin e shteteve të tyre të pavarura mbas rënies së Napoleon Bonapartit dhe nisjes së Sistemit të Vjenës. Në fakt, të dy këto popuj, edhe shqiptarët edhe serbët tentuan përpara kohe për të goditur Perandorinë Osmane. Sistemi i Vjenës kishte firmosur status quo-në me Osmanët në vitin 1815. Aristokracia Evropiane po restauronte situatën e mbas Bonapartit dhe për këtë arsye donte pakt mirëkuptimi me Osmanët. Shqiptarët dhe serbët vepruan kundër tendencave të rendit të Meternikut. Prandaj të dy këto popuj u ndëshkuan nga koha. Shqiptarët dështuan në përpjekjet që nga Pashallëku i Janinës të hidhnin hapat drejt pavarësisë (26), ndërsa serbët u goditën deri në shpartallim qysh në hapat e parë të iniciativës shtet-firmuese (27).

U desh të kalonte gjysma e parë e shekullit të XIX-të, që shqiptarët dhe serbët të rikonsideronin doktrinat e tyre shtetformuese. Por, në këtë periudhë kishte ndodhur një ndryshim i madh midis tyre. Këtë ndryshim e kishte kushtëzuar dalja e Rusisë si fuqi botërore me pretendime direkte edhe në Ballkan. Ishte koha që Rusia po materializonte synimin për ta shndërruar Rusinë në fuqi botërore. Kjo ambicie kërkonte që Rusia të bëhej fuqi detare. Po vinte momenti për realizimin e synimit të Car Pjetrit të Madh.

Në arenën Euro-Aziatike dalja e fuqishme e Perandorisë Ruse do të fuste politikat klienteliste edhe në Ballkan. Klientelizmi Rus do mbështetej tek raca sllave e besimit ortodoks në Gadishull. Shqiptarët dhe serbët i përçau politika imperiale e Rusisë Cariste në gjysmën e dytë të Shekullit të XIX-të. Ndërkohë, Fuqitë Evropiane dhe akoma më pak Perandoria Osmane nuk e parandaluan dot këtë përçarje ballkanike. Fuqitë Evropiane dhe Perandoria Osmane i thelluan akoma më shumë politikat klienteliste në Ballkan.

Tentativa e parë strategjike Ruse ishte në përpjekjen për marrjen me dhunë të Krimesë. Kjo provokoi luftë midis Fuqive kryesore të mëdha. Lufta e Krimesë në vitet ’50 të shekullit të XIX-të ishte një tentativë e pasuksesshme e Rusisë, por dështimi i Rusisë në konfrontimin me Britanikët dhe Francezët në Krime nuk do thoshte aspak se Rusia hiqte dorë nga synimet e veta. Perandoria Ruse kishte synim madhor kapjen e hapësirave politike të Perandorisë Osmane në rënie. Për këtë Rusisë i duheshin aleatë. Aleatët më të afërt natyralisht të saj ishin popujt sllavë të Jugut. Në krye të tyre ishin Serbia dhe serbët.

Nga momenti politik i Luftës në Krime e tutje shqiptarët u ndjenë gjithnjë e më të diferencuar nga Serbia dhe serbët. Ky diferencim nuk kishte ardhur nga shqiptarët, madje nuk kishte pas qenë i iniciuar më herët edhe as nga vetë serbët, por ishte kryesisht i nxitur, i mbështetur dhe i financuar nga Rusia. Serbia dhe doktrinarët e saj, siç ishte Ilia Garashanini (Doktrina e Naçertanies) e përdorën këtë konjukturë për synimet e veta ekspansive në Ballkan. Pra, ishte Rusia që u ndërfut midis popujve të Ballkanit, që prodhoi diferencimin ndërmjet tyre dhe mbi këtë diferencim ndërtoi edhe strategjitë e aleancave dhe mbështetjeve të saj. Perandoria Ruse e shekullit të XIX-të shkatërroi solidaritetin Ballkanik, i dha fund mbështetjes së tyre tek njëri-tjetri dhe prodhoi përplasjet e tyre edhe për njëqind vitet që do pasonin. Ishte pikërisht doktrina gjeopolitike Ruse që e shndërroi Ballkanin nga një fushë solidariteti anti-osman në “fuçi Baroti” kundër njëri-tjetrit.

Mbas dështimit në Luftës së Krimesë shpalosja e dytë ndërkombëtare e strategjisë Ruse drejt territoreve të Perandorisë Osmane u bë gjatë Krizës Lindore (1877- 1878). Gjatë kësaj krize Rusia skicoi qartësisht aleatët e saj në Evropën Juglindore dhe Ballkan. Serbia iu nënshtrua tërësisht interesave Ruse. Madje, doktrinarët serbë përpiluan doktrinën e Naçertanies jo aq të bazuar në Realpolitikën Ballkanike, por më shumë në hegjemonizmin Rus.                          E thënë ndryshe, Serbia përpiloi doktrinën gjeopolitike të saj duke u bazuar më shumë në interesat Ruse në Rajon dhe pritshmëritë që vinin prej saj, sesa në realitetit gjeopolitik Ballkanik dhe në mundësitë e saj të brendshme.

Për sa kohë Rusia do e mbështeste Serbinë në këtë doktrinë, serbët do kishin sukses. Në momentin kur Rusia do tërhiqej nga synimet direkte në Ballkan, serbët do ndiheshin në vakum gjeopolitik Rajonal dhe do fillonin humbjet gjeopolitike. Rasti i gjeopolitikës Serbe na jep mësimin se ndërtimi i doktrinave gjeopolitike nacionale të shteteve nuk mund të bazohet në synime dhe interesa të shteteve të tjera, qofshin edhe fuqi të mëdha. Doktrina gjeopolitike është ekskluzivisht e brendshme për çdo komb, ajo diktohet nga elementët e fuqisë kombëtare si territori, popullsia, resurset natyrore, klima, pozita gjeografike, kapaciteti ekonomik, fuqia ushtarake, efikasiteti diplomatik, burimet njerëzore, shërbimet inteligjente, informacioni, kultura, teknologjia dhe elementë të tjerë qe ndërlidhen me to në një kuadër gjeografik dhe interesash politike objektivisht të përcaktuara. Doktrinat gjeopolitike kombëtare mund të konsiderojnë elementët e jashtëm vetëm si mbështetës dytësor, por asesi kryesor.

Doktrinarët serbë u joshën nga Rusia dhe e bënë këtë gabim historik, i cili do rezultonte fatal për ardhmërinë e tyre. Atë që doktrinarët dhe politikanët serbë e fituan për sa kohë Rusia i mbështeti, ata do ta humbisnin sapo Rusia të tërhiqej apo të dobësohej ndërkombëtarisht. Prandaj Serbia e fillimit të shekullit të XXI-të u rikthye te Pashallëku i Beogradit, duke lënë jashtë hap pas hapi çdo ekspansion që e kishte arritur me mbështetjen prioritare të Rusisë.

Në një farë mënyre edhe albanofobia e lindur, ngulitur dhe përhapur në Serbi dhe në popullin serb lidhet me ndikimin Rus. Origjina bazike e albanofobisë në Serbi dhe te serbët filloi pikërisht atëherë kur Serbia e mbështetur nga Traktati i Shën Stefanit (1878) i imponuar mbi Osmanët nga Rusia shtriu territoret politike të shtetit të saj mbi territore dhe popullsi shqiptare.

Mbas shpalljes së pavarësisë dhe njohjes ndërkombëtare të saj në Kongresin e Berlinit (1878), Serbia drejtoi haptazi dhe me gjithë fuqinë e saj synimet territoriale mbi shqiptarët. Në Luftën e Parë Ballkanike në vitin 1912 akademikët, politika dhe media serbe organizuan një propagandë shumë të fuqishme kundër shqiptarëve 36. Me anë të saj, Serbia përgatiti pushtimin e Kosovës dhe përfshirjen e saj në hartën e vet politike për herë të parë. Deri në atë periudhë Kosova ishte Vilajet shqiptar më vete, në kuadër të organizimit të brendshëm të Perandorisë Osmane. Pikërisht në vitin që shpërtheu Lufta e Parë Botërore (1914), Qeveria e Mbretërisë Serbe nxori “dekretin mbi tokën”. Ky dekret, i cili hyri në fuqi në vitin 1919, pra mbas Luftës së parë Botërore, kohë kur u themelua Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene, parashikonte tjetërsimin e plotë të tokës për popullsinë fshatare shqiptare.

Periudha midis dy Luftërave Botërore ringriti frymën antishqiptare në qarqet akademike dhe politike Serbe. Pikërisht në vitin 1937 Akademia Serbe e Shkencës dhe e Arteve u angazhua për përgatitjen e një platforme kundër shqiptarëve. Në krye të kësaj punë u vu akademiku e politikani, Dr. Vasa Çubriloviç.  Vasa Çubriloviç kishte lindur në vitin 1897. Sipas burimeve të ndryshme, kishte qenë pikërisht ky djalë që në vitin 1914 kishte qëlluar mbi Princin trashëgimtar të Austro-Hungarisë në Sarajevë, çka provokoi shpërthimin e Luftës së Parë Botërore. Për shkak të moshës fëminore Çubriloviçi i vogël i shpëtoi dënimit. Natyrisht, ky episod dëshmon që Vasa Çubriloviçi ishte përfshirë herët në veprimtari kriminale. Me kalimin e viteve ai u shkollua dhe arsimua si dhe u rendit ndër qarqet akademike të njohura serbe. Vepra e tij më e madhe mbetet memorandumi “Përzënia e Shqiptarëve”. Në këtë memorandum, Çubriloviçi jep metodat që duhet të ndiqeshin nga politika serbe për të përzënë shqiptarët nga trojet e tyre etnike. Ndër këto metoda përfshiheshin krijimi i psikozës me anë të korruptimit të nëpunësve për të inkurajuar shqiptarët për tu larguar nga vendi; imponimi i ligjeve detyruese për çdo dokument; rrafshimi i fshatrave të banuara nga shqiptarët; aplikimi i rregullave të ashpra policore; taksa dhe pagesa të pamëshirshme për çdo detyrim privat dhe publik; risekuestrimi i të gjithë tokave kullotë; ndërprerja e gjithë koncesioneve; tërheqja e lejeve për ushtrimin e së drejtës së banimit; heqja nga postet qeveritare; shkatërrimi i varrezave shqiptare dhe shumë e shumë metoda të tjera.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, udhëheqja komuniste Jugosllave dërgoi të ngarkuar special serbë dhe malazez për krijimin e Partisë Komuniste Shqiptare dhe i mbajti ata edhe si të deleguar në tërë procesin politik dhe ushtarak të Shqipërisë në periudhën 1941-1948. Ky mision luajti rol të errët dhe shumë konspirativ, sidomos për të penguar me çdo kusht mundësinë e bashkimit të Shqipërisë me Kosovën. Në dobi të këtij qëllimi strategjik serb ishte edhe organizimi i masakrës së Tivarit gjatë Luftës së Dytë Botërore, gjatë së cilës u vranë në mënyrë gjenocideske rreth katër mijë shqiptarë. Kjo masakër u bë shkak i një memorie të rëndë dhe të pazbardhur për shumë dekada në kujtesën midis dy popujve, shqiptar dhe serb.

Gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë albanofobia mbeti si një stereotip konstant në qarqet politike, diplomatike, akademike dhe mediatike serbe. Edhe vetë Tito, i cili ishte etnikisht kroato-slloven dhe dëshironte gjatë tërë pushtetit të tij një Jugosllavi Federale të fortë me një Serbi unitariste të dobët i përdori shqiptarët për gërryerjen së brendshmi të Serbisë. Tito bënte lëshime ndaj shqiptarëve për t’i ndërsyer kundër serbëve. Shqiptarët dhe Serbët e lexonin nga këndvështrime krejt të ndryshe politikën titiste. Shqiptarët e lexonin këtë taktizim titist si përkrahje të tyre. Ndërsa serbët e lexonin taktizimin titist si lëshim që Tito u bënte interesave shqiptare. Realisht nuk ishte as njëra as tjetra. Thjeshtë Tito e përdorte faktorizimin shqiptar jo për t’i dhënë atyre të drejtat që i meritonin, por për t’i përdorur si element etnik antiserb për dobësimin permanent të Serbisë. Kjo manovër titiste duket edhe në disa momente kur zyrtarë të lartë serb, si Aleksandër Rankoviç goditën fuqishëm Kosovën, popullin dhe intelektualët e saj. Në këto raste Tito nuk ka reaguar asnjëherë në mbrojtje të shqiptarëve. Përkundrazi, Tito i ka arsyetuar ato politika antishqiptare me argumentet se janë cënuar interesat legjitime të Serbisë.

Barometri matës i politikave serbe ndaj Kosovës gjatë regjimit të Titos nuk ishin raportet që ndërtonte Serbia me shqiptarët, por ndikimet që këto raporte kishin në balancat Serbe nga njëra anë dhe kroato-sllovene nga ana tjetër. Për sa kohë represioni serb mbi shqiptarët nuk sillte ndryshime të balancave serbo-kroato-sllovene, Tito nuk shqetësohej për shqiptarët. Vetëm kur raportet e politikave serbe ndaj shqiptarëve cënonin balancat serbo-kroato-sllovene, Tito reagonte për të dobësuar Serbinë dhe fuqizuar klanin Kroato-Slloven. Me fjala të tjera, shqiptarët ishin për Titon element taktizimi për të ruajtur balancat e brishta midis Serbisë dhe Kroato-Sllovenëve në dobi të këtyre të fundit.

Vdekja e Titos në vitin 1980 solli ndryshime të menjëhershme në jetën e popujve të Jugosllavisë. Gjatë kohës së Titos, sidomos mbas prishjes me BRSS popujt e Jugosllavisë kishin parë një përmirësim radikal të standardit të jetës së tyre. Jugosllavia ishte bërë një pikë referimi zhvillimor në Evropën Lindore. Kështu raportonte Nju Jork Times me rastin vdekjes së Josip Broz Titos me 5 maj 1980.

Nga fundi i viteve ’80 dhe fillimi i viteve ’90, pra afro një dekadë mbas vdekjes së Titos në disa aktivitete zyrtare të larta të Serbisë në Kosovë u shpalos hapur albanofobia serbe ndaj shqiptarëve. Në përgjithësi gjatë sundimit të Sllobodan Millosheviçit, media nacionaliste serbe nxitën së tepërmi pikëpamjet dhe ndjenjat ksenofobe kundër popujve të tjerë të Jugosllavisë. Në këtë fushatë paralufte dhe gjatë lufte, shqiptarët karakterizoheshin masivisht dhe në mënyrë permanente si kundra-revolucionarë, anti-jugosllavë, dhunues dhe kërcënim i nacionalizmit serb (38).

Kulmi i shpërthimit të antishqiptarizmit tek nacionalistët serb arriti në luftën e Armatës Serbe në Kosovë gjatë viteve 1998-1999. Gjatë kësaj lufte forcat serbe, me dhe pa uniformë, zyrtare dhe jo zyrtare, formale dhe të zeza, policore dhe parapolicore, ushtarake e paramilitare, të hapura dhe sekrete bënë diskriminim permanent që arriti deri në krime kundër njerëzimit, masakra dhe gjenocid mbi popullsinë shqiptare. Në akuzën kundër Millosheviçit dhe pasuesve të tij në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë thuhet: “Në tërë Kosovën, forcat e Federatës se Republikave të Jugosllavisë dhe të Serbisë kanë provokuar, frikësuar dhe degraduar shqiptarët civil të Kosovës përmes abuzimeve fizike dhe psikike. Policët, ushtarët dhe zyrtarët ushtarak kanë realizuar në mënyrë permanente fyerjet, shpifjet raciale, veprimet degraduese, goditjet dhe forma të tjera të keqtrajtimin fizik bazuar në identifikimin racial, fetar dhe politik”.

Aktualisht, mbas afro një dekade e gjysmë mbas lufte dhe të shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia, sërish albanofobia vijon të mbetet një prej barrierave të mëdha për normalizimin e marrëdhënieve shqiptaro-serbe. Një sondazh i ndërmarrë në Serbi kohët e fundit tregon se 40 % e popullatës serbe nuk do të dëshironte që shqiptarët të jetonin në Serbi, ndërsa rreth 70 % e serbëve nuk do të dëshironin që të martoheshin me shqiptarë.

Përballë kësaj krize të ngrirë, politika dhe diplomacia aktuale Serbe, e drejtuar nga dyshja Vucic-Dacic, jo vetëm që nuk kanë bërë asnjë përpjekje për zbutjen e albanofobisë në hapsirat politike Serbe, por përkundrazi, e përdorin albanofobinë për qëllimet e tyre politke të brëndshme dhe strategjinë e tyre Ballkanike. Dyshja Vucic-Dacic nuk kanë të vërtetat historike të politikave Serbe ndaj shqiptarëve, nuk bërë asnjë kërkim falje dhe nuk kanë demonstruar as më të voglin pendim për tragjeditë njerëzore dhe dëmet kolaterale të shkaktuara mbi shqiptarët.

Edhe faktori ndërkombëtar Perëndimor nuk e ka konsideruar sa dhe si duhet praninë e albanofobisë në politikën dhe shoqërinë serbe. Më së shumti faktori Perëndimor është munduar që të bëjë zgjidhje teknike, qofshin politike apo juridike, por pa u përpjekur që të depërtojë dhe të ndikojë në rrafshin psikologjik, mental dhe shpirtëror të shoqërisë dhe politikës serbe.

Pa rrëzuar gradualisht muret e ksenofobive që vijojnë të ekzistojnë në mjediset Serbe, do të duhet shumë kohë e gjatë që të presim ndryshimet e mëdha të dëshiruara për normalizimin e marrëdhënieve shqiptaro-serbe. Zbutja deri në rrafshim i mureve të ksenofobive që qëndrojnë si barriera midis shqiptarëve dhe serbëve kërkon angazhimin e gjithë mënyrave dhe rrugëve relevante ideore, psikologjike, kulturore dhe shpirtërore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat