Mendësia tribale dhe sistemi i arsimit modern - Bota Sot
Mendësia tribale dhe sistemi i arsimit modern

Opinione

Mendësia tribale dhe sistemi i arsimit modern

Nga: Enver Rexha Më: 26 korrik 2019 Në ora: 10:06
Enver Rexha

Kur një popull, apo qoftë edhe një individ rrezikohet nga një tjetër lloj, motivi për mbijetesë e bën atë më rezistent dhe më të qëndrueshëm, por kur sulmi apo rreziku vjen nga fara e njëjtë motivi për mbijetesë zbehet.

Arsimimi i shqiptarëve është luftuar me shekuj nga të huajt, por ne kemi rezistuar dhe ia kemi dalë të ruajmë qenësinë tonë etnike, por sot, kur identiteti ynë po sulmohet nga vetë shqiptarët, si të mbrohemi?

Për arsimin kosovar në njëzet vitet e fundit është folur, përfolur e stërfolur; është debatuar e diskutuar; janë shkruar shumë shkrime kritike e analitike; por – të gjitha këto – deri sot kanë hasur në veshë të shurdhër. Fitohet përshtypja se me injorimin e kësaj problematike, institucionet, me qëllim, po e rrënojnë segmentin më të rëndësishëm të shoqërisë, sepse vetëm kështu – me sa më tepër të paditur – mund ta vazhdojnë sundimin e tyre mbi këtë popull.

Ngarendja e disa njerëzve pas pozitave udhëheqëse, që ua mundësojnë koalicionet partiake në pushtet, në të gjitha nivelet, duke filluar nga ministrat e arsimit, drejtorët e DKA-ve e deri te drejtorët e shkollave, i shtynë këta njerëz pa integritet moral, me ambicie afariste dhe vese narcisoide, që si qëllim më vete ta kenë që t’u shërbejnë sa më mirë padronëve të tyre, e të sillen sa më me fodullëk ndaj të tjerëve.

Mungesa e integritetit moral të këtyre njerëzve, që lidhet me formimin e përgjithshëm kulturor dhe atë të ngushtë profesional (të tyrin), ka bërë që t’i hapet rrugë nepotizmit familjar, partiak e krahinor, korrupsionit në përgjithësi, deri tek shitja e vendeve të punës në favor të tyre apo padronëve të tyre partiakë, duke mos përfillur asnjë normë apo parimin e meritokracisë. Kjo kastë zyrtarësh, në esencë krejtësisht të paaftë,  të komanduar nga politika, me “sojin e sorollopin e tyre është futur deri në palcë të arsimit në Kosovë për të kënaqur epshe nga më poshtërueset” me metodat dhe mjetet më të papranueshme. Për këta ligjet dhe normat nuk kanë peshë, sepse sundon arbitrarizmi tribal mbi sistemin arsimor.

Ndrydhja dhe pengesat që i bëhen shfaqjes së njerëzores është pikërisht kriza e përgjithshme shoqërore që anon së tepërmi nga i-moraliteti, ku mekanizmat e përndjekjes së njerëzve, me mënyrat më perfide, më të rafinuara të thurjes së intrigave dhe shpifjeve janë pikërisht njerëzit në pushtet që kanë shndërruar në sistem jetese lloj-lloj “çmendurish” e “marifetesh”! Sedra e lënduar e tyre dhe fanatizmi i tërbuar partiak, zilitë meskine, tribalizmi, korrupsioni etj., i nxit ata kundër njerëzve që nuk kanë bërë krim tjetër veçse nuk pajtohen me mendimet, sjelljet dhe veprimet e tyre.

Pasivizimi i aftësive potenciale të intelektualëve, që duhet të jenë të gjalla tek njeriu (mendimi, ndjenja, imagjinata, ndërgjegjja morale) si dhe rrjeti institucional i këtyre “profetëve të paracaktuar” nga politika MBI sistemin arsimor, vetëm sa e bëjnë më të lehtë që me spontanitet të shuhen objektivat bazë të arsimit: kreativiteti dhe mendimi kritik, dhe të kultivohen më tepër marrëzi të “rrjetit institucional” që sapo përmendëm. Heshtja përballë këtij fenomeni nuk e shfajëson as komunitetin arsimor për mungesën e arsyes, guximit dhe kurajos civile. Ne, me dëshirën tonë, lejojmë të jemi të zvarritur dhe të mashtruar, duke pranuar mortifikimin e kësaj ndjeshmërie jetike për zhvillimin tonë. Të rinjtë dhe të rejat, që ua mësyjnë konkurseve për të dhënë kontributin e tyre në këtë mision të shenjtë, jo rrallëherë, përballen me “marifetet” e këtyre zyrtarëve me moral të kontaminuar, duke mos marrë përgjigjen e drejtë dhe të merituar.

Çuditërisht, njerëzit me moral të tillë aq bukur janë ambientuar e ne sikur jemi “familjarizuar” me ta, saqë, të gjithë, nga përvoja e dimë se pranimi nëpër vende të reja pune bëhet për tri arsye: 1- ose për raporte amorale me kandidatin/en e favorizuar 2- ose për marrje të mitos 3- ose për nepotizëm, e që të tria këto raste paraqesin korrupsion, dhe reagimi ynë, protesta jonë mungon, sikur asgjë nuk po ndodh dhe ndjehemi më mirë “të palohemi” e të mos bëjmë zë. Oportunizmi ynë vret. Ani na vret ne.  

Nga latinishtja ,,corrumpere'' nënkupton sinonime të kuptimeve prish, shkatërroj, dëmtoj, falsifikoj, jap dhe marr ryshfete, veprime amorale etj. Pra, njerëzit e këtillë arsimit i kanë shkaktuar: prishje, rrënim, shkatërrim, demolim e avari. Vetëm me veprime radikale të organeve të drejtësisë mund të parandalohen çakejtë e tillë, e të fillojnë të krijohen kushtet që arsimi të fillojë të kurohet ngadalë.

Deri më tani, trajnimet që kanë kaluar apo po kalojnë mësimdhënësit e Kosovës nuk janë gjë tjetër veçse një “konventë i-relevante”, një imitim i mjerë, një grumbull kaotik njohurish, një peshë e rëndë kuantitative, bartësit e së cilës kanë një qëllim: Përfitimin material me anë të honorarëve. Trajnimet dhe seminaret në arsimin modern bëhen me qëllim të ri-vitalizimit sipas disa kritereve shkencore, didaktike të nivelit të përgjithshëm, nga specialistë të fushave, dhe jo nga diletantët. Shoqërisë i shërbehet, duke ofruar cilësi në shkollim, duke e transformuar arsimin sipas ideve dhe idealeve në një arsim veprues, për t’i dhënë atij një trajtë vërtet njerëzore. Ambiciozët që kanë marrë ose pretendojnë për të marrë përsipër drejtimin e institucioneve arsimore, nëse nuk janë të sëmurë me sëmundjen e përhapur të kohës sonë “këtë sëmundjen shkatërruese të kohës moderne”, dhe kanë një formim të përgjithshëm kulturor, do të duhej t’i kthehen retrospektivës sonë historike. Po ta kthejnë kokën mbrapa, të ndalen në vitin 1909, kur në Elbasan intelektualët Aleksandër Xhovani e Luigj Gurakuqi hapen Normalen e parë dhe morën drejtimin e saj, mjafton t’i kujtojmë këto dy figura të shquara intelektuale, historike dhe kombëtare, jo për të bërë krahasimin me ta, por, të paktën për t’i bërë thirrje ndërgjegjes sonë njerëzore që të ngritemi në pozita të njëjta me ta. Apostrofoj “ndërgjegjes njerëzore” sa për t’i’u vënë në dijeni, se edhe dashi ka ndërgjegje, por nuk e vret dot!                                                                          

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...