Dorëheqja e Kryeministrit Haradinaj: Shqetësim, dhe Shpresë!

Opinione

Dorëheqja e Kryeministrit Haradinaj: Shqetësim, dhe Shpresë!

Nga: Magjister Agim Aliçkaj Më: 26 korrik 2019 Në ora: 12:59
Ramush Haradinaj

Ishte ky një lajm shqetësues, por i pritur.  Për, Kryeministrin, edhe pse politikisht të dobësuar, shpëtim nga “koalicioni jolojal i dëmshëm për Kosovën”, dhe këthim në vendin e merituar të patriotëve dhe heronjve të kombit.  Për Kosovën, kulmi i  çfrenimit të shovenizmit serb, dhe, për më keq kulmi i padrejtësisë ndërkombëtare ndaj popullit të Republikës së Kosovës. Për ata që janë optimist, shans dhe shpresë për një ngritje të madhe kombëtare.

Akti i gjykates së Hagës për ta marrë Kryeministrin e Kosovës në pyetje, i cili ishte faktor dominant që e shtyri atë në dorëheqje, pa marrë parasyshë arësyen, ngjallë dyshime, dhe e dëmton autoritetin e saj si vend i drejtësisë. Pse tash, pse  Kryeministri Haradinaj, luftëtarë i lirisë, për herë të tretë në Hagë, po ku janë shumë kriminel të vërtetë ?! Kjo  gjykatë rrezikon të vlerësohet dhe dëshmohet si gjykatë politike. 

Politika ndërkombëtare 20 vjeçare,  fundamentalisht e gabuar, e barazimit të  agresorit serb me viktimën shqiptare, e përkrahjes së  “politikanëve servil”  siçpohojnë amerikanët  “politically correct” të Kosovës, e kombinuar me ledhatim të Serbisë, dhe lëshime të njëpasnjishme në dëm të Kosovës, duket se dështoi përfundimisht.  Është absurde dhe e pakupëtueshme, si u lejua Serbia  agresore  dhe humbëse e luftës të shëndrrohet në “viktimë”, në vend se të dënohet për krimet e dokumentuara monstruoze.
 Duhet shpresuar dhe besuar se erdhi koha për një rrugë tjetër!
 
 Erdhi, koha për një thyerje të madhe, ngritje të madhe kombëtare. Erdhi koha për një rezistencë të re, e të organizuar paqësore. Rezistencë gjithëpopullore me zgjedhje të reja dhe forma tjera, kundër padrjetësisë ndërkombëtare dhe klasës  politike të korruptuar e të dështuar.  Populli i Kosovës  nuk ka çka të humbë më shumë. Liria nuk mund ti merret më kurrë, luftën e ka fituar  dhe luftërat kan përfunduar.  Kosova, është e shenjtë për kombin shqiptar, nuk bën dhe  nuk mund të ndahet, shkëmbimi i teritorit, është katastrofale dhe i parealizueshëm . Zgjidhja e imponuar është burim i konfliktit të pafund dhe nuk bën të pranohet kurrë nga populli i Kosovës.
Dhe kështu duhet shpresuar se klasa politike ( pozitë dhe opozitë) do të ballafaqohet me realitetin, do ti kuptojë,  dhe, pranojë dështimet,  dhe  të fillojë me ndryshimin e kursit të veprimit. 

Duhet shpresuar, se ky popull i shumëvuajtur, do të nxjerr në krye, si shumë herë më parë gjatë një historie të vështirë, por të lavdishme, lider të fortë,  patriot të vërtetë, që e duan kombin më shumë se veten, pa ngarkesa nga e kaluara, të pakorruptuar e të pafrikë, që afrojnë dhe angazhojnë kuadro të fortë dhe të aftë  për ta çuar çështjen përpara për një zgjidhje të drejtë, në të mirë të Kosovës, Serbisë dhe të mbarë Evropës.
 
Njohja zyrtare e Republikës së Kosovës nga Serbia, dhe të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian, si dhe  pranimi në OKB, në kufijt  ekzistues, të pranuar me shpalljen e pavarësisë, është parakusht  i panegociushëm për një  zgjidhje të vërtetë dhe të përherëshme. Vetëm kjo mund të hapë rrugë për bisedime qenësore me Sërbinë, në lidhje me marëdhënjet ndërshtetërore dhe trajtim të minoriteteve në të dyja shtetet. Pa këtë njohje nuk ka për çfarë të bisedohet.
Koha e bisedimeve të kota antishqiptare ka kaluar.

E drejta është në anën tonë. Evropa dhe Amerika duhet ballafaquar me fakte dhe argumente. Serbët në Kosovë i gëzojnë të gjitha të drejtat  dhe shumë privilegje, më shumë se çdo minoritet tjetër në botë.  Me ta duhet biseduar vazhdimisht për integrimin e tyre në shtetin e Kosovës.  Nga ana tjetër , shqiptarët në Serbi ,  Maqedoni, Mal të Zi  dhe në Greqi janë  të diskriminuar, gjë që shumë lehtë mund të dokumentohet. Sankcionet ekonomike të Qeverisë së Republikës së Kosovës, janë  të domosdoshme dhe përgjigje e merituar ndaj sjelljeve destruktive të klasës politike shoveniste serbe. Ata që kërkojnë të hiqen apo suspendohen , duhet ta përdorin trurin dhe ta pyesin veten, pse Amerika, nuk i suspendon sankcionet kundër Iranit dhe Koresë Veriore  për të biseduar?!  Nuk ka kurrëfarë dallimi në mes të Iranit dhe Sërbisë, natyrisht në shkallë të ndryshme. 

 Terroristët, diktatorët , shovenistët dhe komunistët,  e kuptojnë dhe e respektojnë vetëm gjuhën e forcës dhe presionit të vërtetë.
Përpjekjet e fundit serbe për ta siguruar përkrahjen amerikane në realizimin e synimeve të tyre shoveniste dhe ekspanzioniste në Ballkan dhe më gjërë do të dështojë. Amerikanet e dinë fare mirë se serbët me shumicë janë pro-rus dhe anti-amerikan të përbetuar kurse shqiptarët anti-rus dhe pro-amerikanë të përjetshëm. Nuk ka  logjikë të besohet se administrata  patriotike  amerikane  “America First”  e presidentit Trump mund të heqë dorë nga interesat strategjike në Evropë dhe investimin e madh në Kosovë,  që do ti shërbente Interesave të hegjemonizmit ruso-serb.
Interesat strategjike të shqiptarëve dhe të amerikanëve janë të njëjta.    

Por,  Amerika, nuk ka kohë t’i kryej punët tona. Me veprimin, luftimin e korrupsionit,  angazhimin dhe organizimin tonë, ne duhet ta meritojmë përkrahjen amerikane. Ndryshimet  qenësore janë të domosdoshme dhe duhet urgjentisht të  fillojnë  në Kosovë, Shqipëri, dhe trojet tjera shqiptare.  Mërgata shqiptare është në ankth dhe pritje të këtyre ndryshimeve. Është e gatëshme për përkrahje me veprime lobiste dhe aktivitete tjera në arritjen e një zgjidhje të drejtë dhe përfundimtare  të çështjes sonë kombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat