Përmbytje finale e snobizimit ose dekompozim shoqëror

Opinione

Përmbytje finale e snobizimit ose dekompozim shoqëror

Nga: Remzi Salihu Më: 30 korrik 2019 Në ora: 14:42
Remzi Salihu

Sofistikimi i kulturës së mediokritetit në shoqërinë tonë, është bërë ushqim i përditshëm dhe i përshtatshëm i popullatës. Kjo formë kulture ndikuese dhe e vrazhdë, rrënjët e saja i ka të thella në lëndinën humusore të kultivuar dhe të përhapur nga vet njerëzit e përshtatshëm të këtij trendi kohor. Ky standard zhvillimor kulturor, synon tanimë tallavanë e saj në një standard të institucionalizuar, ku dhe shfaqet negativisht në zhvillimin normal të një populli.

Me ardhjen e demokracisë nëpër këto troje, uria e grabitjes së fjalës dhe veprimit të lirë ishte e madhe. Ajo u bë dorë e zezë dhe e gjatë e manipulatorëve dhe njerëzve pa ndërgjegje të pastër edukative familjare. Secili donte të grabis hise njerëzore të pa merituar për t’u dukur rrejshëm dhe në mënyra të ndryshme për t’u avancuar shpejt e shpejtë nëpër rrjetën e demokracisë së brishtë. Kapitalizmi vulgar ua hapi të gjithëve këto dyer të mbyllura të synimit, që donin ta tjetërsonin dhe ndryshonin veten. Shoqëria doli nga burgu i njëmendësisë së kufizuar me pasoja të mëdha.

Sepse për të qenë i barabartë me shoqëritë e emancipuara të vendeve me traditë të gjatë demokratike, qytetari jonë lakmoi ngritjen profesionale të ngutshme dhe jo të duhur. Ajo i improvizoi thjeshtë gjërat sistemore dhe riradhiti ato sipas interesave klanore dhe fisnore të vrazhda. Shumica që u përshtatën kësaj mode defiluese, në thonjëza atraktive, u pispillosën me frymën intelektuale formaliste, ndaj vrapuan pa busull drejt grabitjes së vlerave shoqërore tradicionale. Madje, madje uzurpuan dhe privatizuan edhe kulturën tradicionale të mirëfilltë.

Koha kërkonte sakrifica të mëdha, kurse qytetari i zakonshëm nuk posedonte vetëdijen dhe ndërgjegjen e pastër t’i thotë vetes ‘’stop’’ për gjërat që si meriton, sepse nga veprimet aksidentale të grabitjes, mund të ndikoj keq në pozicionin që merr me ndikim të përgjithshëm shoqëror. E keqja më e madhe e qenies njerëzore është atëherë kur individi nuk posedon në vete aftësi dhe zhdërvjelltësi përvoje jetësore të mirëfilltë, që të kuptoj se për shumë gjëra nuk është i aftë. Një pjesë e madhe e njerëzve u ngutën të krijojnë individualizmin e rrejshëm, që të veprojnë pa kriter në arenë kohe. Këtë vrap të pa kontrolluar atyre ua mundësoi edhe teknologjia e sofistikuar bashkëkohore, që vjedhja dhe përshtatja në ‘’demokraci’’ të bëhet më e shpejtë. Tani të gjithë notojmë në mediokritet e kiç, ndaj e kemi të rëndë të dalim lehtë  në bregun e shpëtimit avandgard.

Populli ynë, gjeostrategjikisht, jeton në një hapësirë të mrekullueshme klimatike e materiale, por ajo dhunti është e pa shfrytëzuar fare, apo aspak në mënyrë të duhur dhe racionale. Sentimentalizmi dhe përlotja qeverisëse na ka futur nëpër labirintet emocionale të rrugëtimit të keq romantik. Bëhemi kapadai dhe bajraktarista të mbrapsht, që pengohemi keq nëpër arrogancën provinciale e të prapambetur.

Fajtorin e kërkojmë gjithnjë te tjetri dhe kurrë atë vrazhdësi fajësie të madhe, nuk e shohim se e kemi të tatuazhuar thellë në vete. Nuk përpiqemi ta ndryshojmë dhe ta transformojmë veten. Shoqëria është e hapur, por jo për të vallëzuar me sherrin e përfitimit të ulët. Improvizojmë rrena e stërrena për të  mbijetuar rrejshëm. Kodin e përshtatjes dhe servilizmit e kemi mësuar përmendsh. Bëhemi të  mëdhenj, pa hiri, por fuqinë e muskujve dhe të pasqyrës së vetes e kemi të ‘’kllumur’’ në çerdhen e mizave përdhese.

Bëhemi ushtarë të thashethemeve, apo sonda shpuese të mëdha, por jo të gabimeve individuale dhe të fenomeneve të shëmtuara që janë duke na përmbytur. Sikur secili ta bënte punën e vet të merituar, si duhet, sot do të ishim shumë atraktiv për të na lakmuar të tjerët. Shumë vite demokratike kaluan, por akoma kemi mbetur nëpër dallgët e pa përballueshme të tranzicionit. Luajmë me politikën dhe kulturën nëpër batica e zbatica kohe, si macja me miun. Pakujdesia politike na i kthen punët mbrapsht. Konfrontohemi me pasojat dhe jo me shkaqet.

Rreziku i përgjithshëm vjen nga avansimi i shtirjes dhe kakofonisë kulturore mediokre. Jetike është të dominoj fryma e re shoqërore, që të zënë vend vlerat e mirëfillta. Vendit dhe qytetarëve nuk i duhen lidera dhe shefa të kultivuar nëpër kuzhinat totalitare të njëmendësisë përfituese, por individualistë profesional të vërtetë, me vetëdije pluraliste kreative që do të respektojnë sistemin dhe ligjin e mirëfilltë të vendit. 

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat