Ende nuk ka kushte dhe rrethana për regjistrim real të popullsisë në Maqedoninë e Veriut

Opinione

Ende nuk ka kushte dhe rrethana për regjistrim real të popullsisë në Maqedoninë e Veriut

Nga: Abdulla Mehmeti Më: 30 korrik 2019 Në ora: 14:54
Abdulla Mehmeti

Pavarësisht nga "garancat ndërkombëtare" dhe vullneti i mirë i disa forcave politike progresive në pushtetin aktual në Maqedoninë Veriore, regjistrim real dhe të saktë të popullsisë në këtë shtet edhe për gjatë kohë nuk mund të ketë, edhe pse ky operacion statistikor duhet të kryhet si obligim ndërkombëtar, meqë ky shtet është i vetmi në Evropë që nuk e ka kryer regjistrimin e popullsisë nga viti 2002. Regjistrimi i popullsisë pritet të zhvillohet nga data 1 deri më 21 prill të vitit 2020.

Këto ditë pritet që t'i jepet dritë jeshile ligjit të ri për regjistrimin e popullisë, sipas të cilit e gjithë procedura e këtij operacioni të gjerë statistikor do të kombinohet, në formë elektronike dhe me regjistrim në terren.

Me këtë ligj parashihet që përveç banorëve të përhershëm (rezidentë) në vend, të regjistrohen edhe personat që janë larguara në botën e jashtme jo më herët se para një viti, ndërsa ata që jetojnë jashtë shtetit më gjatë se dy vjet do të regjistrohen si kategori e veçantë, përkatësisht si pjesë të emigracionit të këtij shteti në botën e jashtme.

Çështje që e rëndojnë situatën në lidhje me këtë çështje janë, numri i madh i banorëve fiktivë, i cili sillet rreth 500 mijë, të cilëve pushteti i mëparshëm u ka dhënë dokumente personale, shtetësi, letërnjoftime dhe pasaporta, por që nuk janë banorë rezidentë të këtij shteti, numri i madh i banorëve të shpërngulur në botën e jashtme gjatë dy dekadave të fundit, i cili sipas Bankës Botërore është rreth 520 mijë banorë, dhe problemi i dhjetëra mijë shqiptarëve vendës të cilëve pa të drejtë nuk u jepet shtetësi, me këtë edhe u mohohet e drejta për regjistrim si banorë rezidentë të këtij shteti.

Çështja që më tepër i preokupon shqiptarët është dyshimi për regjistrim real, korrekt dhe të saktë për numrin e banorëve të këtij shteti, me këtë edhe numri i saktë i banorëve shqiptarë, duke pasur parasysh se gjatë dy regjistrimeve të mëparshme, më 1994 dhe 2002, dyshohet për falsifikimin e numrit të banorëve shqiptarë.

Regjistrimi i rregullt i radhës që është dashur të kryhet në vitin 2011 është anuluar për shkaqe politike, dhe për këtë janë zhvilluar hetime dhe vazhdon procedura gjyqësore kundër fajtorëve.

Sipas Marrëveshjes kornizë të Ohrit, dispozitave të kushtetutës aktuale dhe ligjeve në fuqi, të drejtat kolektive të shqiptarëve në këtë shtet janë të kushtëzuara, të limituara dhe dozuara në bazë të numrit të popullsisë shqiptare. Kjo vlen në të gjitha sferat e jetës, në përfshirjen e shqiptarëve në institucionet e pushtetit dhe administratë, përdorimin zyrtar të gjuhë shqipe, përdorimin e flamurit shqiptar, ndarjen territoriale, pushtetin vendor dhe decentralzimin, si dhe shumë çështje të tjera, që i bie se shqiptarët në këtë shtet trajtohen si numra dhe përqindje, prandaj edhe regjistrimi i saktë dhe korrekt i popullisë do të ketë rëndësi jetike për popullin shqiptar, i cili edhe më tej trajtohet si pakicë kombëtare në Maqedoninë Veriore.

Por, a mund të ketë regjistrim real e të saktë me këtë pushtet dhe koncept unitar të shtetit të ndërtuar pas pavarësimit të Maqedonisë në vitin 199, përgjigja e saktë dhe e prerë do të ishte: assesi jo.

Nuk mund të bëhet regjistrimi i saktë, korrekt dhe sipas standardeve ndërkombëtare, sepse në këtë çështje janë të implikuar shumë faktorë dhe ndikojnë shumë rrethana, pë të cilat opinioni i gjerë din shumë pak, apo aspak.

Rrethanat në të cilat është krijuar ky shtet, asyet dhe shkaqet, nevojat dhe intersat e shteteve të fuqishme të botës, sidomos të Rusisë, që e krijuan këtë shtet në vitin 1994, si njësi të ish federatës jugosllave, sigurisht që për të njëjtat arsye ende kanë interes që ta mbajnë të fshehur numrin e përgjithshëm të popullisë, strukturën etnike dhe sidomos numrin e shqiptarëve në këtë shtet. Arsyeja është tepër e thjeshtë: që të mos ndryshohet edhe për një kohë koncepti unitar i këtij shteti.

Pavarësisht nga kjo, shqiptarët duhet të jenë më vigjilentë, këmbëngulës dhe pjesëmarrës sa më aktivë në këtë operacion statistikor, që së paku numri i banorëve shqiptarë të mos manipulohet, shtrembërohet dhe falsifikohet në masën që i dëmton intresat e tyre jetike në këtë shtet, vetëm për shkak të planeve dhe apetiteteve të disa qarqeve politike ekstremiste dhe shoviniste, të cilat për dekada me radhë kërkojnë "vdekje për shqiptarët" dhe për të cilët "shqiptar i mirë është vetëm shqiptari i vdekur"!

Megjithatë, dihet botërisht se ka dallim tepër të madh mes numrit të banorëve shqiptarë në këtë shtet, sipas statistikave zyrtere dhe numrit real të tyre, që sillet mes 25%, sipas organeve të pushtetit dhe 42% sipas të dhënave të disa ekspertëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë për këto çështje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat