Tetova, shtriganët dhe magjia e zezë

Opinione

Tetova, shtriganët dhe magjia e zezë

Nga: Sulejman Mehazi Më: 30 korrik 2019 Në ora: 17:15
Sulejman Mehazi

E dua shpitrisht dhe pa kufi, qytetin tim, Tetovën, e pa mundur është mos ta duash nëse je lindur e rritur aty! Syreshë edhe çdo fshatar  do të shprehej kështu për fshatin e vet, ama, vetëm se  Tetova ime e lindjes do të  mbetej kryeqendër e fshatarëve shqiptarë. Qytetet janë dritaret e para e të gjithë fshatarëve në botë. Mjafton kaq për të kuptuar se në fakt qytetin duhet ta duan të gjithë. Tetovën e dua nga gjënesa e saj, ja dua gjuhën e pastër shqipe me shkronjen y-ylberi e jo i- ilberi, natyrën e ajrosur e jo të ndotur nga Jugohromi i fshatit Jegunovcë doket dhe zakonet e buta e të urta, dasmat e këngët e vjetra qytetare me mandolinë, kitarë e dajre, kulturën urbane kombëtare e fetare, sinqeritetin e jo gënjeshtrën,   gëzimet, vuajtjet, sëmundjet, historinë   dhe bujarinë e banorëve të saj. Tetova mbetet metaforë e mirësisë.

Nga gjiri i qytetarëve fisnikë të Tetovës, përherë kanë dalë tregime, gojëdhëna e legjenda të ëmbla, të bukura, të mençura edhe kuptimplotë. Megjithatë, për ta dashur këtë qytet nuk mjafton vetëm kaq, me plot kuptimin e fjalës duhet të dish ta mbash atë. Tetova mbahet me moral, edukatë e sjellje reciproke, me punë e përgjegjësi, me arsim e kulturë,fisnikëri e bujari, me urimet dhe gëzimet e lindjeve, me hidhërimet dhe ngushëllimet e vdekjeve, Po si është sot Tetova jonë e dashur?  Tetovën sot e kanë kapluar ethet e egoizmave, vetëpëlqimeve, interesave, parave dhe arit, nga rapacakët kulturorë e politikë  ruralë, që me shkollimet e tyre të vonshme, të ndërprera e të arnuara janë bërë njerëzit e parë të udhëheqjes kulturore e politike tetovare. E ndiej si obligim moral t’ju them se shkaktar i këtij shkrimit tim është poezia shumë domethënëse e Dritëro Agollit me titull: “Majtas dreqër, djathtas djaj”, i cili thotë: “Nga dollapi nxjerr një pjepër,/ Thella-thella nis ta çaj:/ Gjysma e pjeprit plot me dreqër,/ gjysma tjetër mbushur djaj.”

Dhe qyteti ynë është i mbushur me politikej dreqër dhe kulturofak djaj, apo thënia e urtë: “Kur popullin e kulturon dhe e drejton i keqi atëherë e merr dreqi”. Dreqërit dhe shtriganët në bashkëpunim me djajt s’fabrikojnë  gjë tjetër përveç produkteve të së keqes së magjisë së zezë për të prishur e shkatërruar çdo gjë të mirë, të bukur e të lartësuar, qëllimi i këtyre është që e keqja të triumfojë mbi të mirën,

Veprimet e individëve që zbatojnë magjinë e zezë janë të lidhura ngushtë jo për interesat e të mirave popullore, por për interesat individuale, materiale, djallëzore, që për lexuesin dhe popullin e rëndomtë kjo gjendje është e vështirë të kuptohet, sepse ajo është e fshehur, e mbrendshme, metafizike, transcedentale, gjendje e cila shumë rëndë kapet nëpërmjet pesë shqisave që i pranon  edhe shkenca bashkëkohore.

Vargjet e Dritëro Agollit kanë të bëjnë edhe me ruralizmin gjysmak kulturorë e politikë të “intelektualëve” të Tetovës. Pas viteve ’90, siç e dimë të gjithë ne, në Tetovë u themeluan partitë e para politike dhe klubet e para letrare, po ku janë sot, u përçanë në dy tabore: në dreqër dhe në djaj, u zhdukën për shkak të egoizmave.  Egomania është shkaku i të gjitha mosmarrëveshjeve. Egomanët  në njërën anë, para qytetarëve bëhen si patriotë të përbetuar  dhe si engjuj mbrojtës të gjuhës dhe të kulturës shqiptare, ndërsa në anën tjetër, tinëzisht për interesat e tyre vetjake e karieriste bashkëpunojnë me maqedonasit, po  sa bukur, duke e shkruar dhe folur  maqedonishten  e harrojnë gjuhën zyrtare dhe kulturën shqiptare. Këta magjistarë të zi politikë e kulturorë sa herë që hapen tenderat dhe konkurset  nga Ministria e Ekonomisë dhe nga Ministria e Kulturës së Maqedonisë turë e vrap me aplikimet e tyre të shkruara në gjuhën maqedone, dhe, fare e harrojnë  gjuhën  dhe shkrimin shqip për interesat e tyre karieriste, Po t’ia donin të mirën shqipes do të aplikonin me shkronjat latine – shqipe, e jo me shkronjat qirille-maqedonase.

Ky mossukses argumenton se egoistët më të medhenj në qytetin tonë, janë politikanët dreqër dhe të kulturuarit djaj; të parët, kurrë nuk ngopet me interesat  dhe vetëpëlqimet e tyre politike për pushtet, të dytët, i duan vetëm krijimet e veta, vetveten dhe kanë qejf të admirohen  dhe të reklamohen nga të tjerët. Këta tipa, sot, për fat të keq, janë paria e qytetit,  ata kurrë nuk ia duan të mirën Tetovës, sepse idhujt e tyre janë egoizmat mbrenda tyre, ata kanë dëshirë që të kontrollojnë gjithçka dhe si pasojë bëhen armiqtë e të tjerëve, për shkak se të tjerët  bëhen shkaktar pengese në rrugët egoiste të tyre. Ata nuk njohin kufi, pikërisht kjo është arsyeja e problemeve, trazirave, tollovive dhe fatkeqësive të qytetarëve të Tetovës. Këta krerë të magjisë së zezë edhe pse shtiren për patriotizëm e kulturë, por e vërteta është se  egoizmat e tyre janë shmdërruar në idhuj të rrejshëm, që për ata, kjo sëmundje shpirtërore e egomanisë është më e vlefshëm se kombi, gjuha dhe kultura.

Por një gjë dihet se këta kurrë nuk mund të jenë politikanë dhe shkrimtarë të mëdhenj derisa nuk e shkatërrojnë idhullin e magjisë se zezë të egoizmit nga vetvetja,

Gënjeshtra  dhe sinqeriteti nuk mund të shkojnë bashkë. Politikanët dhe artistët e mirëfilltë kanë lindur për t’i thyer tempujt e idhujve të rrejshëm të egoizmit  për të shpëtuar njerëzimin prej tyre, për të vendosur harmoni e rend në këtë botë të ligë dreqërish, shtriganësh dhe djajsh. Egoistët politikë e kulturorë do të mbyten njëri me tjetrin sepse rrjedhin prej një burimi dhe drejtimi, prej një pusi të errët të egomanisë., dhe nuk mund të shpëtojnë nga kjo errësirë shpirtërore, ata s’u japin rëndësi të tjerëve sepse e shohin vetëm vetëveten, nëse diçka ju sjell dobi e marrin pa ngurim, e nëse jo, e refuzojnë, por edhe e sulmojnë, pavarësisht se mund të jetë e drejtë, e mirë dhe e vlefshme. Ata ndahen në dreqër dhe djaj të Dritëro Agollit, dreqi e kërkon një gjë për veten e tij, del dhe djalli kërkon të njëjtën gjë për vetveten e tij, kështu që është e pamundur që të dy të marrin të njëjtën gjë, atëherë një mosmarrëveshtje do të ketë, domosdo. Njëri do ta marrë karriken e partisë dhe tjetri e do të njëjtën karrike, normale është se do ketë mospajtime; nëse dy egoistë letrarë kërkojnë ta okupojnë një klub letrar, është e pashmangshme lufta apo zënia midis tyre; nëse dy kombe kërkojnë ta okupojnë një territor të njëjtë, është e pashmangshme lufta. Pra, të gjitha luftërat politike dhe zëniet letrare janë rezultat i egoizmit dhe i konfliktit të interesave. Intelektualët e vjetër fisnikë e të urtë  të Tetovës kanë shpëtuar nga egoizmat, kurrë nuk luftojnë me njëri tjetrin, edhe sikur të gjithë të mblidheshin në një vend nuk do të kishte ndonjë mosmarrveshje, sepse gjithçka që bëjnë të tillët, e bëjnë për hirë të Tetovës së dashur.

Pra, të dashur nxënës dhe studentë, ju jeni të rinj dhe mund të logjikoni më mirë për ne, për sëmundjet shpirtërore të egomanisë, mos na e zini për të madhe sepse, ne, tashmë jemi forcë e sëmundjeve psikike, forcë e harxhuar. Ju shumë më lehtë mund t’i pastroni shpirtrat tuaj nga egoizmat, ruralizmat kulturore e politike, sepse, ju, jeni më afër botës së shëndoshë nga ç’jemi ne, edhe pse gjërat po bëhen gjithnjë e më të liga. Sa më tepër që i përkrahni magjistarët e zi, aq më  vështirë do të bëhet për ju, prandaj keni kujdes ndaj politikanëve, kulturologëve  dhe shkrimtarëve egoistë. Egoizmi ka të bëjë me ruralizmin ,ata më shumë ndikojnë te ju, sesa ju te ata. Është shumë vështirë të reformosh  të sëmurët nga egoizmi, por  është shumë lehtë të reformojë një egoist mijëra  të rinj egoistë. Kujdes e dashura rini nga këta! Egomania s’ka të bëjë me urbanizmin e butë, por me  ruralizmin e egërsuar tetovar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat