Pak Kosova, veq tash edhe Italia

Opinione

Pak Kosova, veq tash edhe Italia

Nga: Gëzim Muçolli Më: 9 gusht 2019 Në ora: 00:43
Gëzim Muçolli

Derisa po bëhemi gati për ta përcjellur fushatën e ardhshme zgjedhore për Parlamentin e Kosovës, tashmë kam pranuar kushedi sa mesazhe nga miq e mikesha të angazhuar në politikën larg(shkurt) pamëse të klasës aktuale politike kosovare.

Të gjithë janë të vendosur të fitojnë. Të gjithë duan të bëhen ministra e kryeministra.

Të gjithë kanë besim në fitore dhe ftojnë të bëhem pjesë e saj.

Natyrisht me votën time e të familjarëve të mi. Edhe me ndikimin shoqëror e miqësor te miqtë dhe shoqëria ime.

Iu duhet vota ime, për ta forcuar demokracinë. E dijnë se jam edhe veteran, sepse kam votuar në të gjitha rastet kur është votuar pas çlirimit të Kosovës.

Pra thjesht po ma lypin të gjithë, votën .

Nga sonte edhe Italia po hyn në vallen e aventurave të politikanëve të papërgjegjshëm. Qeveria e interesit Lega - Cinque stelle, nuk mund të qëndrojë më me këmbë të kristalta. Finta italiane se po shkurorëzohen nga martesa politike për shkak të mospajtimeve ideologjike dhe praktike nuk qëndron.

Lega e Salvinit (ministër i punëve të brendshme) duke i fryrë politikës antieuropjane dhe sovraniste, sidomos me dekRetet e votuara të sigurisë kundër anijeve që sjellin emigrantë të trafikuar nga Afrika, siq duket ndihet e mbivlerësuar ndaj Lëvizjes 5s(Pesë yjet). Por të dy palët nuk po flasin drejt dhe nuk janë të sinqertë me popullin italian, duke mohuar dështimin në politikat ekonomike, ndaljen e rritjes ekonomike, paqen e munguar fiskale duke harruar faljen e premtuar të borxheve të fryra nga kamatat e larta të Agjensisë së të hyrave dhe Guardia di finanza, si dhe rrogën e premtuar për miliona italianë të papunë në formë të “redito di cittadinanza”(rroga e qytetarisë).

Është interesant se si Luixhi di Maio kërkon me ngulm që para se të shkohet në votime, të mblidhet parlamenti dhe të votohet ligji që zvogëlon numrin e deputetëve, që vështirë mund të kalojë tash.

Dy vende me histori antike, Gadishulli Italik dhe Dardania e sotme, duket se vuajnë nga fenomeni i “parlamentarizimit të qeverisë” edhe pse në rrethana jo të njëjta.

Dikush në Republikën e Italisë kërkon fuqishëm zvoglimin e numrit të senatorëve dhe deputetëve , kurse në Republikën e Kosovës të gjithë i kanë ulur veshët dhe nuk dëgjohet asnjë zë i ndërgjegjshëm që do të kërkonte zvoglimin e numrit të ministrave dhe zëvendësministrave të qeverisë së Kosovës.

Edhe pse nuk po e pranon haptazi askush nga dy shtetet relative, njëri nga faktorët vendimtarë për aspiratat e tepruara që zvarritën njerëzit drejt zgjedhjeve janë sondazhet e ndryshme dhe largimi nga realiteti i premtimeve zgjedhore të papërmbushura dhe politikave korruptive që nuk i mbulon as terri i natës së nxehtë të gushtit.

Kosova me shumë hapa egoizmi e papërgjegjësie po shkon drejt zgjedhjeve duke dashur ta mbulojë krizën e thellë nga sulmet e ulta të fushatës serbo-ruse pa ditur ti jepet përgjigjje e vendosur e politikës së jashtme si dhe duke mos u tregUar mjaft të kujdesshëm në forcimin e sovranitetit ekonomik dhe alimentar.

Do ta kujtojmë verën e këtij viti si verë e temperaturave dhe interesave të larta partiake në kërkim të liderëve dhe qeverisjes me dorë të fortë.

Në emër të demokracisë dhe në favor të diktaturës si proces i rrejshëm i paqes sociale të premtuar falas.

Jo krejt falas, po me çmimin e votës e cila do të duhej të shëronte sëmundjen e pushtetit dhe të liderizmit (anti)sovran.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat