Fati tragjik i Shqiptarëve të Luginës së Preshevës

Opinione

Fati tragjik i Shqiptarëve të Luginës së Preshevës

Nga: Nehat Hyseni Më: 10 gusht 2019 Në ora: 20:33
Nehat Hyseni

Qeveria Haradinaj, meqë gjatë tërë kohës pothuajse dyvjeçare të (keq ) qeverisjes së Republikës së Kosovës, realisht ishte e stërngarkuar, madje edhe stërkompleksuar nga fakti se erdhi në pushtet falë arrogancës dhe refuzimit “patriotik” të shënimit të vijës kufitare apo Demarkacionit “famoz” me Malin e Zi.

Ky kompleks i Ramush Haradinajt personalisht, si dhe i Qeverisë e sidomos i partisë së tij AAK-së kolektivisht, meqë nuk arriti të mbulohet disi dhe të harrohet, atëherë bënë “shpikjen” e radhës, duke vendosur taksën 100% për importin e mallrave të Serbisë dhe të Bosnës.

Natyrisht se ky vendim u mirëprit me entuziazëm nga opinioni kosovar dhe deri diku ia doli që në një mënyrë ta rikthej autoritetin dhe besimin e humbur lidhur me dështimin me Demarkacionin.

Madje, ekipi i z. Haradinaj nuk e fshehë entuziazmin për këtë “arritje” e shpikje “gjeniale”, duke rrahur gjoks në publik se kanë arritur që me këtë rast të japin mesazhin se vetëm AAK dhe lideri i saj kanë “këllqe” që realisht t’i kundërvihen Serbisë dhe “t’i dalin zot Kosovës”!

Prandaj edhe pretendojnë që gjithënjë, pa marrë parasysh se sa vota fitojnë në zgjedhje, megjithatë posti i kryeministrit “i takon” Ramush Haradinajt.

Meqë nuk kemi ndonjë studim të mirëfilltë për efektet ekonomike që realisht sa e kanë dëmtuar apo jo, Serbinë dhe sa e kanë favorizuar ekonominë e brishtë të Republikës së Kosovës, përveç deklarimeve sipërfaqësore, politike e partiake.

Por, mjerisht, efektet e kësaj takse, për ekonominë e dobët të bizneseve të Shqiptarve në Luginë të Preshevës, ishin vdekjeprurëse!

Qumështoret e njohura të kësaj pjese të gjeografisë Shqiptare, që u ngritën me shumë mund pas vitit 1999, falë mbështetjes së madhe të CHF-USAID, pra të Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, sidomos pas konfliktit të armatosur 2000-2001 të UÇPMB-së në Luginë të Preshevës, për shkak të barrierave që ua krijon kjo taksë, ata janë dëmtuar shumë. Madje, mund të thuhet se, realisht ata janë buzë falimentimit, meqë palasmani i mallrave të tyre është kryesisht, madje për disa prej tyre mund të thuhet se është ekskluzivisht në Kosovë.

Sepse, në Serbi, produktet e bizneseve të Shqiptarve të Luginës, përkundër përpjekjeve të CHF-së (USAID), koordinator i të cilës kam qenë nga fillimi (dmth 2001-2008), megjithatë nuk kemi arritur që t’i tejkalojmë ato barriera shoviniste të Serbisë ndaj mallrave të bizneseve të Shqiptarve të Luginës.

Prandaj, kjo taksë mund të konsiderohet si masë “patriotike” për bizneset në Republikën e Kosovës, por, për bizneset e Shqiptarve në Luginë, realisht është e kundërta e saj!

Efektet e kësaj takse mund të krahasohen me efektet e dëmshme të taksës kufitare gjatë periudhës së pasluftës, me të cilën shqiptarëve të mjerë të Luginës së Preshevës iu plaçkitën reth 35 millionë euro!

Nga kjo taksë kufitare, mbase mund të jenë pasuruar firmat apo kompanitë e disa funksionarëve të lartë të Republikës së Kosovës (Pacolli-Thaçi), por ama ato pare, ose më saktë, ajo plaçkë i dëmtoi shumë rënd Shqiptarët e kësaj ane, të cilëve, bukvalisht iu mor, apo iu vjodh kafshata e gojës.

Dhe kjo masë e taksës kufitare vlente vetëm për Shqiptarët, sepse serbëve të Kosovës ua paguante Qeveria e Serbisë nga buxheti shtetëror i saj. Kurse, Shqiptarët e ngratë të Luginës, përveç diskriminimit fashist nga regjimi antishqiptar i Serbisë, detyroheshin të plaçkiten edhe nga Republika e Kosovës!

Pak a shumë, i njejti “avaz”, sikur ai i taksës kufitare, realisht vlenë edhe për taksën 100%.

Kjo ndodhë për shkak se Republika e Kosovës, 20 vjet pas Luftës, mjerisht, akoma nuk ka arritur se si të krijoj mekanizma institucionalë për mbrojtjen e Shqiptarve të Luginës së Preshevës, ashtu siç e bënë këtë Serbia për bashkëkombasit e vet në Kosovë.

Prandaj, efektet e masave të Serbisë ndaj Shqiptarve të Kosovës, por dhe ndaj Shqiptarve në Luginë, kanë pasoja shkatërrimtare për interesat dhe për ruajtjen e substancës kombëtare të kësaj pjese të Shqiptarisë.

Sihariq i radhës është vendimi për mosnjohjen e passaportave të Serbisë nga Republika e Kosovës, mbase, si masë reciprociteti ndaj Serbisë, për shkak të mosnjohjes së pasaportave kosovare nga Serbia. Kështu, në kufi për Kosovë, lejohet hyrja vetëm me letërnjoftim.

Problemet që krijohen nga kjo masë, mbase janë edhe më të mëdha në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, meqë nuk mund të udhëtohet jashtë pa pasaportë, dmth vetëm me letërnjoftim.

Prandaj, për të gjithë Shqiptarët e Luginës së Preshevës, praktikisht është i ndaluar apo i pamundësuar aktualisht shfrytëzimi i këtij Aeroporti! Prandaj, ata janë të detyruar që udhëtimet me avion t’i realizojnë me aerportet tjera në rajon.

E gjithë kjo që cekëm ilustron faktin se duhet pasur kujdes se, për dallim nga nevoja dhe aspiratat për pushtet, që e mundësojnë masat e caktuara populiste, që realisht edhe mund të shndërrohen në votë dhe pushtet, megjithatë duhet pasur kujdes që të luftohet e veprohet për shtet, e sidomos për komb!

Meqë na mungojnë përvojat vetanake, sepse Republika e Kosovës është shteti më i ri dhe më me pak përvojë shtetndërtimi në Europë, shumëçka mund të mësojmë nga praktikat dhe përvoja e të tjerëve në rajon dhe në Europë, e pse jo edhe nga Serbia se si sillet e vepron ajo ndaj serbëve në Kosovë dhe për bashkëkombasit e vet në Serbi.

Mbase, mjafton ta rikujtojmë faktin se shumë Shqiptarë nga Lugina e Preshevës, me dhjeta mijëra, që janë shpërngulur nga Lugina dhe jetojnë në Kosovë me vite, megjithatë nuk posedojnë kurrëfarë dokumentacioni të Republikës së Kosovës. Kurse, nga ana tjetër, Serbia i ka shlyer nga evidenca dhe ata nuk figurojnë më as si shtetas të Serbisë dhe as si shtetas të Republikës së Kosovës.

Pra, shumë Shqiptarë të Luginës së Preshës që jetojnë e veprojnë në Kosovë, janë duke u trajtuar realisht si “qytetarë të padukshëm”, meqë për fatin e zi të tyre, ata për Serbinë janë “joserbë” dhe si të tillë diskrimino hen pamëshirshëm, kurse për Qeverinë e Republikës së Kosovës ata janë dhe realisht trajtohen si “jokosovarë”, dmth pa të drejta elementare si qytetarë të barabartë të saj, me të drejta elementare për dokumente personale e qytetare!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat