Sa është urgjente puna e rinisjes së dialogut Kosovë - Serbi?

Opinione

Sa është urgjente puna e rinisjes së dialogut Kosovë - Serbi?

Nga: Muhamet Hamiti Më: 13 gusht 2019 Në ora: 18:37
Muhamet Hamiti; foto: Besnik Hamiti

Një lexim i shpejtë i kumtesës së sotme (13 gusht 2019) të përbashkët të shteteve anëtare të Kuintit (Francë, Gjermani, Itali, Mbretëri e Bashkuar, Shtete të Bashkuara të Amerikës) për ‘urgjencën’ e rifillimit të dialogut Kosovë - Serbi

Thelbi i kësaj kumtese të Kuintit, që është qarkulluar në origjinalin anglisht dhe në përkthime në shqip (ambasada e SHBA-ve në Kosovë) dhe serbisht (ambasada e SHBA-ve në Serbi) është kërkesa për rinisjen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së ‘me urgjencë’ (‘with urgency’ në anglisht; si nevojë e ngutshme, i bjen në shqip).

Në variantin shqip kumtesa e Kuintit u bën thirrje “Kosovës dhe Serbisë që menjëherë të rifillojnë dialogun e udhëhequr nga BE-ja”, ndërsa në variantin serbisht, kumtesa u bën thirrje “Kosovës e Serbisë që ta rifillojnë sa më shpejt që të jetë e mundur dialogun nën patronazhin e BE-së”.

Siç e dinë përkthyesit mirë, përkthimi është gjithmonë edhe interpretim.

Për publikun shqiptar kjo kumtesë thotë se dialogu duhet të rifillojë ‘menjëherë’, ndërsa për publikun serb se kjo duhet të ndodhë ‘sa më shpejt që të jetë e mundur’.

Që dialogu Kosovë - Serbi s’mund të rifillojë menjëherë është e qartë për këdo që ka njohje elementare për zhvillimet aktuale në Kosovë.

Qeveria e Kosovës ka rënë muajin e kaluar, mbas dorëheqjes së Kryeministrit Haradinaj. Kuvendi i Kosovës pritet ta shpërbëjë veten më 22 gusht për t’u hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme, të cilat mund të mbahen në fund të shtatorit apo në fillim të tetorit.

Qeveria e dorëhequr e Kryeministrit Haradinaj s’mund të rinisë dialogun. Edhe kur ka qenë funksionale kjo Qeveri e kishte lënë këtë punë në dorë të Presidentit Thaçi, për të bërë pastaj në fund një përpjekje që me zgjidhje antikushtetuese të bënte një Ekip Shtetëtor për Dialogun.

Çka do të thotë rinisja e dialogut Kosovë-Serbi me frazën ’sa më shpejt që të jetë e mundur’?

Nëse mbahen zgjedhjet parlamentare në Kosovë në fund të shtatorit/fillim të tetorit, në rastin më të mirë vendi ynë do të mund të kishte një qeveri të re në nëntor, nga fundi i tij ndoshta.

Në nëntor nis punën Përfaqësuesi i ri i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell. Përfaqësuesja e Lartë në largim, Federica Mogherini, që ka drejtuar dialogun Kosovë - Serbi pa sukses, duke lënë edhe shije të keqe te kosovarët me pranimin e idesë për diskutim të këmbimeve terrritoriale, duhet të jetë përshëndetur nga kjo punë tashmë.

Vendet e Kuintit thonë në kumtesën e tyre se ato do të rrisin rolin e tyre në mbështetje të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për dialogun kur Kosova të shprehë vullnetin për të pezulluar tarifat ndaj mallërave serbe, ndërsa Serbia fushatën e saj për tërheqje të njohjeve të Kosovës

Sa është, në të vërtetë, urgjente puna e rinisjes së dialogut Kosovë - Serbi?

Sado të jetë e ngutshme në idenë e shkruesve të letrës në emër të shteteve të Kuintit, ata e dinë, ndonëse çuditërisht as tërthorazi nuk e thonë, se Kosova nuk ka qeveri që mund të rinisë dialogun me Serbinë. Dikush mund ta interpretojë këtë si ide të qeverive të Kuintit se Kosova mund të bëjë qeveri pa zgjedhje, të zgjedhur e mandatuar nga përbërja aktuale e Kuvendit ende të pashpërndarë të Kosovës.

Kjo në teori do të mund të ndodhte, ndonëse në praktikë s’ka kuptim, pos nëse e gjithë klasa politike e Kosovës, të gjitha partitë, që tashmë kanë dorëzuar 93 nënshkrimet e deputetëve të tyre për shpërbërje të Kuvendit më 22 gusht, do të mblidheshin e të binin në ujdi (për çudi të Zotit!) se Kosova s’ka urgjencë më të madhe sesa dialogun me Serbinë.

Prioritet i Kosovës është jo vetëm një qeveri e re, po në radhë të parë një qeverisje e re, me mandat popullor, që do të rroket me probleme të mëdha në fushë të ekonomisë, të arsimit, të shëndetësisë, të luftës kundër korrupsionit. Dhe të politikës së jashtme të vendit, të katandisur keq gjatë këtyre dy viteve të qeverisë PAN-Lista Serbe. Në lidhje me këtë, dhe jo e fundit nga rëndësia, është çështja e dialogut me Serbinë për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet të dyja shteteve, duke siguruar njohje të ndërsejlltë të Kosovës dhe të Serbisë në kufijtë aktualë –‘për t’u dhënë fund përfundimisht konflikteve të viteve ‘90’, siç thotë kumtesa e shteteve të Kuintit – dhe për t’i hapur rrugë integrimit të plotë të Republikës së Kosovës në sistemin ndërkombëtar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat