Varrezat apo Memorialet e huaja në Shqipëri? - duhet Referendum Popullor

Opinione

Varrezat apo Memorialet e huaja në Shqipëri? - duhet Referendum Popullor

Nga: Pirro Prifti Më: 14 gusht 2019 Në ora: 11:30
Pirro Prifti

Vendosja e Memorialit turk i vuri kapakun pusetës së vendimeve anormale madje armiqësore në vazhdën e vendimarrjeve qeveritare ndër vite që kur është formuar Shqipëria e deri më sot.

Përse këto vendimarrje të pakuptimta?

A është ligji që i lejon? apo janë drejtuesit e zgjedhur apo dhe të emëruar që shkelin ligjin? apo është dëshira e individit të zgjedhur për tu dukur i rëndësishëm?

Të tre versionet qëndrojnë që kur doli ky lajm për Memorialin

Lajmi për një gomarrllëk të rrezikshëm si politikisht ashtu dhe për identitetin kombëtar u përhap vetëtimthi dhe shqetësoi opinionin publik, por më e habitshmja është se të tre pushtetet kanë heshtur deri më sot, kanë heshtur dhe të ashtuquajturat shoqëri civile të cilat në fakt janë shoqëri politike dhe se nuk përfaqasojnë as popullin, as intelektualët dhe as qytetarët.

Vendosja e një Memoriali për viktimat e grushtit të shtetit në Turqi është Epilogu i një i veprimtarie anormale të shtetit shqiptar ndër vite, qoftë përsa i përket vizionit politik të Shqipërisë për të ardhmen, ashtu dhe për dëmtimin e identitetit kombëtar shqiptar.

Nuk është fare normale që një Pushtetar lokal qoftë dhe Kryebashkiak i kryeqytetit shqiptar- Tiranës, të vendosë për të ngritur një memorial të huaj që nuk ka lidhje direkte dhe as indirekte më Shqipërinë dhe aq më pak me Tiranën.

Gjithashtu, me gjithë respektin për qeverinë e sotme shqiptare, nuk është aspak normale që ajo të heshtë për një veprim `detto e fatto` të një kryebashkiaku i cili nuk përfill qeverinë qëndrore por më e rëndësishmja nuk ka as vizionin dhe as tagrin për të bërë politikë kombëtare, adhe aq më pak ndërkombëtare, në një kohë që detyra e tij është ti shërbejë popullit të Tiranës dhe rrethinave të cilat përfshihen në këtë bashki.

Vendimet që kanë impakt të rëndësishëm për të ardhmen e vëndit dhe për identitetin e tij, të realizuara qoftë me VKM-ra, qoftë me marëveshje ndërshtetërore nuk duhet të jenë më të zbatueshme, sepse pavarësisht që këta njerëz janë zgjedhur nga populli nëpërmjet zgjedhjeve lokale apo parlamentare,- është e nevojshme që të miratohen nëpërmjet Referendumeve Popullore. Përse?

Sepse vendimarrje të tilla të nxituara kanë shkaktuar në të kaluarën dhe po shkaktojnë në të sotmen madje dhe në të ardhmen përplasje të panevojshme dhe të vazhdueshme me fqinjët, pikërisht sepse ne nuk jemi konseguentë në parimet tona të identitetit kombëtar dhe në detyrën e rëndësishme që duhet të realizohet - atë të integrimit europian.

Lajthitje të tilla dëmtojnë procesin dhe krijojnë konfuzion në popull dhe në të ardhmen e vëndit se ku duhet të shkojë Shqipëria në Perëndim apo Lindje, në Qeytetërim apo në Obskurantizëm, në një gjeopolitikë të re të integrimit në Europë duke bërë faktorin shqiptar të bashkuar, apo të bjerë Shqipëria në labirintet djallëzore të fqinjëve rracistë.

Edhe diktatori Enver Hoxha nuk mori guximin të pranojë varrezat greke në Kelcyre, apo dhe gjetkë në Drenove etj. Përse? sepse si diktator instiktivisht e kuptonte se bërja e një veprimi të tillë nuk do të normalizonte gjëndjen me Greqinë por do tu shtonte oreksin grekëve.

Ngjarje të tilla kanë ndodhur edhe në kohën e Zogut kur Kryeministri dhe më vonë i ashtuquajturi Mbreti Zog, bëri marëveshje me Pashiqin duke i dhënë një pjesë të Vermoshit, dhe Shën Naumin me pretekstin e ndihmës.

Kjo mënyrë e të drejtuarit të shtetit nuk duhet të egzistojë më, sepse askush nuk është pronar i Shqipërisë, as të zgjedhurit. Në Kushtetutën e Shqipërisë nuk është vendosur kot e drejta e Referendumit, pavarësisht se është vendosur formalisht dhe me shumë paraprita, në mënyrë që të vështirësohet bërja e një Referendumi

Marëveshja për detin që u hodh poshte nga Gjykata kushtetuese, tregon se sa sensibile janë vendimarrje të tilla, dhe miratimi nëprmjet marëveshjeve i varrezave greke është anormale sepse duhet patjetër mendimi popullor, dhe jo vendimi shtetëror apo partiak, qoftë dhe ai presidencial apo parlamentar. Askush nga këto institucione nuk mund të vendosë në kokë të saj për një veprim kaq delikat.

Vendosja e Memorialit turk pavarësisht justifikimeve, është një hap tjetër i nxituar dhe me përfitime fshatareske individuale, ku as populli shqiptar dhe as shteti shqiptar nuk fitojnë asgjë, madje dëmtohet rëndë hapja e negociatave.

Mendimi im është se ky vendim i nxituar i Bashkisë së Tiranës ( ndoshta edhe me miratimin e qeverisë shqiptare), duhet të abrogohet dhe për momentin i duhet drejtuar ankesë Gjykatës Kushtetuese nga Kolegji i Avokatëve apo nga Shoqata e Avokatëve.

Po kështu i duhet drejtuar Gjykatës Kushtetuese ankesë për vlefshmërinë e ndërtimit të varrezave greke. Dhe vetëm pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ajo duhet të kërkojë që vendime të ardhshme të kësaj natyre të zgjidhen me Referendum Popullor dhe jo me vendimmarrje të nxituara.

Askush nga të zgjedhurit nuk është Pronar i Shqipërisë, por është shërbëtor i popullit shqiptar. Nëse nuk e kanë kuptuar këtë gjë të zgjedhurit dhe të emëruarit, - atëherë problemi qëndron tek vetë natyra e individit, prandaj në këto raste të kërkohet Referendum.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat