Dilemat rreth përfundimit të autostradës Prishtinë-Pejë, janë një thikë pas shpine ndaj trevës së Dugagjinit..!?

Opinione

Dilemat rreth përfundimit të autostradës Prishtinë-Pejë, janë një thikë pas shpine ndaj trevës së Dugagjinit..!?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 16 gusht 2019 Në ora: 23:11

Zërat të cilat janë dëgjuar mjaft shpesh në opinionin kosovar gjatë vitit të fundit, madje edhe në Parlament, se investimet në ndërtimin e rrjetit rrugorë në Kosovë e ka dëmtuar shumë buxhetin e Kosovës, dhe se gjoja po investohet vetëm në asfalt, pa asnjë dyshim, ishin mendime të palogjikshme, madje naive si dhe kundërthënëse me planin zhvillimor- ekonomik të shtetit të Kosovës, kur mirëfilli dihet se rrjeti dhe infrastruktura rrugore janë kushti themelor për ndërtimin dhe zhvillimin ekonomik të çdo vendi në botë!
Pa rrugë të mira, të sigurta, të gjera dhe të ndërtuara sipas standardeve ndërkombëtare nuk mund të ketë zhvillim të mirëfilltë ekonomik, prandaj investimi në ndërtimin e rrugëve të reja në Kosovë, në asnjë rast nuk mund të konsiderohet i gabuar dhe si i panevojshëm, përjashto këtu hajnitë dhe keqpërdorimin e fondeve rrugore, që drejtpërdrejt ka ndikuar në cilësinë e ndërtimit të tyre, siç edhe ka ndodhur në shumë rrugë në Kosovës, të cilat pas një viti janë prishur për shkak të materialit të dobët ndërtimor, meqë një pjesë e tij është vjedhur..!?
Siç dihet, në rajonin e Drenicës, Suharekës, Anamoravës dhe Mitrovicës, kryesisht janë ndërtuar ose riparuar shumë rrugë në nivel autostradash dhe atyre të rangut të dytë, dhe kjo ishte një punë shumë e mirë për zhvillimin e këtyre rajoneve të Kosovës, por të lihet plotësisht pas dore dhe në harresë njëra nga rrugët kryesore që lidhë Kosovën me njërën nga trevat më të mëdha dhe më të begatshme të saj, siç është ajo e Dugagjinit, ku 20 vite pas çlirimit nuk është ndërtuar asnjë rrugë rajonale dhe asnjë autostradë e re, përveç harrënimeve, mbushjes së gropave si dhe asfaltimit të rrugëve dhe rrugicave të ngushta nëpër fshatra, etj., kjo sjellje e qeverisë së Kosovës është më shumë se diskriminim ekonomik, bile edhe regjional ndaj kësaj treve..!?   

Pa dyshim, se treva dhe rajoni i Rrafshit të Dugagjinit janë pjesa më e pasur dhe më e bukur e Kosovës në të gjitha fushat dhe me begatitë e saja natyrore, përfshirë të gjitha resurset në prodhimtarinë bujqësore, në blegtori, pylltari si dhe ekonominë ujore, e cila gjatë historisë ndryshe është quajtur “Hambari i Kosovës”, por e cila siç duket, pas mbarimit të luftës qëllimisht është lënë pas dore, sepse vetëm në Dugagjin nuk është ndërtuar asnjë autostradë e re do e lidhte Pejën me Daçanin dhe Gjakovën, Pejën me Istogun, Gurrakocin dhe Klinën, pra e cila këtë trevë do ta lidhte edhe me kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën, si arterie kryesore e cila do mundësonte zhvillim më të shpejt të saj !

Pra, kjo autostradë do i lidhte shumë qytete dhe qyteza të Dugagjinit me pjesët tjera të Kosovës, gjegjësisht me Shqipërinë, Maqedoninë, me Luginën e Preshevës, etj., siç është Peja me 100 mijë banorë, Gjakova, Deçani, Istogu, Klina, Gurrakoci, etj., e ku mijëra banorëve do iu mundësonte lëvizje dhe qarkullim më të shpejt dhe më të sigurt rrugorë për transportimin dhe këmbim e mallrave të tyre me pjesë tjera të vendit, si kusht elementar për zhvillim dhe përparim të gjithanshëm ekonomik të kësaj treve. 

Të vihet në dyshim ose në dilemë, se a duhet të ndërtohet, gjegjësisht a (nuk)duhet të vazhdohet ndërtimi i autostradës nga Kijeva deri në Pejë, aty ku qe 2-3 vite janë ndërprerë punimet, siç po deklarohen disa politikanë bashibozukë, thënë më së buti, mos ndërtimi dhe mos përfundimi i punimeve në këtë autostradë, është akt puro diskriminues dhe antipopullor ndaj së paku gjysmë milioni banorëve të trevës së Dugagjinit, të cilët njësoi sikur gjithë qytetarët tjerë të Kosovës janë taksapagues në buxhetin nacional të shtetit të Kosovës..!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat