Faqezitë nuk skuqen kur kërkojnë vota

Opinione

Faqezitë nuk skuqen kur kërkojnë vota

Nga: Rexhep Torte Më: 18 gusht 2019 Në ora: 10:39
Rexhep Torte

Asnjë mendje e shëndoshë nuk e kishte besuar që në Kosovën martire e të larë me gjak të shqiptarëve, të vijnë të udhëheqin për 20 vite lidershipe kaq të dobët, që e harruan kauzën kombëtare dhe popullin për tu bërë karieristë dhe milionerë profiterë të pasluftës.

Kosovës domosdoshmërisht i nevojitet një udhëheqësi e re, e ndershme, e pastër dhe e pakorruptuar, për të qenë vigjilente dhe  e guximshme, për ti larguar këto mjegulla të zeza që lëvizin mbi Kosovë të shkaktuara nga shantazhet e Serbisë dhe hamendjet e padrejta të ndërkombëtarëve.

Populli i Kosovës për të mirën e vet duhet të votojë për partitë dhe personat që derisot nuk kanë qenë në pushtet e në qeveri.

Populli i shumëvuajtur i Kosovës  nuk duhet të gabojë, por duhet ti  kujtojë thëniet popullore, “çka kërkove, atë e gjete”, “çka do të mbjellësh, do të korrësh”, sepse udhëheqësit e derisotëm të Kosovës i ngjajnë ujkut e dhelprës, që qimen e ndërrojnë, ndërsa vesin jo.

Udhëheqësit milionerë të derisotëm, profiterë të pasluftës në Kosovë, për 20 vitet e kaluara me qeverisjen dhe udhëheqjen e papërgjegjshme të tyre, i kanë shkaktuar dëme të pariparueshme Kosovës.

Kosova gjer në përfundimin e zgjedhjeve të parakohshme është  bërë arena më e madhe e gënjeshtrave dhe e premtimeve gënjeshtare.

Kjo atmosferrë e mashtrimeve, gënjeshtrave dhe e rrenave në Kosovë tashmë ka filluar edhe  para se të shpërbëhet parlamenti dhe para datës së caktimit të zgjedhjeve në Kosovë.

Dyfytyrësia, hipokrizia më e madhe është kur dëgjojmë nga funksionarë  dhe udhëheqës partiakë të derisotëm në Kosovë, se premtojnë male të gjelbëruara e fusha të lulëzuara, ndërkaq në 20 vitet e kaluara në liri e pavarësi të Kosovës, u munduan  vetëm  për të zënë poste udhëheqëse dhe për tu bërë milionerë profiterë të  pasluftës, ndërsa populli po vuan për një vend pune e  për bukën e gojës, dhe të rinjtë kosovarë largohen masovisht nga Kosova për në shtete tjera për një vend pune  për të jetuar me dinjitet.

Udhëheqësit e derisotëm të Kosovës me paturpësinë më të madhe e luajnë rolin e dreqit mashtrues, për ta gënjyer sërish  popullin e shumëvuajtur të Kosovës me mashtrimet e radhës, vetëm për tia marë  votën popullit.

Këta udhëheqës të derisotëm të Kosovës pasi e mashtruan, e vodhën  dhe e  tradhtuan  popullin,  dëshirojnë që këtij populli që lëngon me plagën e rëndë nga agresioni gjenocidal i Serbisë në vitet 1998/1999, tani dëshirojnë t`ia marrin edhe kësaj here votën, që është pika e fundit e gjakut dhe e shpresës që i ka mbetur popullit të Kosovës.

Populli i Kosovës duhet të jetë i mbushur mend dhe të tregohet i kujdesshëm dhe syçelë, që të mos e pëson mashtrimin e radhës nga këta udhëheqës milionerë profiterë  të pasluftës.

Këta udhëheqës të derisotëm milionerë profiterë të pasluftës në Kosovë, duhet ta marrin shuplakën  vendimtare nga vota e popullit, duke mos e votuar asnjërën parti që derisot ka qenë në pushtet dhe asnjërin udhëheqës që derisot ka qenë në poste udhëheqëse.

Këta udhëqeqës të derisotëm partiakë, shtetërorë e qeveritarë me paturpësinë më të madhe shkelën mbi dëshmorët që flijuan jetën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, shkelën mbi mijëra e mijëra viktima  nga dora gjakatare e kriminelëve serbë, shkelën mbi vuajtjet e traumat e mijëra e mijëra femrave të dhunuara shqiptare nga kriminelët serbë në Kosovë, shkelën mbi jetën e 1650 personave të të gjitha moshave e gjinive, fati i të cilëve ende nuk është zbardhur  edhe pas  20 viteve të  kaluara.

Populli i Kosovës në këto zgjedhje që pritet të mbahen së shpejti fatin e ka në duart e veta, që  votën tua jep partive dhe personave të ndershëm, të pakorruptuar e dinjitozë, që derisot nuk kanë qenë në udhëheqje të Kosovës, ndryshe  vështirë se do të ketë ditë të bardha për Kosovën në të ardhmen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat