Ku nuk ka shkel këmba e Muhametit, myslimani nuk duhet të jetoj! - Bota Sot
Ku nuk ka shkel këmba e Muhametit, myslimani nuk duhet të jetoj!

Opinione

Ku nuk ka shkel këmba e Muhametit, myslimani nuk duhet të jetoj!

Nga: Gani Mehmetaj Më: 19 gusht 2019 Në ora: 08:40
Gani Mehmetaj

- Ku nuk ka shkel këmba e Muhametit, myslimani nuk duhet të jetoj, predikonin hoxhallarët e fëmijërisë sime. - Ikni sa më parë nga ky vend i mallkuar, mos rrini, se tokë shkaut është, - vazhdonin ata në xhami, në rrugë, nëpër ndeja burrash, në të pame, kudo dhe kurdo. U flisnin besimtarëve edhe kur përfundoi shpërngulja biblike e shqiptarëve në Turqi e Siri nga terrori serb. I nxisnin të vazhdonin ikjen.  

Pastaj kur nisi regjistrimi i popullatës (1971), sipas përkatësisë kombëtare, një lukuni hoxhallarësh përpiqeshin t'i bindnin kopenë e  besimtarëve që të mos regjistroheshin shqiptarë, po komb mysliman, ashtu sikurse sllavët e Bosnjë-Hercegovinës e të Sanxhakut, sepse shqiptarë, thoshin ata janë katolikët!

- Myslimanët i kemi vëllezër, me katolikun (shqiptar) na ndanë një mal sa Rusolia, kurse me shkaun (serbin) na ndanë lëkura e hollë e qepës. Dhe burrat me pak tru e shumë heshtje skllavi i dëgjonin të shushatur përrallat e hoxhës që i vente në gjumë të shkombëtarizimit, i nxiste në shpërngulje, ua tulate ndjenjën kombëtare, përpiqej t'i pakësonte në numër.

- Shkaut (serbit) s'bënë t'i mbetesh borxh, se në atë botë ai nuk ta lyp borxhin, po ta lyp dinin e imanin!

Të rrallë ishin ata që e kundërshtonin hoxhën. Ndonjë i ri gjimnazist a në shkollë normale, i kundërvihej me zjarr e patetikë, rrëmbehej nga acarimi me hoxhën, vetëm sa s'dilte nga lëkura e vet. Por hoxha me cinizëm të skajshëm ia kthente, nuk e di ti se ende je axhami, buza qumësht të  qet, pleqtë tu i dinë senet më mirë. Shkolla të qet dinit e imanit! Dhe pleqtë me tru të shpërlarë ia tumirnin hoxhës me përkulje koke.    

Por kur të rinjtë e arsimuar e bënin pykë hoxhën gjysmë analfabet e pro serb, ai ia niste me lëvdatat për Titon, për Jugosllavinë, për vëllazërim-bashkimin.Tito u bani me shkollë e ju qoheni kundër tij, niste t'i akuzonte të shkolluarit. Hoxhallarët bënin propagandë e agjitacion me të fëlliqur për pushtetin serb se sa aktivistët e partisë. Jo pak prej këtyre burrave që e kishin thirr hoxhën në dasmë, fjalë nuse a në mort, patën familjarë që ua pushkatoi Serbia pas vitit 1945, familjarë të tjerët ende ishin në burg si "armiq të Serbisë e Jugosllavisë". Dhe të zotet e shtëpisë kapërdiheshin, ndonjëri syresh i kapur ngushtë, i thoshte topi se luan hoxhë, të lumët goja, sepse e dinte që hoxha do t'i denonconte në sigurim shtetëror po folën ndryshe. Hoxha ishte aty që të provokonte e lajmëronte armiqtë e Jugosllavisë.

E keni lehtë ju hoxhallarët se rrogat i merrni nga Beogradi, çka me ba na bujqit, ia lëshonte ndonjëri nga fundi i odës. Hoxha e shihte me përbuzje, por nuk i përgjigjej.

Po sot kush ua jep rrogat hoxhallarëve që vazhdojnë me propagandë të fëlliqur kundër shqiptarëve. Pse prapë pushtetarët ua krehin bishtin? Pse i privilegjojë si dikur Beogradi? 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...