Për kë bie kambana? - Bota Sot
Për kë bie kambana?

Opinione

Për kë bie kambana?

Nga: Alban Krasniqi Më: 19 gusht 2019 Në ora: 21:18
Alban Krasniqi

Vendi po shkon në zgjedhje jo pse duam dhe mundemi, po pse kemi nevojë. E bashkë me këto zgjedhje po na ofrohet mundësia të ngjallim shpresën dhe t'i japim jetë ëndrrës. Vota e përsëritur për këtë lidership të derisotshëm është votë e çuar dëm, është thirrje pa jehonë. Dhe një thirrje e tillë është vrasje e shpresës për të jetuar një ëndërr të kamotshme. Pamë dhe dëgjuam se çfarë qenë në gjendje të bëjnë për interesa personale e partiake. Ky pushtet e lindi, e ushqeu, e rriti korrupsionin. Kurrë s’e plaku. Ngjan si paradoks, fatkeqësisht. Duke ngarë pas pushtetit, e harruan shtetin. Në një mjedis të ngjashëm me tonin, edhe ligjet më të mira kundër korrupsionit bëhen të pakuptimta, ashtu si thënia “askush nuk është mbi ligjin” që sot është zhveshur prej çdo ndërtimi semantik. Këta krijuan një pushtet absolut dhe “pushteti absolut korrupton në mënyrë absolute”. Çuditërisht për shtetin ishin të ndarë kurse për pushtetin ishin të bashkuar. Prej kësaj qeverie miqtë filluan të na njohin më mirë dhe të na përbuzin njëkohësisht.

O Njeri, ti dhe ky pushtet në ikje jeni dy skaje të një litari, andaj tërhiqe fort këtë litar dhe përplase në greminë! Mos lejo më të të nëpërkëmbet dinjiteti dhe shpresa. Mos lejo më të të fyhet inteligjenca! Mos lejo më të të vidhet djersa dhe që kontributi yt të shijohet prej tyre! Mos lejo më që ata të vazhdojnë të qëndrojnë mbi ligjin! (Në Angli, që prej 1215 edhe vetë mbreti i nënshtrohet ligjit, ngase këtë ia përcakton Magna Carta Libertatum. Vetëm te ne ndodh e kundërta, vetëm te ne ndodh kjo gjëmë dëshpërimi). Bëja këtë mandat “mollë të ndalueme” kësaj qeverie, prandaj ngrehe zërin dhe mos rri gojëkyçur ndaj kësaj të keqeje. Po mos t’ia mbyllnin gojën Laokontit dhe po ta dëgjonin këshillën e tij, sot do të kishim Trojën. Duke ditur se nuk kanë çfarë të të ofrojnë, po kërkojnë të vijnë në pushtet duke thurur lloj-lloj intrigash për opozitën dhe akuza për mungesë tradite në punët publike, ashtu siç thurte Katilini për Ciceronin. Por ti ke nevojë për këtë opozitë, për këtë forcë politike. Ke nevojë për një qeveri të një koalicioni LDK-VV-NISMA. Një qeveri e dalë prej një koalicioni të tillë, nuk do të të ofrojë as George Washington, as Mandelë, po do të të ofrojë Lee Kuan Yew për të cilin kemi nevojë. Përmes këtij koalicioni, do të vërejmë se sot atdhedashuri është të çrrënjosësh korrupsionin, zhvatjen, krimin, nepotizmin këto fenomene për të cilat qeveria në ikje veç sa i thelloi dhe i zgjeroi më shumë.

Po pse duhet të kërkohet dhe të votohet koalicioni LDK-VV-NISMA?

Sepse ky koalicion është i gatshëm të punojë për Ty, për të ardhmen tënde; votoje, që ti t’i jetosh ëndrrat e pa shijuara;

Sepse ky koalicion nuk ka dhënë dëshmi se është përfshirë në krim e korrupsion;

Sepse ky koalicion ngërthen në vete jo vetëm vlera të paqes dhe të luftës, po edhe intelektuale;

Sepse një nga elementet bazë të një zhvillimi ekonomiko-social është angazhimi për transparencë dhe luftë ndaj korrupsionit. Kjo luftë ndaj këtij fenomeni është garanci për zhvillim e prosperitet, andaj askush nuk e artikulon këtë koncept më mirë se ky koalicion;

Sepse ky koalicion garanton sundim të ligjit dhe qasje të barabartë në drejtësi për të gjithë;

Sepse ky koalicion mund t’i zvogëlojë lukset e paligjshme financiare dhe mund ta forcojë bindjen e sekuestrimit të pasurisë së vjedhur;

Sepse ky koalicion ka kapacitete intelektuale të ndërtojë institucione efektive, të përgjegjshme e transparente dhe vendimmarrje përfaqësuese.

o Popull, si sovran që je, jo vetëm që duhet ta votosh këtë koalicion, po edhe kërkoje me ngulm krijimin e tij. E dimë se nuk është edhe aq lehtë, sepse edhe nga të dy anët e këtij koalicioni të mundshëm kishte sulme e fyerje reciproke, por sot është më ndryshe. Një pajtim i ndërsjellë dhe një bashkim është më se i nevojshëm. Qëllimi e arsyeton mjetin. Nuk kanë nevojë dhe nuk kanë arsye të rrinë të shtangur në mendimet e fyerjet e mëparshme, por duhet që të dy anët të ndryshojnë mendim sepse sapientis est mutare consilium.

O Njeri, ta votojmë këtë koalicion të shpresës, se nuk kemi kohë për të humbur. Kambana po bie e “askush s’e di me siguri për kë bie kambana: ajo mund të bjerë për ty”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...