Kreditë bankare të gjyqtarëve dhe prokurorëve - Bota Sot
Kreditë bankare të gjyqtarëve dhe prokurorëve

Opinione

Kreditë bankare të gjyqtarëve dhe prokurorëve

Nga: Alpin Ollogu Më: 20 gusht 2019 Në ora: 20:03
Alpin Ollogu

Ashtu si një pjesë e funksionarëve të cilët përpiqen të mbulojnë pasurinë e vjedhur nga taksapaguesit dhe në kurriz të taksapaguesve, me teknikën e kredivë bankare, ashtu edhe një pjesë e konsiderueshme e gjyqtarëve dhe prokurorëve, pasurinë e ngritur në mënyrë jo-ligjore, mundohen ta mbulojnë dhe justifikojnë me teknikat e fshehjes së pasurisë, ku me padyshim, ndër teknikat më të përhapura të justifikimit, janë kreditë bankare.

Së fundmi, lënda “Reket”, e hapur nga Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, në të cilën përfliten si bashkëpjesëmarrës në krim edhe prokurorë të Prokurorisë Speciale, ka vënë në lëvizje mediat dhe interesin e opinionit publik mbi atë se si qëndron pozita e pasurisë së deklaruar nga prokurorët e Prokurorise Speciale. Ajo që bie në sy në deklarimin e pasurisë nga prokurorët në fjalë, është përdorimi i shumtë i kredive bankare me shuma të mëdha.

Si shembull, i marrim dy prokurorët që përfliten të përfshirë në rastin “Reket”, Katica Janeva dhe Elisabeta Josifovska. Sipas paraqitjes së pasurive në Komisionin për Parandalimin e Korrupsionit, kryeprokurorja e speciales Katica Janeva, vetëm në vitin 2014 dhe 2015, ka marrë nga bankat kredi me vlerë 130 mijë euro, me afat kthimi 10 deri në 20 vite. Pavarësisht se po në vitin 2015, Katica Janeva ka lënë depozitë në banka të ndryshme, një shumë prej 110.000 eurosh. Ndërkohë në vitin 2015 Janeva dy fëmijevë të saj ju ka lënë dhuratë dy banesa nga 70 metra katror, në qytetin e Shkupit. Ndërsa prokurorja tjetër e përfolur në lëndën “Reket”, Elisabeta Josifovska, në vitin 2018 ka marrë një kredi prej 180.000 eurosh. Josifovksa në emër të bashkëshortit ka dy banesa në Kërçove, oborr dhe tokë ndërtimore në fshatin Prostranj, si dhe dy banesa në qytetin e shkupit, në emër të fëmijëve të saj.

Mjafton vetëm të përllogarisim kreditë bankare të deklaruara të vetëm dy prokurorëve të Speciales, për të nxjerrë në pah anormalitetin dhe dyshimin e arsyeshëm në shfrytëzimin e shumave të mëdha të kredive. Ky fenomen i kredive bankare sigurisht përfshin një pjesë të konsiderueshme të prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar në mbarë vendin, të cilët kreditë bankare i kanë marrë si mjet justifikimi të pasurisë së vënë nga mitoja dhe format e tjera të korrupsionit. Fenomen ky, taktikë – arsyetimi, që u faktua gjatë vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, të cilët ndër vite, pronat e tyre të shumta, të deklaruara pranë organeve të deklarimit të pasurisë, i justifikonin me kreditë bankare dhe disa teknika të tjera justifikimi të cilat shkurtimisht do ti përmendim në vijim. Megjithatë, Komisionet e specializuara të vetingut, me hetimet dhe kontrollin rigoroz të tyre, për atë se si kanë vënë pasurinë subjektet e drejtësisë, se mbi çfarë bazë kanë marrë kreditë bankare, fuqinë dhe mënyrat e shlyerjes së tyre dhe gjithë justifikimet e tjera të pasurisë, pamundësuan vazhdimin e mashtrimeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ashtu sic ata ishin mësuar me dekada të mashtronin organet e deklarimit të pasurisë, antikorrupsionit dhe gjitha institucionet përgjegjëse shtetërore.

Vetingu në R.Shqipërisë shkarkoi shumicën e prokurorëve dhe gjyqtarëve që derimë tani i janë nënshtruar këtij mekanizmi kontrolli të hollësishëm, shkarkoi të gjithë ata të cilët pasurinë e tyre, përpiqeshin ta arsyetojnë me edhe me kreditë e shumta bankare. Madje kishte shume raste të gjyqtarëve të cilët dhanë dorëheqje nga detyra, që të mos diskreditohen para organeve të vetingut me shkarkim, gjegjësisht edhe para opinionit publik, pasi siç dihet, ky është një proces transparent ligjërisht i garantuar. Mund të përmendim për shembull anëtaren e gjykatës së lartë Mirela Fana e cila dha dorëheqje nga detyra, pasi ajo dhe bashkëshorti i saj, Neshat Fana (ish-kreu i Shkollës së Magjistraturës) kishin marrë një kredi me vlerë 335 mijë euro, të cilën kanë nisur që ta shlyejnë që nga viti 2012. Apo gjyqtarja e Gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea, tashmë e dënuar për korrupsion, deklaron se ka marrë një kredi 130 mijë euro, me afat 20 vjet, për blerjen e një apartamenti në Sarandë. Gjithashtu prokurorja e Tiranës e shkarkuar nga vetingu, Daniela Sulaj, deklaron tre kredi, 80 mijë euro kredi për shtëpi, sërish kredi për shtëpi 11 mijë euro dhe kredi profesionale 1 mije euro. Në këtë mënyrë fshehje pasurie, filtrat e vetingut deri më tani kanë rrezuar me dhjetëra subjekte të drejtësisë të cilët përdornin tekniken e kredive bankare.

Në Maqedoninë e Veriut, në mungesë të organeve të specializuara, siç është vetingu në drejtësi, deklaratat e pasurisë ku përfshihen  edhe kreditë bankare të subjekteve të drejtësisë, kalojnë vetëm si evidencë, dhe kjo evidencë ndër vite kalon pa “ferrë në këmbë”. Ngase siç dështë e njohur, Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit, i bën llogaritë në arsyetime formale të mbulimit të pasurisë nga funksionarët, ashtu siç bëheshin edhe në R. Shqipërisë para se të fillojë vetingu në drejtësi, qoftë me kreditë bankare apo  edhe teknikat e tjara të mbulimit të pasurisë, ku theksojmë më të përdorurat nga subjektet e drejtësisë, të cilat i ka nxjerrë në pah vetingu:

  • Kreditë bankare, me afat deri në 35 vjet, janë forma më masive e përdorur nga gjyqtarët dhe prokurorët për të justifikuar blerjen e pasurive të paluajtshme, në vite të ndryshme kalendarike;
  • Huaja pa interes. Disa gjyqtarë dhe prokurorë, si burim për justifikimin e transaksioneve apo investimin në pasuri të paluajtshme, deklarojnë edhe hua në shuma të konsiderueshme, pa interes;
  • Dhuratat nga të afërmit janë një tjetër formë e përdorur masivisht nga gjyqtarët dhe prokurorët, për të justifikuar blerjen e pasurive të paluajtshme apo shlyerjen para afatit të kredive bankare;
  • Shtëpitë, paratë dhe pronat të lëna trashëgim nga prindërit, zënë një pjesë të rëndësishme të pasurisë së prokurorëve dhe gjyqtarëve;
  • Bashkëshortet dhe bashkëjetueset. Si burim i pasurive të disa gjyqtarëve dhe prokurorëve paraqiten bashkëshortet;
  • Shet shtrenjtë dhe blen lirë. Blerja e pasurive me çmim të lirë dhe shitja me çmim më të shtrenjtë, në një hark të shkurtër kohor, është një tjetër praktikë e përdorur nga gjyqtarët dhe prokurorët;

Ky argument, e bën mëse të domosdoshëm vetingun në drejtësi në Maqedoninë e Veriut, që komisione të kualifikuara me mbështetje ndërkombëtare të bëjnë kontrolle të hollësishme se në ç`bazë është ngritur pasuria e zyrtarëve publik, konkretisht e prokurorëve dhe gjyqtarëve, edhe atyre të Prokurorisë Speciale.

Paramendojmë tani se a do të mund të kalojnë vetingun, kreditë e mëdha bankare të prokurorëve të Prokurorisë Speciale, si ato të Katica Janevës dhe Elisabeta Josifovskës,  apo dhe gjyqtarëve dhe prokurorëve të mbarë vendit, të cilët aktualisht, shumica prej tyre, De facto dhe De jure, janë e keqja më e madhe e vendit tonë. Nëse do të miratohej në parlament projektligji i Bashkimit Demokratik për Integrim për vetingun në drejtësi, proces ky i kontrollit të subjekteve të drejtësisë i mbështetur edhe nga partitë e tjera shqiptare, ato të koalicionit qeverisës dhe opozitare, ekziston logjika që prokurorët e lartshënuar paraprakisht të jepnin dorëheqje, para se ta diskreditonin veten në organet e vetingut dhe mbarë opinionit publik.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...