Apel grave - Bota Sot
Apel grave

Opinione

Apel grave

Nga: Lis Bukuroca Më: 23 gusht 2019 Në ora: 08:57
Lis Bukuroca

Mos votoni asnjë burrë, që me ekonominë fisnore, me punësime fisnore, pamundësoi të rinjve qëndrimin në atdhe. Ata shpërbënë familjet shqiptare, dobësuan Kosovën dhe me injorancën e tyre kolosale, rehabilituan Serbinë.

Votoni vetëm gra, nëse nuk ka mjaftë, atëherë votoni Jahja Kokën, Albin Kurtin dhe njerëz tjerë, që nuk ju kanë vjedhur, që nuk ju kanë mashtruar dhe që nuk janë pasuruar me varfërimin tuaj.

Nëse votoni ata që ju gënjyen tash e dhjetë vite, do të dëshmoni se shtetin nuk e doni, se e përbuzni atë dhe do të detyroheni ta braktisni vendin, sepse në shtetin e stabilizuar fisnor, nuk ka asnjë vlerë  profesionalizmi, por vetëm afria fisnore!

Zonja, largoni me votë injorancën dhe ktheni njerëzit e aftë në vendet udhëheqëse, sepse ka ndodhur një zhvendosje tektonike e shtresave sociale: Padija ka nënshtruar dijen, gjysmanalfabeti, intelektualin, mediokriteti, shkencëtarin dhe hajni njeriun e ndershëm.

Zonja, tregoni se jeni emancipuar dhe mos votoni çfarë kërkojnë burrat prej jush, por për çfarë ju jeni të bindura. Mos votoni ata që po ju dëbojnë fëmijët jashtë vendit!

Mos votoni ata burra që tash e njëzet vjet, nuk kthyen mbetjet e tre mijë të vrarëve nga Serbia. Mos votoni ata burra që shpërfillën me ftohtësi psikopati dhunimin e 20. 000 grave dhe prodhuan diku 50.000 veteranë të rrejshëm. Burra, natyrisht!

Zonja, mos votoni ata, sepse ata kanë dëshmuar me qindra vepra se teorikisht duan vendin, por praktikisht adhurojnë vetëm veten. Ata nuk kanë ftyrë dhe rrejnë përsëri, prandaj votoni gra, ose njerëz të padamkosur sepse nëse votoni ata, mjerimin juaj do  vazhdojë, e vizat as pas katër viteve nuk do të hiqen. Vizat nuk kanë mbetur pse jemi popull i keq, por pse politikanët tu kanë ndërtuar shtet të ligë. Ata nuk kanë ngritur shtet të së drejtës, por kleptokraci të pastër dhe shtet fisnor të kulluar!

Dëshmoni me votë se keni kuptuar demokracinë dhe se nuk shpërbleni keqbërësit! Hiqni ata nga puna! Së paku ditën e votimit tregoni pushtetin tuaj!

Ju zonja, jeni gjysma e votuesve! Ju keni pushtet të madh! Ndryshoni liderët e shtetit! Ju adhuroni familjen dhe tok me të, edhe kombin! Ju kudo na e zbardhni fytyrën! Shpëtojeni Kosovën nga krimi!

Këta politikanë që i kem,  nuk i fton askush jashtë, pos kur bëhet fjalë për dialog me Serbinë! Ata ia dëmtuan integritetin vendit dhe i rrënuan imazhin popullit! Më keq nuk mund të bëhet, pos nëse i votoni përsëri!

Bota perëndimore duke izoluar ata, ju ka burgosur edhe juve! Hidhni prangat jashtë dhe shkaktoni një revolucion paqësor! Tregoni pjekuri politike. Ju jeni nëna e gjyshe të mrekullueshme! Ju mund ta shpëtoni vendin! Bëjeni! Ju keni në duar ardhmërinë e vendit, sepse burrat dëshmuan vetëm dashurinë ndaj vetes dhe fisit Mos i votoni hajnat! Votoni gra, ose votoni Vetëvendosjen. Nëse edhe kjo bëhet si ata, atëherë nuk do të keni alternativë, pos mërgimit, ku do të asimilohemi të gjithë, siç janë asimiluar dhjetëra milion gjermanë dhe pjesëtarë të kombeve tjera në SHBA...

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...