Për konferencën shkencore që do t”i kushtohet 75-vjetorit të çlirimit të shqipërisë

Opinione

Për konferencën shkencore që do t”i kushtohet 75-vjetorit të çlirimit të shqipërisë

Nga: Thanas L. Gjika Më: 23 gusht 2019 Në ora: 19:01
Thanas L. Gjika

Akademia e Shkencave e RSH shpalli disa javë më parë se do të mbajë një konferencë shkencore kushtuar 75-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë nga nazi-fashizmi me synim për të vënë në dukje antifashizmin popullor. Luftën Antifashiste e mbështeti populli, madje ai pësoi dëmet e saj, por këtë luftë e organizuan dhe e drejtuan forcat politike: forcat mbretërore, nacionalistët, Partia Komuniste Shqiptare dhe Balli Kombëtar. Mirëpo deri sot historia jonë zyrtare ka qenë e shtrembëruar prej diktatorit Enver Hoxha dhe studiuesve që shkruanin e shkruajnë sipas dëshirave, synimeve dhe diktimeve të tij dhe klanit të tij. Duke menduar se mund të sjell një farë ndihme që kjo konferencë të arrijë rezultate sa më të vlefshme me referatet dhe kumtesat që do të mbahen, po jap disa mendime.

* * *

Çlirimi i Shqipërisë nga nazi-fashizmi është një nga pesë ngjarjet më të rëndësishme që përjetoi populli ynë gjatë shekullit të XX-të:

1. Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912. Kjo ngjarje solli krijimin e shtetit të pavarur shqiptar në gjysmën e territoreve të banuar nga populli ynë, për shkak të imponimit të politikës antishqiptare të Perandorisë Ruse ndaj Fuqive të Mëdha të asaj kohe. Gjysma tjetër e territoreve shqiptare iu dha më 1913 shteteve fqinjë: Sebisë, Greqisë dhe Malit të Zi. Kështu u krijua një Shqipëri e vogël dhe një Serbi e madhe që përfshiu shumë territore jo serbe të banuar nga shqiptarë, bullgaro-maqedonë dhe hungarezë (këta iu dhanë më 1919).

2. Në gusht të vitit 1941 Gjermania Naziste pasi pushtoi shtetin Serbo-Kroato-Slloven ia ktheu Shqipërisë pjesën më të madhe të territoreve që i ishin dhënë padrejtësisht Serbisë e Malit të Zi. Kështu u krijua Shqipëria e bashkuar, e cila ishte një arritje e madhe kombëtare edhe pse Shqipëria ishte e pushtuar nga Italia Fashiste. Në të vërtetë ky shtet i bashkuar shqiptar nuk mund të quhej Shqipëri etnike, sepse në të nuk u përfshinë gjithë territoret ku banonte populli shqiptar.

3. Më 28 nëntor 1944 u shpall çlirimi nga zgjedha nazi-fashiste (një vit më vonë si datë e çlirimit u quajt 29 nëntori 1944, datë e cila festohet dhe sot). Shqipëria pas kësaj date u rizvogëlua në kufijtë e Shqipërisë londineze.

4. Më 12 dhjetor 1990 Partia e Punës së Shqipërisë, vijuesja e PKSH-së, u detyrua të shpallte pluralizmin në Shqipëri, pra kapitullimin e regjimit diktatorial komunist njëpartiak me ekonomi të centralizuar.

5. Më 11 qershor 1999 u shpall çlirimi i Kosovës mbas bombardimeve të suksesëshme të forcave të NATO-s dhe të luftimeve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së).

Këto pesë ngjarje kanë qenë fitore të mëdha për popullin shqiptar, por ato nuk u përjetuan dhe nuk u shfrytëzuan si duhej prej klasës politike shqiptare, prandaj ato dhanë frute më të pakta sesa duhej të jepnin. Këto mosrealizime nuk kanë ndodhur vetëmpër shkak të pengesave që na kanë krijuar shtetet që nuk na kanë dashur të mirën, as për shkak se aleatët tanë nuk na ndihmuan sa duhej, por dhe për fajin tonë. Ne duhet të pranojmë se kemi qenë dhe vijojmë të jemi ende një popull kombëtarisht i përçarë dhe moralisht i dëmtuar rëndë, për shkak të pushtimit të gjatë turk, politikës antishqiptare të Rusisë Cariste dhe diktaturës së egër komuniste.

Dëmin përçarës brenda kombit me anë të imponimit të fesë islame dhe atë të shkëputjes nga kontinenti mëmë europian, që i shkaktoi popullit tonë sundimi turk e ka vënë bukur në dukje më 1989 Prof. Rexhep Qosja:

“Perandoria Osmane ka ngritur mur mes shqiptarëve dhe Evropës, në radhë të parë me ideologjinë fetare islame si ideologji e saj shtetërore, por jo vetëm me të. Robëria turke ka cënuar rëndë zhvillimin e popullit shqiptar: ia ka këputur lidhjet që deri atëherë ka vënë me Evropën; ia ka ndërruar drejtimin që deri atëherë ka përvijuar; ia ka çrregulluar ritmin jetësor që deri atëherë ka krijuar.

Duke e shkëputur prej Evropës, pothuaj, në të gjitha pikpamjet, robëria turke do ta vonojë zhvillimin e popullit shqiptar, mandje në të gjitha fushat: materiale, ekonomike, kulturore, qytetëruese urbane.”

Kurse sistemi i diktaturës së egër komuniste, përmes terrorit dhe luftës së egër të klasave, varfërimit të skajshëm dhe izolimit na e shkatërroi moralin e lashtë të krijuar gjatë mijëvjeçarëve mbështetur mbi normën e besës, trimërisë, liridashjes, mikpritjes, mirënjohjes, përkrahjes së të dobëtit, etj.

Zbatimi i Reformës në Drejtësi dhe i Vetingut, dy procese, që janë ndërmarrë prej aleatëve tanë, SHBA-ve dhe BE-së, do të sjellin krijimin e shtetit ligjor, pra ndërprerjen e korrupsionit dhe pastrimin e pushtetit politik nga oligarkët që kanë pushtuar dhe kanë komanduar qeverinë shqiptare gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit. Ndërprerja e korrupsionit, mënjanimi i oligarkëve nga pushteti dhe dënimi i tyre, do të përbëjnë bazën për arritjen e sukseseve më të rëndësishëm të Shqipërisë paskomuniste. Do të fillojnë investimet e huaj, do të hapen shumë vende pune, njerëzit do të punësohen dhe emërohen sipas meritave e kualifikimit. Emigracioni do të pakësohet, madje do të kërkohen krahë pune dhe kuadro të kualifikuar edhe nga jashtë. Mirëpo që rezultatet e këtij procesi jetëdhënës në aspektin ligjor të japin rezultate sa më të mëdha duhet që ato të shoqërohen me arritje në aspektin moral, politik dhe shoqëror.

Për të arritur zhdukjen e të metave kryesore që sundojnë sot në shoqërinë tonë, si konfliktet shoqërore e klanore, urrejtja midis shqiptarëve, shkelja e lirive të medias, vlerësimi i njerëzve jo sipas aftësive por sipas partishmërisë, mungesa e atdhetarizmit, etj, duhet që individët, grupet shoqërore dhe partitë politike të ndërmarrin një proces të sinqertë pastrimi (katarse) ndaj mendësive që kemi trashëguar prej ideologjisë komuniste dhe pasojave të saj shkatërruese. Dobësitë tona janë njerëzore vijnë nga mungesa e kulturës morale. Eshtë shumë e nevojshme të ndërtohet shqiptari si njeri larg mendësisë së urrejtjes, mendësisë së populizmi, ksenofobisë, racizmit të ri, përndryshe populli ynë nuk mund t'i përkasë njerëzimit modern që në çdo fushë shoqërore, politike, ekonomike, kulturore dhe sociale dallohet për dinjitetin e tij, për vlerat e tij të çmueshme morale. Të tillë njerëz bashkohen jo vetëm brenda shoqërisë kombëtare, por edhe në planin botëror për mbarëvajtjen e shoqërisë njërëzore.

Dhe kjo fillon së pari nga shkolla, e cila gjatë diktaturës ishte e politizuar, kurse mbas ndërrimit të regjimit u dobësua shumë për shkak të një liberalizmi të shfrenuar, korrupsionit dhe rënies së kërkesave. Pra, krahas forcimit të anës shkencore, luftës kundër korrupsionit na duhet që tekstet mësimore të mbarë botës shqiptare të kenë vlerësime të njëjtë ose të afërt për dukuritë, personalitetet historike, grupet ose partitë politike dhe për ngjarjet historike.

Vetëm kështu do të arrijmë që të realizohet evoluimi edhe i ish-komunistëve kokëfortë dhe i mbështetësve të tyre, që vijojnë t'i i quajnë armiq, tradhëtarë e neofashistë të gjithë bijtë e pasardhësve të nacionalistëve, ballistëve, legalistëve dhe intelektualëve të formuar në Perëndim, baballarët e të cilëve PKSH-ja, për të realizuar marrjen dhe mbajtjen e pushtetit politik dhe ekonomik si forcë e vetme, i shpalli armiq e tradhëtarë pa fakte e pa gjyqe, ose me gjyqe fallco . Pasi e mori pushtetin kjo parti e mbajti atë 47 vjet duke zbatuar politikën e luftës së klasave, për të trembur popullin. Propaganda e fuqishme pro partisë dhe udhëheqjes së saj, arrestimet, internimet dhe shpallja e njerëzve “agjentë e armiq të partisë e të popullit” kryheshin sipas një plani të caktuar. Përmes kësaj politike PKSH / PPSH-ja arriti të siguronte nënshtrimin dhe respektin e detyruar të shumicës së popullit. Mirëpo ky nënshtrim e ky respekt, që shpreheshin me votimet 99.99 %, ishin dukuri fiktive dhe jo reale. Ato e kishin burimin te frika. Ky fallsitet u zbulua mbas shpalljes së pluralizmit në zgjedhjet e marsit 1992, kur populli votoi mbi 75 % për Partinë Demokratike.

Ndërkohë, mosqeverisja e mirë e Partisë Demokratike gjatë dy radhëve që iu dha pushteti (1992-1997 dhe 1999-2013) bëri që populli në zgjedhjet e vitit 2013 t'ia jepte shumicën e votave Partisë Socialiste, bijës së PPSH-së, kësaj partie që e kishte lënë të uritur. Edhe sot, me metoda të ndryshme, kryeministri Edi Rama ka arritur që shumica e popullit shqiptar brenda Shqipërisë të jetë me Partinë Socialiste, ndonëse kjo parti duke iu bindur oligarkëve nuk ndjek një politikë sociale edhe pse quhet parti e së majtës.

Me pak fjalë, që festa e 75-vjetorit të çlirimit të na gjejë në rrugë të mbarë për të arritur suksese që nuk i kemi arritur dot më parë është e mira që forca më e madhe politike, Partia Socialiste në konferencën shkencore kushtuar këtij përvjetori të udhëzojë kumtuesit, që të dëshmojnë e të kërkojnë dënimin e shumë gabimeve e krimeve që u kryen gjatë sundimit diktatorial të PKSH/PPSH-së, si dhe gjatë këtyre 27 vjetëve qeverisje pluraliste me gabime nga të dy forcat kryesore politike të majta e të djathta. Një analizë objektive e gabimeve të kryera deri sot dhe një e kërkuar më fal nga ana e drejtuesve të PS-së do t'i detyrojë edhe drejtuesit e partive të tjera politike si Balli Kombëtar, Legaliteti, Partia Demokratike, Partia Republikane, etj të bëjnë dhe ato shpëlarjen e tyre nga gabimet e krimet që kanë kryer deri sot. Ky proces do të ndikojë në rritjen morale të popullit dhe ecjen drejt pajtimit kombëtar.

Disa prej krimeve kryesore që ka kryer PKSH/PPSH-ja dhe shteti diktatorial ndaj popullit shqiptar i kemi shtjelluar në artikujt tanë Thembra e Akilit e studiuesit Pëllumb Xhufi, Politizimi i historisë – krim kombëtar dhe Lufta e klasave – kanceri i politikës dhe shoqërisë shqiptare. Këtu sa për t'ua kujtuar organizatorëve të konferencës shkencore po riprodhoj shkurt disa nga krimet kryesore të diktatorit Hoxha, të PKSH/PPSH-së dhe të shtetit diktatorial, krime të cilat në referatet dhe kumtesat e kësaj konference duhet të analizohen dhe dënohen me kurajo dhe pa hezitim.

1. Roli i emisarëve jugosllavë Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha për vënien e Enver Hoxhës në krye të PKSH-së dhe orientimet që ata dhanë për politikën e kësaj partie, kanë qenë të dëmshme. Enver Hoxha nuk meritonte të zgjidhej sekretar i përkohshëm i PKSH-së e më tej sekretar i përgjithshëm i asaj partie, sepse ai nuk ishte anëtar i asnjë grupi komunist dhe nuk e njihte teorinë Marksiste-Leniniste. Komunistë që e njihnin këtë teori ishin Zef Mala, Sejfulla Malëshova, Llazar (Zai) Fundo, Koço Tashko, Anastas Lulo, Sadik Premtja, Aristidh Qendro, etj, por Miladini dhe Enveri i luftuan këta dhe i asgjësuan sepse po të merrnin ata drejtimin e PKSH-së, kjo parti nuk do të ishte e nënshtruar ndaj urdhërave të PKJ-së.

2. Emisarët jugosllavë i detyruan komunistët shqiptarë që në ditën e themelimit të PKSH-së të mos e përmendnin ekzistencën e Shqipërisë së bashkuar dhe aq më pak nevojën e krijimit të Shqipërisë etnike në fund të L2B sipas të drejtave të Kartës së Atlantikut. Ata i detyruan udhëheqësin e PKSH-së dhe anëtarët e saj që ta shtrinin veprimtarinë e tyre organizative, politike e ushtarake vetëm brenda kufijve të Shqipërisë londineze. Kjo tregonte se territoret shqiptare që i ishin dhënë padrejtësisht Serbisë e Malit të Zi më 1913, shumicën e të cilave Gjermania Naziste ia kishte kthyer Shqipërisë në verë të vitit 1941, duhej t'i ktheheshin përsëri Jugosllavisë që do të formohej në fund të L2B. Nënshtrimi pa kushte i udhëheqjes së PKSH-së ndaj vijës politike të PKJ-së ishte tradhëti kombëtare, e cila që nuk ka pse të lihet pa u dënuar, si është lënë deri sot.

3. PKSH-ja gjatë L2B dhe mbas saj, punoi me rrugë të ndryshme, me propagandë dhe dhunë, që t'ua mbushte mendjen anëtarëve të saj dhe mbarë popullit shqiptar, se nuk duhej të mendonin për pjesën e popullit që kishte mbetur jashtë kufijve të vitit 1913.

4. Në dhjetor të vitit 1947 Enver Hoxha kërkoi bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë si republikë e saj. Analisti Mërgim Korça në bazë të dokumenteve të gjetur në Arkivin Qendror të Shtetit, ka vënë në dukje se në mbledhjen e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKSH më 15 dhjetor 1947, në praninë e të dërguarit të Mareshallit Tito, Sava Zllatiç, Enver Hoxha deklaroi: “…tani që e likuiduam këtë pengesë (Nako Spirun – shënim sqarues i Mërgim Korçës), duhet ta fitojmë kohën e humbur e të bëjmë sa më shpejtë bashkimin de fakto të Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fushat, (parti, ekonomi, ushtri, etj.) se Shqipëria nuk mund të qëndrojë si shtet i pavarur dhe aq më pak të ndërtojë Socializmin, pa u bashkuar me Jugosllavinë…”

Për këtë deklaratë Enver Hoxha nuk bëri kurrë autokritikë. Deri sa vdiq, ai nuk pranoi kurrë të kritikonte dhe dënonte gabimet dhe krimet që kreu ai e bashkëpunëtorët e tij gjatë Luftës Antifashiste dhe mbas saj.

Historianët shqiptarë në këtë konferencë nuk ka pse të vijojnë fshehjen dhe mosdënimin e krimeve që kreu Enver Hoxha, herë i detyruar prej emisarëve jugosllavë dhe udhëheqësit të PKJ-së Josif Broz Titos, ose prej J.V. Stalinit e Mao Ce Dunit dhe herë prej interesave të tij pushtetore.

5. Një tjetër tradhëti kombëtare e kryer prej PKSH-së është dhe mohimi i rezistencës që iu bë ushtrisë fashiste italiane më 7 prill 1939 dhe i dëshmorëve që ranë gjatë atyre luftimeve. Edhe pse pjesëmarrja ishte e pakët, forcat shqiptare të përbëra nga një pjesë e ushtrisë mbretërore, e xhandarmarisë dhe nga disa qytetarë vullnetarë, kryen një rezistencë të denjë në Durrës. Ata e detyruan pjesën e ushtrinë italiane që zbarkoi të rikthehej në anijet dhe i shkaktuan asaj 124 viktima (shtypi anglez i atyre ditëve përmendi 300-400 italianë të vrarë). Kurse nga radhët e forcave shqiptare atë ditë në Durrës ranë nëntë dëshmorë, të cilëve gjatë mbasdites iu shtua dhe një qytetar ortodoks, i cili kundërshtoi pushtimin duke e lyer dhe djegur veten me benzinë te sheshi i qytetit para ushtrisë italiane që ishte renditur për të festuar fitoren. Emrat e këtyre dëshmorëve janë: Mujo Ulqinaku, Hamid Dollani, Haxhi Tabaku, Hysen Koçi (Kallço), Ibrahim Osmani, Isak Metalija, Ismail Reçi, Ramazan Velia (Lezha), Hamit Vesho, si dhe qytetari orthodoks që dogji veten, emri i të cilit deri sot nuk është verifikuar ende.

Kjo konferencë do të bëjë një akt atdhetarie po ta vlerësojë rezistencën e 7 prillit 1939 që u zhvillua në Durrës dhe në qytete të tjerë ku ranë dhe këta dëshmorë: në Sarandë Mitro Dhimërtika, në Shkodër Tonç Toma; në Berat Zenel Blana dhe në Vlorë dy dëshmorë. Emrat e dëshmorëve të Vlorës janë ende të paverifikuar. Dëshminë për dy dëshmorët e rënë në Vlorëna e ka dhënë Prof. Sami Repishti, i cili e pati dëgjuar këtë fakt prej dy malësorëve bashkëvuajtës në Burgun e Burelit, ish-pjesëmarrës në luftimet e Vlorës.

6. A nuk duhet dënuar fakti që anëtarët e grupeve komuniste shqiptare nuk morën pjesë në asnjë nga luftimet e 7 prillit, si dhe fakti tjetër se asnjë prej këtyre 15 të rënëve për liri nuk është vendosur në ndonjë prej Vorrezave të Dëshmorëve në Tiranë, ose qytete të tjerë të Shqipërisë? Ata nuk janë përmendur në asnjë tekts historie dhe as te “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”. Mohimi i dëshmorëve të 7 prillit 1939 nuk ka pse të lihet pa u dënuar, sepse e ka emrin tradhëti kombëtare.

Tradhëti kombëtare edhe më e rëndë ka qenë dhe mohimi i Proklamatës / Marrëveshjes së Mukjes që u realizua më 1-3 gusht 1943 midis delegatëve të forcave balliste, nacionaliste e komuniste, të cilët u ulën si të barabartë në tavolinë dhe zgjodhënKomitetin për Shpëtimin e Shqipërisë. Ky komitet formuloi Marrëveshjen (Proklamatën) e përbashkët për vijimin e luftës kundër pushtuesit italian dhe çdo pushtuesi tjetër që mund të vinte. Aty u kërkua që në mbarim të L2B të krijohej Shqipëria etnike sipas të drejtave të Kartës së Atlantikut, kurse çeshtjen e pushtetit u la të vendosej prej popullit në zgjedhjet e lira që do të organizoheshin mbas luftës. Përgjegjësinë kryesorë për këtë akt e ka Miladin Popoviçi, i cili mbasi e lexoi e grisi Marrëveshjen dhe copat e letrvs ia hodhi Enver Hoxhës në fytyrë duke e urdhëruar që ta mohonte sa më parë. Po ashtu dhe Enver Hoxha, si zbatues i këtij urdhëri ka përgjegjësinë e vet dhe duhet dënuar. Këtë skenë që ndodhi në Vithkuq të Korçës e ka shkruar pjesëtari i delegacionit të PKSH-së, Doktor Ymer Dishnica në një intervistë botuar te gazeta Rilindja Demokratikemë 1994.

7. Më 10 shtator 1943, Enver Hoxha e thelloi më tej veprimtarinë e tij antikombëtare. Ai shkroi me pseudonimin Shpati, një shkresë sekrete me të cilën i urdhëronte organizatat bazë të PKSH-së që ta shpallnin Ballin Kombëtar tradhëtar dhe bashkëpunëtor të pushtuesit dhe ta luftonin me armë. Kjo shkresë ishte një hap tjetër drejt tradhëtisë kombëtare. Ajo shkresë jo vetëm e asgjësonte Marrëveshjen e Mukjes, por e shpallte Ballin Kombëtar “tradhëtar e bashkëpunëtor të pushtuesit”, kur në fakt forcat balliste deri në atë datë kishin luftuar së bashku me forcat partizane kundër pushtuesve italianë.

8. Ndërkohë nuk mund të lihet pa u kritikuar dhe pa u cilësuar tradhëti edhe braktisja e atdheut prej Mbretit Zogu i I pa shkrepur asnjë pushkë, si dhe çoroditja e shumë forcave të Ballit Kombëtar, të cilat pas 10 shtatorit 1943, të ndodhura përballë pushtuesve të rinj gjermanë nga njëra anë dhe forcave partizane nga ana tjetër, gjetën si zgjidhje bashkëpunimin me forcat gjermane. Braktisja e atdheut prej Mbretit pa ia bërë bamp dhe transformimi i shumicës së forcave balliste nga forca patriotike antifashiste në bashkëpunëtore të pushtuesve të rinj gjermanë, e ka gjithashtu emrin tradhëti kombëtare, prandaj është dënuar deri sot dhe nuk mund të falet.

Mendoj të ketë disa kumtesa kritike ndaj potitikës së PPSH-së për izolimin e Shqipërisë, për varfërimin e popullit dhe ushtrimin e luftës së klasave ndaj pasardhësve të Ballit Kombëtar, Legalitetit e nacionalistëve në vitet 1944-1991. Në po këtë plan vlen të kritikohet dhe fryma e luftës midis partive politike dhe simpatizantëve të tyre në vitet 1992-2019, si variant i ri i luftës së klasave, gjë që ka mbajtur gjallë urrejtjen dhe përçarjen midis bashkëqytetarëve të Shqipërisë.

Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare ka qenë një ngjarje e rëndësishme e popullit shqiptar dhe nuk mund ta nënvlerësojë askush. Por vlerat e saj nuk pakësohen po të thuhet e vërteta për sasinë e partizanëve dhe të dëshmorëve të saj. Mbivlerësimet e bëmave dhe shumëfishimi i numërit të partizanëve dhe dëshmorëve që ka bërë deri sot propaganda dhe kalemxhinjtë e PKSH/PPSH-së dhe vijueses së tyre PS-së, në fakt pvrbëjnë një poshtërim të asaj lufte dhe pjesëtarëve të saj.

Dihet se ushtria partizane nuk e mundi dhe nuk e hodhi ushtrinë italiane në det si e mundi dhe e hodhi ushtria vullnetare shqiptare në vitin 1920. Ushtria partizane nuk çliroi asnjë qytet të pushtuar prej ushtrisë fashiste italiane, ajo nuk organizoi asnjë betejë për mbrojtjen e qyteteve nga pushtuesit e rinj gjermanë. Të cilët e zëvendësuan ushtrinë italiane paqësisht. Madje, vlen të thuhet se ushtria partizane u shpartallua gjatë operacionit ushtarak që kreu ushtria gjermane në dimrin e viteve 1943-1944.

Numëri i ushtrisë partizane nuk arriti kurrë në 70.000, si është shkruar nëpër tekste mësimore dhe fjalime udhëheqësish. Sipas statistikave të botuara te Fjalori Enciklopedik Shqiptar vëll. II, 2008 në zërat Brigadat e Ushtrisë Na-Çl, del se deri më 24 prill 1944 kishte 5.075 partizanë, kurse deri në fund të luftës, më 28 nëntor 1944, ky numër arriti gjithsej në 26.877 partizanë. Edhe numëri i dëshmorëve nuk ka qenë 28.000 si ka deklaruar Enver Hoxha dhe është thënë nëpër tekste, fjalime e festa. Pas një pune shumëvjeçare një grup studiuesish hartuan serinë “Yje të pashuar” me 20 vëllime, ku arritën të shkruajnë biografinë e 2.800 dëshmorëve, sepse ata nuk gjetën as emra as biografi për dëshmorë të tjerë. Kurse studiuesi Teodor Kareco në librin e tij “Jo 28.000 dëshmorë, vetëm 3.500” mbështetur në të dhëna të arkivave të disa ministrive, ka nxjerrë se në vitin 1946 merrnin përkrahje ekonomike vetëm 2.396 familje dëshmori. Kurse numëri i përgjithshëm i dëshmorëve, shkruan ai, mund të jetë jo më shumë se 3.500.

Që kjo konferencë shkencore të ndihmojë për realizimin e pajtimit kombëtar, për të cilin ka aq shumë nevojë shoqëria shqiptare, është e nevojshme që të trajtojë dhe nevojën e heqjes së yllit partizan nga Vorrezat e Dëshmorëve në Tiranë dhe qytetet e tjerë ku ka të tilla vorreza. Në këto vorreza është mirë të vendosen eshtrat e gjithë dëshmorëve që kanë rënë për lirinë e atdheut që nga viti 1878 e deri më 29 nëntor 1944, pra edhe dëshmorët e Rilindjes e pas saj, si dhe nacionalistët, ballistët, legalistët etj që dhanë jetën për lirinë e atdheut. Mendoj se numëri i tyre është më shumë se 7.000. E në këtë numër dëshmorësh, partizanët që ishin anëtarë të PKSH-së (ata që i besonin yllit komunist, ishin vetëm 1.057 sipas të dhënave të vetë Komitetit Qendror të PKSH të vitit 1946); përbëjnë një pakicë.

Pajtimi kombëtar dhe uniteti kombëtar nuk vjen duke vijuar shtrembërimet dhe gënjeshtrat, duke zmadhuar vlerat e njërës palë e duke nënvlerësuar e asgjësuar vlerat e palëve të tjera. Pajtimi kombëtar vjen po të mbajmë qëndrim të moralshëm, qëndrim objektiv shkencor ndaj të gjitha dukurive politike e shoqërore, kombëtare e krahinore, ndaj ngjarjeve, personaliteteve, organizatave dhe partive dhe sidomos, po të vlerësojmë si duhet viktimat e diktaturave komuniste dhe nazifashiste.

Data 23 gusht është shpallur Dita e Kujtesës së miliona viktimave të komunizmit dhe nazizmit, që u shkaktuan si rrjedhim i deportimeve në masë, i vrasjeve dhe zhdukjeve pa shenjë, i viktimave të kampeve të punës dhe kampeve të përqendrimit të këtyre regjimeve. Qeveria e sotme shqitare nuk e ka njohur këtë ditë, gjë që, si shkruan analisti Frank Shkreli, do të thotë se “Shqipëria jonë, zyrtarisht, nuk e ka gjetur ende vullnetin politik, forcën morale as dinjitetin kombëtar për tu bërë pjesë e Evropës, në këtë ditë të kujtimit të viktimave të komunizmit -- dhe për të treguar dinjitetin e saj përball totalitarizmit në përgjithsi, megjithse politikanët e të gjitha ngjyrave dhe të partive kryesore politike shqiptare të këtyre 30-viteve post-komunizëm – bërtasin me të madhe, në përpjekje për të na bindur se ata i ndajnë vlerat me botën perëndimore.”

Pa moral, pa objektivitetit shkencor dhe pa art realist nuk ka përparim. Për fat të keq shumica e studiuesve me mendësi komuniste ose socialiste nuk i lexojnë, ose i hedhin poshtë studimet dhe rezultaret e studiuesve dhe analistëve që vijnë nga radhët e të përndjekurve, ose të studiuesve të paanshëm si Uran Butka, Pjetër Pepa, Agim Musta, Tomor Aliko, Agron Tufa, Spartak Ngjela, Fatos Lubonja, Kastriot Dervishi, Çelo Hoxha, Lek Pervizi, Eugjen Merlika, Mërgim Korça, Jozef Radi, Muharrem Dezhgiu, Beqir Meta, Enver Memisha, Teodor Kareco, Dalip Greca, Ruben Avxhiu, Idriz Lamaj, Frank Shkreli, Ardian Ndreca, Fritz Radovani, Fatmir Terziu e mjaft të tjerë, shkrimet e të cilëve unë nuk kam mundur t'i gjej.

Studiuesit dhe anvtarët e PS-së me mendësi komuniste nuk i lexojnë ose i përçmojnë veprat letrare që riprodhojnë me realizëm jetën e të përvuajturve nën diktaturën komuniste si Atë Zef Pëllumbi, Sami Repishti, Visar Zhiti, Frederik Reshpja, Astrit Lulushi, Faruk Myrtaj, etj.

Që kjo konferencë shkencore të sjellë dritën e duhur, është e nevojshme të nxisë kurajon qytetare për nxjerrjen e së vërtetës, e cila është shtrembëruar për 75 vjet me radhë. Këtë punë duhej ta kishte bërë Partia Socialiste që në vitet e para të formimit të saj dhe nuk kishte pse të ishte manipuluar shkenca dhe shoqëria jonë me gënjeshtra këto 28 vjet...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat