Konsensus për shtet apo lakmi për pushtet

Opinione

Konsensus për shtet apo lakmi për pushtet

Nga: Mirsad Voca Më: 28 gusht 2019 Në ora: 18:34
Mirsad Voca

Së shpejti do të kemi zgjedhje të reja në Kosovë, dhe vendi gjendet përball një momentumi të volitshëm dhe të rëndësishëm për ndryshim apo për një qeverisje ndryshe nga ato që kemi parë që nga paslufta.

Përball këtij momentumi vital për të ardhmen e vendit, përsëri partitë politike dhe udhëheqësit e tyre kanë një armik të pamposhtur deri më tani dhe ky armik është asgjë tjetër përveç se vesi i lakmisë për Pushtet, apo i karrigës së Kryeministrit aktualisht.

I impresionuar nga këto rrethana aktuale ku secila parti dëshiron pozitën e kryeministrit, më kujton një thënie të njohur të Filozofit francez, Jean de la Bruyère, citoj:

“Së fundmi, Republika ishte e shtypur dhe ambicia e disa personave nuk duhet të akuzohet për të;  është e nevojshme të akuzosh njeriun, gjithnjë më të etur për pushtet pasi ai ka më shumë, dhe dëshiron gjithçka vetëm sepse posedon shumë” J. de la Bruyère.

Po të ishte politikëbërja në Kosovë e pasionuar sado pak për Shtet sikur është për Pushtet, shoqëria e Kosovës do të kishte gëzuar shumë vite më parë një standard të lartë të jetesës.

Tani kemi të bëjmë me një konjukurë te re të rrethanave politike në vend, ku ambicia për Shtetndërtim duhet të ngadhënjej ndaj asaj individuale apo grupore për Pushtet.

LDK dhe VV e kanë rastin ideal për ta ringjallur shpresën tek sovrani, por njëkohësisht kanë për të kaluar edhe një test të rëndësishëm sa i përket prioritetit për Shtetndërtim, i cili pakushtimisht duhet të tejkaloj çdo lakmi individuale e partiake, në mënyrë që të krijohet një kulturë dhe mentalitet shtetndërtimi dhe të marrë fund përforcimi dhe dominimi vetiak lakmiqar dhe ai klanor e mafioz brenda politikës kosovare.

Si Vjosa Osmani dhe Albin Kurti kanë këtë test apo matje përball opinionit, që do të tregoj qartë nëse e kanë me të vërtetë qëllim shtetndërtimin varësisht nga  konsensusi për një koalicion parazgjedhor apo jo.

Besoj se teorikisht, që të dytë janë të denjë për pozitën e kryeministrit, dhe pikërisht për këtë arsye duhet të gjejnë një konsensus për një koalicion parazgjedhor. Vetëm nëse e arrijnë këtë, mund të fillojmë të ushqehemi me shpresën për një të ardhme më optimiste.

Në rast se nuk gjejnë konsensus atëherë edhe këto dy parti dhe të dy kandidatët në fjalë do të shfaqen jo të denjë, përgjegjës e llogaridhënës përball idesë së Shtetndërtimit, sepse do të lejojnë hapësirë prapë që Shteti të vazhdoj të jetë peng i atyre individëve dhe grupeve që e mjeruan Kosovës që nga paslufta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat