“Muaji i madhërishëm”

Opinione

“Muaji i madhërishëm”

Nga: Nehat Shaqiri Më: 30 gusht 2019 Në ora: 18:31
Nehat Shaqiri

Edhe pak orë po mbesin kur do të dëgjojmë akuzat e mëdha nga njëra parti në drejtim të partisë tjetër.

Ky muaj do të jetë i gjatë. E dita do të jetë 25 orësh, aq sa punon Blerand Stavileci i PDK-së për secilën ditë të lume.

Muaji i përballjes së “gladiatorëve”, muaji i “kthesës së madhe”, muaji i akuzave dhe premtimeve, muaji kur “SHIK-un” do ta zhbëjnë nga kjo botë. Ky muaj do të jetë edhe muaji i punësimeve, muaj i punëtorëve, por që në Kosovë tash kanë mbetur shumë pak. Sepse kjo Qeveri, edhe ajo tjetra, por edhe ajo para saj, “kanë punuar aq mirë” sa që Kosovën e zbrazën. Rinia iku, mbetën politikanët e korruptuar, politikanët që po shikojnë vetëm përfitimet e tyre, përfitimet familjare, klanore apo grupore. Në Kosovë mbetën ata që meni jetojnë duke mbledhur kanaqe rrugëve e kontejnerëve. Në Kosovë mbetën vetëm ata që kërkojnë lëmoshë. Kështu edhe iu konvenon kësaj kaste politike e cila që 20 vjet nga paslufta nuk ndryshoi asgjë. Në Kosovë mbetën ata që u punësuan nga partitë politike, militantët dhe familjarët e milionerëve të pushtetit. Të tjerët i blejnë dhe i korruptojnë me njëzetë euro. Jo pse janë shumë, por pse kanë nevojë edhe për 20 cent. Kjo është gjendja ku e kanë katandisur Kosovën këta politikanë që për një muaj ditë rresht do të na bëhen “pejgamber”.

Gjatë fushatës asnjërin prej tyre nuk do ta njohim ne. Jo pse ndryshojnë në fizionomi, por në fjalorin e tyre. Goja e tyre këtë muaj flet vetëm fjalë të arta...

Megjithatë, mendja e tyre e prishur është e njëjtë. Ata gëzohen me gjendjen tonë. E dinë që populli i lodhur me vite të tëra, prapë do të besoj në fjalët boshe të tyre. E dinë që mijëra familje me pak para i blejnë, e ato para që i shpërndajnë nëpër popull në këtë muaj të “madhërishëm” me një tenderë posa të futen në Qeveri do ta shpërblejnë vet e tyre.

Nuk është keq ë?

Kështu pra, ishte edhe Qeveria paraprake. Shumë milionët u shpërndanë nëpër kompani të ndryshme, e shumë milionët i përfituan pikërisht nga ato kompani.

Por nejse, me rëndësi që, tash, një muaj do të gëzohemi, Kosova do të ndryshojë rrënjësisht.

As krim nëpër institucione nuk do të kemi, as të korruptuar nëpër pozita të larta më s’do të kemi. Më s’do të kemi as nepotizëm.

Jo pra, Kosova po ndryshon.

Kosova së shpejti do të pranohet edhe në BE, madje vizat BE-ja po na i largon gjatë fushatës zgjedhore. Kështu ka paralajmëruar Ramush Haradinaj.

E të tjerët po premtojnë që Kosovën do ta bëjnë Zvicër. E Zviceranët do të “ankohen” se Kosova me një rritje brilante të ekonomisë do të ua tejkalon atyre.

Çka na mbetet neve është që vetëm të urojmë që punët të shkojnë mbarë!

Atëherë, urime Drenicë, Urime Kosovë, Urime edhe Shqipëri bashkimi me Kosovën!

Kosova po bëhet. Po bëhet nga ata që e shkatërruan me vite! Edhe ata kanë ndryshuar. Tash kanë përfituar shumë, të gjithë janë milionerë dhe kanë premtuar që më nuk do të marrin nga pasuria e Kosovës. Tash vetëm do të japin për Kosovën dhe qytetarët e saj.

Urime pra, urime!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat