Masat anti-korrupsion nuk e ndalojnë zbrazjen e Kosovës

Opinione

Masat anti-korrupsion nuk e ndalojnë zbrazjen e Kosovës

Nga: Adem Breznica Më: 1 shtator 2019 Në ora: 18:24
Adem Breznica

Largimin e rinisë nga Kosova, dhe kategorive tjera të popullsisë së pashpresë, mund ta pengoj vetëm vazhdimi i gjendjes aktuale, respektivisht fuqizimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend. Premtimet e kujtdo koalicioni, subjekti politik apo kandidati për Kryeministër, se do ta ndalojnë "ikjen e rinisë", nuk mund të përkthehen ndryshe përveçse zëvendësim i kapjes së shtetit dhe vazhdim i katrahurës institucionale dhe izolimit ndërkombëtar të Kosovës.

Premtimet për heqjen e vizave - nga njëra anë, dhe ndalimi i ikjes së rinisë - nga ana tjetër, janë dy gjëra të kundërta që nuk mund ta shoqërojnë njëra-tjetrën, sidomos në rrethanat dhe gjendjen që aktualisht e ka Kosova. Heqja e vizave kushtëzohet paraprakisht me luftimin institucional të korrupsionit dhe krimit të organizuar, që në njëfarë forme do të thoshte privimin e fondeve shtetërore, dhe të ardhurave tjera kombëtare, nga grykat zhvatëse e korruptive të shushunjave të shtetit, gjë e cila nënkupton paqen sociale në vend. Mirëpo, duke qenë se Kosova ka kaluar një periudhë të gjatë gërryerje dhe shkatërrimi institucional e industrial, ekonomitë familjare dhe ato publike janë shembur deri në atë nivel sa edhe stopimi i menjëhershëm i nepotizmit, korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk do të ndalonte largimin masiv të rinisë, menjëherë posa t’i jepet rasti, dhe një pjese të konsiderueshme të popullsisë që jeton në kufijtë e mbijetesës, në fazat pasuese, pas liberalizimit të udhëtimit pa viza në shtetet e zhvilluara të Bashkimit Evropian.

Të gjithë parametrat e GDP-së, duke përfshirë këtu dhe remitencat nga diaspora, nuk japin sigurinë e duhur për arritjen e një paqe të qëndrueshme sociale në vend, edhe nëse kihet parasysh heqja e vizave pas masave eventuale në luftimin e korrupsionit. Si rrjedhojë, ndalimi i ikjes së popullsisë nuk mund të paragjykohet, veçanërisht kur parametrave negativ të ekonomisë i shtohet edhe afërsia gjeografike e Kosovës me vendet e pasura të BE-së. 

Skemat sociale, që mund të aplikohen pas masave eventuale anti-korrupsion, nuk kanë kapacitete të duhura dhe as të nevojshme për përballimin as madje të strukturës së paaftë për punë (rreth 200.000), kategori kjo tek e cila shpresohet më së shumti se do të qëndroj e patundur nga Kosova.

Shtresë tjera e shoqërisë sonë që potencialisht do të vazhdojë të mbeten në atdhe është dhe kategoria e të punësuarve në sektorin publik (rreth 100.000), e pasuar nga kategoria e punësuar (me kushte të përmirësuara) në sektorin privat (rreth 300.000), të cilat, duke qenë të ‘ngujuar’ me familjet e tyre, mesatarisht 4 (katër) anëtarëshe (të lidhur pas procesit të shkollimit dhe karremit të shtesave-ndihmës simbolike nga shteti), mund të konsiderohen rezidente në Kosovë. Thënë ndryshe, popullsia e Kosovës e cila do të mund të ndalohet nga ikja dhe braktisja e vendit, pas liberalizimit eventual të vizave, konvertuar në shifra fillestare, do të reduktohet në rreth 1.500.000, e cila do të vazhdoj me rënie graduale për 100.000, në secilin 10-vjeçar, për një gjeneratë të tërë.

Aktualisht, kënaqja e kërkesave të rinisë nga institucionet tona, përballë ofertës së tregut evropian, mund të jetë vetëm një premtim elektoral i cili nuk do të realizohet kurrë, deri kur të jetë e panevojshme kërkesa për mos ikje dhe qëndrim në vend, gjë e cila nuk ka për të ndodhur edhe për një kohë të gjatë.

Prandaj është më shumë se absurde t'u besohet politikanëve që synojnë pushtetin me çdo kusht, sidomos atyre që nuk i realizuan premtimet sa ishin në pushtet, se do ta ndalojnë ikjen e rinisë dhe zbrazjen e Kosovës, përveç nëse e kanë për qëllim mutacionin e një forme të re kripto-korruptive, në emër të luftimit të korrupsionit të vjetër, e që mund t'iu është shndërruar në monotoni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat