Idhujtaria e shqiptarêve për diktatorët

Opinione

Idhujtaria e shqiptarêve për diktatorët

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 2 shtator 2019 Në ora: 20:20
Ilustrim

Na ishte dikur, një Enver Hoxhë, vegël serbe, ruse, kineze dhe të llumëhanës tjetër komuniste, i cili ia bëri gjëmën Shqipërisë, për gjysmë shekulli radhazi. Nga ky idhull monstrum, që shqiptarët vetë e krijuan, shpëtuan vetëm kur Zoti e shoi atë prej kësaj bote.

Të mësuar me idhull zullumqar, diktator e vrasës, shqiptarët krijuan idhullin e ri, nga soji i oborrit Hoxha, saktësisht, nipin e byroistit Spiro Koleka, Edvin Rama. Është rast unik, që diktatori i ri ta eliminojë tërësisht opozitën, edhe pas tri dekadave pluralizëm politik. Binomi namkeq, Rama-Velia, janë bërë tmerri shqiptar. Shqiptarët robër të idhujve të tyre.

Lufta dhe paslufta në Kosovë, u karakterizua me kundërthënie, deri në krime monstrume, jo vetëm nga pushtuesi, por, edhe brenda-shqiptare. E ashtuquajtura Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK) në Mërgatë, pjellë e Sigurimit Shqiptar të Enver Hoxhës, pas vrasjes të Jusuf Gërvallës, harroi pushtuesin, filloi luftën brenda llojit. Përgjatë viteve `90-a, nuk e aprovoi pluralizmin politik; nuk njohu institucionet paralele dhe as Presidentin plebishitar Rugova; sabotoi të gjitha nismat për mbijetesën e popullit të terrorizuar të Kosovës.

LPK-ja nxori "komandantë" serikë, por, pa ushtarë. Me dhunë, terror e krime makabre, kundër partisë shtet-bërës, LDK-së, mposhtën popullin dhe arritën në kupolë të shtetit dhe të pushtetit. Vajza dhe djem nga rinia e artë e Kosovës, të zhgënjyer, të mërzitur, madje, të tugitur me për lavdërimet, pa mbulesë të "komandantëve" vrasës të shqiptarëve të pafajshëm, formuan organizatën emër mirë Lëvizja Vetëvendosje. Dhe, shqiptarët e mirëpritën begatimin e pluralizmit politik, sidomos me një risi rinore.

Për çudë, në kulmin e suksesit të organizatës, lideri Albin Kurti, tashmë, i veshur me idhujtari, vendosi ta privatizojë organizatën Vetëvendosje, duke ngulmuar për t`u rivënë në krye të saj. Lakminë diktatoriale e kopjoi nga Tirana, përkatësisht, nga Hoxha, dikur, dhe Rama, sot. Mjerisht, e keqja përçohet, përvehtësohet më lehtë se sa e mira.

Disa aktivistë, të rritur dhe të shkolluar në liri dhe demokraci, idhujtarinë nuk arritën ta akcetojnë si vlerë të kohës. Andaj, reaguan, fillimisht, në facebook-ët e tyre, e pastaj edhe në forumet e organizatës Vetëvendosje. "Organizata nuk mund të punojë vetëm për idhujtarinë e liderit. Prandaj, Vetëvendosjen, aktualisht, ta udhëheqë ndonjëri nga kolegët tanë",- u shprehen të pakënaqurit me liderin Kurti. Por, lideri nuk hoqi dorë nga liderizmi dhe Organizata Vetëvendosje u nda, mjerisht!

Ndjenjën e liderizmit kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, tashmë, e manifestoi edhe në raport me LDK-në. Ai manifestoi egon e tij, madje, i mbështetur edhe nga disa dogmatikë SHIK-istë, brenda Organizatës, duke e dështuar koalicionin, fitues të mundshëm, LDK-VV. Kushti që vuri Albini, me shokët e dyshimtë, është monstrum, për praktikën e koalicioneve parazgjedhore të deritashme, duke e bartur garën, paradoksalisht, brenda koalicionit! Rrjedhimisht, ai vuri maninë, egon personale lideriste, para interesit partiak dhe kombëtar, kur kemi parasysh kapjen e shtetit nga banda kriminale PAN.

Tendenca për ta fajësuar LDK-në, për refuzimin e koalicionit, është një shpifje tipike majtiste. Fundja, Organizata Vetëvendosje ka afri me të majtën ekstreme të Kosovës, në rastin konkret, me PDK-në dhe AAK-në. Njësoj si banda PAN, Vetëvendosja Gjykatën Speciale e konsideron të paligjshme e monstrume!

Përkundrazi, monstrumër janë ata që vazhduan krimet e Millosheviçit, duke vrarë shqiptarët, luftëtarë dhe veprimtarë të listuar, të përzgjedhur, duke hapur plagë e varre, duke shtuar numrin e fëmijëve jetimër, duke veshur në zi mijëra familje, në Kosovën e përkallur dhe të përgjakur.

Kufizimi i Vetëvendosjes vetëm në luftimin e korrupsionit, hajnisë zyrtare, duke e heshtur, qëllimshëm, krimin e organizuar, me theks të veçantë, shumë qindra vrasjeve politike, flet shumë për bashkëpunimin, në surdinë, me PAN-in kriminal, i akuzuar, pikërisht, për këto krime makabre e serike.

Është e dhimbshme për Organizatën luftarake Vetëvendosje, dikur, e vetme në mbrojtje të Republikës, sot, kalkuluese hiç parimore, viktimë e liderizmit partiak të Albin Kurtit. SHIK-u, gjithnjë aktiv, i mban nën kontroll partitë rivale, duke intriguar me joshjen lideriste, veç e veç, me synim të përçarjes, deri në rindarje të partive të tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat