Përmeti i emrave kumbues, lumit Vjosa e banjave termale

Opinione

Përmeti i emrave kumbues, lumit Vjosa e banjave termale

Nga: Gani Mehmetaj Më: 3 shtator 2019 Në ora: 09:25
Gani Mehmetaj

Përmeti është qytezë e qetë, e rregulluar më shije, parajsë për të lodhurit nga stresi, pikë turistike gjithnjë e më atraktive për shqiptarë e të huaj. Lumi Vjosa me rrjedhat e përshtatshme për lundrim sportiv po e bënë të njohur qytetin në kontinent. Banjat termale janë atraksion tjetër, ndërsa kanjonët mbresëlënëse - sfidë për alpinistët, ku mezi e fut pykën e metalit në shkëmbin e lëmuar. Visoret që t'i ofron qyteti e kanjonet nuk i ndesh diku tjetër.

Të rralla janë qytetet shqiptare sikurse Përmeti që dhanë aq shumë personalitete në kulturën e historinë kombëtare. Nga Përmeti janë rilindësit Naim Frashëri, Abdyl Frashëri, Sami Frashëri,  publicisti dhe shkrimtari Mit’hat Frashëri (Lumo Skëndo), aktori i madh Naim Frashëri, historiani Kristo Frashëri. Lista e emrave të famshëm nuk përfundon këtu: Tefta Tashko-Koço, Odhise Grillo që e takova para 40 vjetësh në Prishtinë, shkrimtari im i preferuar Nonda Bulka (për krijimtarinë e tij e kam mbrojtur temën e diplomës në gjimnaz me 1974), apo shkrimtarin Bardhyl Londo, muzikantët e dalluar Mentor Xhemali e Laver Bariu.Virtuozin Bariu e dëgjova për herë të parë në filmin "Gjeneral gramafoni" të Viktor Gjikës, në një festival ndërkombëtar, para më shumë se tridhjetë vjetësh, ndërsa interpretonte Bujar Lako. Tedi Papavrami dhe Anjeza Shahini, po ashtu janë përmetarë. Përmeti ka edhe një listë të gjatë të emrave kumbues. Një mbrëmje deri vonë dëgjova këngë përmetare nga një këngëtar vendës në restorantin përballë hotelit tim.

Por Përmeti ka një legjendë mahnitëse e rrëqethëse njëkohësisht. Mitro Çela rrëfen: "Kryezoti i krahinës Prendi, që i dha emrin qytetit, kishte ndërtuar mbi Gurin e Qytetit një kala. Sot kalaja është rrafshuar. Kanë mbetur muret, dëshmi e legjendës. Ishte fundi i shekullit XIV. Ushtria e Sulltan Mehmetit, pushtoi Janinën. Pas Janinës i erdhi radha Përmetit. Prendi kishte vdekur. Kryezot i qytetit ishte nipi i tij, Gjergji. Kishte një vajzë, Diestrën me foshnjë në gji. Një natë turqit mbritën në qytet. Kryezoti ishte jashtë tij. Në kështjellë ishte vetëm vajza. Turqit kërkuan çelësat e fortesës dhe dorëzimin e vajzës. Diestra mori në dorë djepin me djalin dhe u hodh nga maja e shkëmbit. Në rrëzë të Gurit të Qytetit gjendet një gur i lëmuar ku u përplas Diestra. Mbi gur disa shenja: Dora e foshnjës ose vijat e djepit ".

Në këmbë të shkëmbit nuk ka asnjë përkujtimore. Rrënojat e kështjellës së Prendit shihen, por të dëshpëron kur nuk has në mbishkrim:  o, udhëtarë, kur të kalosh pranë këtij guri, kujtoje flijimin e Diestres me djalin!  

Skaj shkëmbit është një shkollë, përtej rrugës një xhami e rindërtuar kur invaduan turqit për herë të dytë "në kohën e demokracisë". Turqit e rikujtuan pushtimin e Përmetit me xhami, shqiptarët e harruan flijimin e të parëve të tyre.

Përmeti ka disa hotele mikpritëse, qendrën e rregulluar bukur, kafenetë e pensionistëve, ku luajnë shah. Përmetarët janë mikpritës, rakia e tyre është e njohur në Shqipëri, kënga toske me ndoqi e me mrekulloi tre ditë të qëndrimit tim me familje. Në hotelin Alvero, ku na pritën mirë dhe na i rezervuan tri vende për rafting-lundrim, bëra një gabim, në vend të porosisja raki Përmeti, me rrëshqiti goja e thashë me sillni raki Skrapari! "Këtu nuk kemi raki Skrapari, rakia e Përmetit është e dëgjuar", me tha kamerierja e mërzitur me gabimin tim . Me përvëloi kur e rrëkëlleva gotën e parë. Pastaj bleva dy litra që t'i pija me miq në Prishtinë.    

Dhe që të jemi i sinqertë, në Përmet nuk me sollën emrat kumbues të kulturës e të historisë shqiptare, nuk me solli as rakia e vendit, por ishte rrjedha e rrëmbyeshme e lumit Vjosa që është bërë e njohur për "rafting"- lundrimi me varkë.  Dy djemtë e mi që i kam pagëzuar me emra lumenjsh: Drini e Valmiri, janë dashamirës të lundrimit në ujëra të rrëmbyeshme. Drini e kishte sprovuar më parë lundrimin, e  sprovova edhe unë me Valmirin e gruan, sepse lundrimi nëpër ujërat e Vjosës nxit adrenalinë, ka mundësi që varka të te përmbysët. Varka nuk na u përmbys, por të pa lagur nuk dolëm. Lundruam me kilometra nëpër lumë, me pajime speciale, në tension se mos përmbysej varka në kthesa, përderisa i jepnim varkës me rrema (lopata) me komandën e "kapitenit".  Në varkë  ishim tre shqiptarë nga Dardania dhe tre anglezë. Dy herë pushuam, u freskuam në ujë, i dorëzoheshim rrjedhës që na barte tutje, të veshur me jelek shpëtimi. Udhëheqësi i lundrimit, tregonte se si në një garë ndërkombëtare ekipi i Shqipërisë e mundi ekipin e Serbisë. Ishte pjesë e ekipit shqiptar dhe i lumtur për këtë fitore.    

Qysh ditën e parë kur arritëm në Përmet, na këshilluan të shkonim "Llixhave të Langaricës", sikurse u thoshin disa vaskave me ujë termal. Ishte ndjenjë e veçantë të futeshe në vaskën e priftit apo në disa vaska tjera natën vonë. Gra e burra notonin me ngathtësi në ujë të vakët edhe pas mesnatës. Nuk e di a ishte uji kurues, por që të qetësonte nga stresi s'kishte fije dyshimi. Italianë, polakë, anglezë, spoanjollë, çekë etj kishte gjithandej buzë shtratit të lumit me kampshtëpiza e çadra. Natyra e egër u ofronte përjetime të veçanta.   

Derisa ktheheshim nga aventura disa orësh nëpër kanjon, të ura me ra në sy një grua e mbuluar me të shoqin me pantallona afgane. Nuk e  mora vesh doli apo donte të hynte në vaskën e priftit, vaskën termale më të famshme të këtij ambienti.

Zona ishte atraktive, prandaj ndenjëm me familje tri ditë, megjithëse planifikuam të qëndronim vetëm një ditë. Dhe gjithnjë shihnim diçka të re. Përmetin ma zbuloi djali im, që e kishte vizituar disa herë për hir të lundrimit më varka.

Ndërsa ktheheshim nga Kanjoni, shenja rrugës na e jepte edhe drejtimin e Leskovikut. "Kush është Leskoviku, babi", me pyeti djali im. Në atë çast pa dashje ia nisa këngës së Haki Misinit: "Në Leskovikë fryn një ere, dilni hapni penxheret...".  Por diçka me shtrëngoi në fyt, e ndërpreva këndimin në gjysmë, mu kujtua këngëtari. Haki Misinin e kishte vrarë ushtria e Serbisë, në Mitrovicë me 1999, dy ditë para se të futeshin trupat e NATO-s. Ai ishte simbol i rinisë sime dhe i rokut shqiptarë në Dardani.

Herën tjetër do ta vizitoj patjetër edhe Leskovikun . 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat