Na premtoni se nesër gjithçka do të jetë ndryshe!

Opinione

Na premtoni se nesër gjithçka do të jetë ndryshe!

Nga: Fadil Lepaja Më: 4 shtator 2019 Në ora: 09:55
Fadil Lepaja

Është koha e premtimeve. Është fushatë parazgjedhore. Të gjithë premtojnë ndryshime. Edhe pozita edhe opozita, madje edhe shoqëria civile dhe mediat të cilët sipas rolit të tyre do të duhej të ishin neutrale, dhe mosbesuese ndaj premtimeve parazgjedhore. Por ne duam të besojmë!

Me një fjalë, askush nuk mendon se gjendja në shoqëri dhe shtet është e mirë. Prandaj të gjithë shpresojnë se duke premtuar ndryshime do të (ri)fitojnë besimin e elektoratit. Premtime , se do të ndryshoj gjithçka jep edhe pozita, e cila sipas rregullit do të duhej të premtonte vazhdimësi dhe zhvillim të mëtejmë të ekonomisë, dhe përmirësim të mëtejmë të jetës së qytetarëve. Edhe ata, janë kapur për ndryshimet, si i dehuri për gardhi.

Në rregull, tash ndër ne ka sa të duash të dehur, edhe pse gardhiqe tradicionale nuk ka më as nëpër fshatra, por i dehuri do të gjejë gjithsesi diçka për t’u mbajtur, ose në fund të fundit do të mbahet për asfalti, sepse edhe toka e bukës në një pjesë të madhe është asfaltuar.

Për çka po mbahet pozita e dehur nga fuqia(sidomos ajo financiare) dhe opozita e dehur nga shpresa se do të (ri)kthehet në pushtet, apo një pjesë e opozitës e cila ende nuk e ka kërkuar ëmbëlsinë toksike të pushtetit?

Pra, edhe pse ishte e pritshme, pozita po mbahet për asfalti. Kanë asfaltuar edhe kotecet e pulave, sidomos andej nga e kishte bazën qeverisja Thaçi I dhe II, pastaj kur erdhi radha për të asfaltuar kotecet në Dukagjin, apo rajone të tjera, u bë zhurmë e madhe, xhelozi shkatërruese politike. “Kakarisja” në parlament jepte përshtypjen se nuk janë “pula” lokale, por janë ato nga Brazili me çmim të lirë, të cilat po vallëzojnë nënë ritmin e çmendur të “samba” tradicionale.

Nejse, parë realisht, kjo, puna e asfaltit, edhe mund të ishte një nga sukseset e qeverisjes, në disa mandatet e kaluara, po të mos ishte kostoja e tyre astronomike, e cila e varfëroi edhe më tej qytetarin dhe e pasuroi skajshëm shtresën e pushtetarëve. Është për t’u çuditur pse në këtë fushatë, nuk po krekosen, aq shumë, sikur herën e kaluar, më me asfaltin, as me karakterin kombëtarë të tyre, edhe pse duhet pranuar se autostradat e ndryshuan pamjen e Kosovës dhe jetën e qytetarëve e bënë më të lehtë, sidomos për të ikur për pushime në Shqipëri apo për të kërkuar shërim nga gripi, në Maqedoni.

Njëherë për njëherë po mbahen për ndryshime! Të gjithë po premtojnë dhe shpresojnë për ndryshime. Qytetarët kur pyeten se çfarë presin nga këto zgjedhje, ata thonë se presin ndryshime. Për premtime po kapen edhe qytetarët. Mund të thuhet se janë kapur me entuziazëm, edhe kësaj radhe, në karvanin e kandidatëve për parlament të cilët për herë të parë do të shëtisin shumicën e qyteteve të Kosovës tonë të vogël,. Do të vizitojnë edhe shumë qyteza dhe fshatra për të cilat as që kanë dëgjuar ndonjëherë, por të cilave qysh do të shihet nga fjalimet e tyre, ata ua dinë dhe qajnë hallet me të gjitha rregullat e vajtimit.

E dini se në vajtimet tradicionale përfshihen goditja e gjoksit me grushte, shkulja e flokëve gërvishtjet e fytyrës me thonj e veprime tjera dramatike për të shprehur dhembjen për humbjen e madhe? “Ju tashmë keni humbur”, do të ju thonë! Nuk keni asgjë për të humbur. Na votoni ne!

Pak a shumë njëjtë do të vajtojnë gjendjen e qytetarëve pozita edhe opozita, dhe të mallëngjyer vajit do të i bashkëngjiten edhe vet qytetarët. Pastaj do të vallëzojmë dhe këndojmë, të gjithë së bashku në programet përmbyllëse, sepse përpos vajtuesve profesionist, oferta do të jetë plotë edhe argëtues profesionist, e mbase ndonjëri prej tyre do të ofrojë edhe ndonjë qethje publike falas, në kuadër të pakos promovuese.

Por të mos paragjykojmë dhe anojmë. Ky shkrim nuk ka karakter fushate. Të përmbledhim me pak fjalë entuziazmin e qytetarëve. Ata njëzëri thonë: Na premtoni! Ne duam ende të besojmë! Na premtoni luftë se ende nuk jemi të përgatitur për paqe. Sidomos luftë me armikun e brendshëm! Armiku ynë i brendshëm, numër 1, nuk është më Albini! Ai mund të jetë edhe kryeministër, nëse Vjosa nuk e mobilizon ushtrinë e heshtur të grave, të cilat ditën e votimit, kanë me i lënë punët e shtëpisë dhe kanë me dalë me votua. Ato mund të bëjnë ndryshimin.

Armiku numër një është korrupsioni. Ashtu na e la amanet edhe ambasadori në ikje, i vetmi i cili na fliste shqip. Ashtu premton edhe pozita. Sepse korrupsionin, kuptohet, e ka krijuar “opozita” dhe pozita premton se kurrë nuk do të ndalojë luftën kundër tij. Pra kundër opozitës!

Edhe qytetarët duhet të kuptojnë se korrupsioni është armik më i egër se Serbia. Nëse për të larguar Serbinë nga këtu janë dashur 100 vite dhe ndërhyrja e aviacionit të NATO-s, ndërsa për korrupsionin do të duhen më shumë, dhe me të do të luftohet fyt a fyt dhe pa asnjë mëshirë, deri në fund. Në fund?! Nuk ka fund kjo luftë! Prandaj duhen luftëtarë dhe komandantë profesionist. Sidomos komandantë.

Na premtoni, sepse ne duam të besojmë! Na premtoni se “nesër gjithçka, do të jetë ndryshe”!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat