Nën darët e presionit sindromik

Opinione

Nën darët e presionit sindromik

Nga: Diadema Stil Më: 6 shtator 2019 Në ora: 16:20
Diadema Stil

Shoqëria shqiptare ka tridhjetë vjet që krahas energjive dhe resurseve që vë në lëvizje shoqëria e hapur dhe e lirë, përballët me presionin e llagëmeve të errëta të instinkteve të ulëta dhe botës së krimit. Vala e urrjetjes, hakmarrjes dhe gjakmarrjes, histori që kanë nisur nga dhuna dhe vrasjet dhe gjenerojne dhunë e vrasje, duket se nuk kanë të sosur në Shqipëri. Vatrat e krimeve të vjetra, histori dhune dhe hakmarrjesh të zëna fill në vitin e trishtë 1997, vazhdojnë të krijojnë vatra të reja kriminalizimi e keqbërje, duke mbajtur peng familje të tëra në veri të vendit. Në Shqipëri, vecanërisht në disa treva të veriut të vendit, po ngjallen e rigjenerohen histori gjakmarrje para njëqind viteve, hakmarrja dhe gjakmarrja po mban ngujuar e po kërcënon shumë familje dhe jetë njerëzore.

Familja Shkurti në Mirditë, Kastriot Shkurti, i datëlindjes 29 mars 1971, lindur lindur në Kurbnesh, Mirditë, banues në Rreshen dhe bashkëshortja e tij Vitore Shkurti, e datëlindjes 30 qershor 1977, lindur në Prosek Mirditë, rrinë me sy e vesh të ngritur, të frikësuar nga hakmarrja dhe gjakmarrja e hasmit. Aq e fortë është psikoza e frikës nga hasmi, sa ky çift, megjithëse kanë shumë vite të martuar, nuk kanë bërë fëmijë, që të mos i lënë fëmijët nën terrorin e gjakmarrjes. Frika dhe paniku i tyre, kohët e fundit është rritur, për shkak të disa akteve dhune psikike e fizike të marra ndaj tyre nga persona anonimë, por që dihet se veprojnë në emër të gjaksit. Kjo histori zë fill këtu e njëzet e dy vite të shkuara, konkretisht me datën 17 prill 1997, kur Marjan Hasani përdhunoi zonjën Prena Shkurti, e cila ndodhej bashkë me të birin 10 vjeçar, Ilirin, në kohën kur po merrte bagëtitë në mal për t’i sjellë në shtëpi. Në bazë Kanunit, Dritan Shkurti, me datën 20 maji 1998 vret vëllain e Marjan Hasanit, i cili quhej Tanush Hasani, vrasje për të cilën u dënua me 22 vjet burg. Vrasja ndodhi, pasi pala që kishte kryer aktin e rëndë të përdhunimit nuk e vlerësuan aktin, por e trajtuan atë me nëçmim e përqeshje, nga ana tjetër policia e zonës nuk mori asnjë masë për të arrestuar personin që kreu përdhunimin, sepse përdhunuesi kishte dy vëllezër që punonin në strukturat e shërbimeve policore në qytetin e Rrëshenit. Që atëherë, për dhjetë vjet familja Shkurti, Kastriot e Vitore Shkurti, largohet për në Angli, ku qëndrojnë dhjetë vjet, deri në vitin 2010, kur autoritetet angleze i rikthejnë për në Shqipëri. Nga viti 2010 deri në vitin 2019 kanë qëndruar të ngujuar, për t’i shpëtuar gjakmarrjes. Kërcënimet dhe dhuna ndaj tyre ka qenë e herëpashershme, duke mos i lënë për asnjë çast të qetë që të punojnë dhe të krijojnë kushtet për një jetë normale. Siç e thamë, nga kjo frikë e panik, Kastriot e Vitore Shkurti nuk kanë bërë as fëmijë, ndërsa dy vëllezërit e tjerë të Kastriotit, Dritan dhe Ilir Shkurti nuk janë martuar, ngaqë nuk duan të krijojnë familje, që të jetojnë nën hijen e kobshme të gjakmarrjes. Tani Kastriot dhe Vitore Shkurti ndodhen në Francë, në kërkim të jetës dhe sigurisë në një vend kampion të lirive dhe të drejtave njerëzore, por një rikthim tjetër në atdhe do të ishte me rrezik të madh për jetën e tyre.

Përmasat e krimit dhe keqbërjes, me dhunën dhe aktet kriminale, me hakmarrjen dhe gjakmarrjen, po vjen duke e zgjeruar rrethin dhe sot krimi në përgjithësi është bërë një pengesë e madhe për të drejtat dhe liritë njerëzore në këtë vend. Krimi dhe bandat në Shqipëri, duke gjetur terren veprimi në një realitet tranzitiv me një problematikë të ngjeshur sociale e politike, vazhdojnë të fitojnë terren gjithnjë e më shumë, duke u bërë rrezik serioz për rendin dhe stabilitetin qytetar. Shoqëria jonë ndihet e pambrojtur nga ky presion kriminal, viktimat janë njerëzit e thjeshtë, të varfërit, të pamundurit, ata që të zhytur në borxhe, varfëri e dëshpërim, kthehen në viktima të shumëfishta të krimit dhe hakmarrjes. Kjo tablo e trishtë, tregon se shteti, me strukturat e tij lokale e qendrore, thuajse kanë falimentuar përballë krimit dhe hakmarrjes, shteti është gjunjëzuar përballë akteve makabre dhe të paprecedentë të krimit ordiner, hakmarrjes e gjakmarrjes.

Padronët e krimit, hakmarrjes dhe gjakmarrjes e kanë kthyer vendin e shqiponjave në një tokë të rivalitetit të botës së keqbërjes, hashashit dhe krimit, duke e zhvendosur oferën e Bashkimit Evropian për Shqipërinë në kalendat greke. Bota e krimit ordiner dhe atij të organizuar lyp që t’i vesh Kanunit dhe traditës një kostum moderniteti, por ky kostum iu rri atyre aq ngushtë, sa çdo përpjekje e tyre në këtë drejtim duket absurde dhe groteske.

Si pasojë e gjithë kësaj, hakmarrja dhe gjakmarrja në disa treva shqiptare ndodhin me një përpikmëri logaritmike, si vdekje të paralajmëruara nga bota e krimit dhe të pandëshkuara nga institucionet e shtetit dhe të së drejtës.

Shoqëria shqiptare, tejet e lodhur nga kjo histori, veçanërisht familjet e përndjekura nga hijet e frikës së ndëshkimit dhe hakmarrjes, familjet në gjak dhe të ngujuara nga frika e krimit, apelon që më në fund të bllokohet nga shteti ky dimension antishoqëror me pasoja të rënda sociale, ekonomike e humane, të ndërpritet ky makth keqbërje e krimi pa alibi, që po e çon Shqipërinë vite të tëra pas në hartën e vendeve të sigurisë, të ndërpritet kjo aferë vdekjeje, që kërcënon çdo ditë e me një agresivitet të rëndë jetën e familjeve shqiptare, rendin dhe sigurinë qytetare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat