Premtimet që po mbesin në letër

Opinione

Premtimet që po mbesin në letër

Nga: Haki Latifi Më: 10 shtator 2019 Në ora: 18:44
Haki Latifi

Në sitemin e organizimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës ka tashmë një Ministri të Diasporës dhe Investimeve Strategjike, ku vazhdimisht kanë deklaruar si prioritet i mandateve të tyre votimin e mërgimtarëve dhe pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje, pikërisht nga vendi ku banojnë.

Vetë ministrat e kësaj Ministrie në paraqitjet e tyre, e kanë cilësuar “ulëritës”, faktin që flasim e nuk reshtin për qytetarët që largohen, por nuk flasim për fuqinë e tyre vendimarrëse.

E kam fjalën për jetësimin e të drejtës së votës të çdo qytetari me të drejtë vote jashtë vendit , duke i mundësuar pjesëmarrjen në zgjedhje në shtetin ku aty banon. Pra, të kujtdo ndër bijtë e bijat e këtij populli që dëshiron të zgjedhë parlamentin dhe qeverinë e vendit të vet, teksa për hir të së vërtetës duhet pranuar se e praktikojnë edhe shumë vende të tjera në rajon. Ose , pse mërgimtarët mos të relizojnë të drejtën e votës atje ku jetojnë, dhe pse ende zvarritet votimi nga diaspora në ambasada dhe konsullata ku ka misionet e veta Kosova?!

Por, KQZ teksa kujdeset që bashkatdhetarët si qytetarë me të drejtë vote, ti ndjekin një varg proceturash të aplikimit, verifikimit nëpërmes postës elektronike, të marrin të drejtën e votës, (pavarësisht mënyrës se si do të ndikojë rezultatin apo se si do të lexohet kjo votë) si një lidhje morale e tyre me vendin, duket se për ata që jetojnë në Kosovë, vota e mërgimtarëve po përkthehet në disa pikëpyetje.

Ka një shprehje që thotë se: “Çdo popull meriton qeverinë që ka”, duke na bërë të besojmë që çdo popull do të “vuajë” pasojat e një vote të gabuar, apo do të shijojë frytet e një qeverie të suksesshme, ashtu siç ai vetë e ka votuar.

Njëherit, ka edhe të ashtu quajturit „analistë“ që thonë se, nisur nga ky këndvështrim, sa do të jetë përfaqësuese vota e diasporës, ndërsa këta qytetarë kanë zgjedhur që jetën e tyre ta bëjnë në një shtet tjetër, e të qeverisen nga një qeveri tjetër?

A mundet ata të zgjedhin një qeveri që nuk do t’i qeverisë, që nuk do të marrë vendime për jetën e tyre, por ama të kenë të drejtë të përcaktojnë qeverisjen e atyre që kanë mbetur në Kosovë?

Sa e njohin këta qytetarë realitetin që kanë lënë kur janë larguar 20- 30 vite më parë dhe sa e njohin fëmijët e tyre, të larguar që në foshnjëri nga vendi? A janë ata në gjendje të ndjekin fushatat, programet dhe të njohin nga distanca kandidatët që do t’i përfaqësojnë në kuvend? Si do të llogariten deputetët që do të zgjedhë diaspora, a do të barazohen votat e tyre me ato të votuesve rezidentë në Kosovë, apo do të kenë një kuotë të caktuar si në Itali, Francë apo Kroaci? etj. etj. Nëse do të ndiqet shembulli i vendeve të rajonit, ku në 630 deputetë të parlamentit Italian 12 përfaqësojnë diasporën apo në 150 depuetë kroatë 6 përfaqësojnë mërgimtarët, duket se edhe në Kuvendin e Kosovës të paktën 4-5 deputetë mund t’i përkasin mërgimtarëve. Për habi kjo nismë, në vend se të rregullohet me reformë zgjedhore, ose me vende te rezervuara, për fat të keq, vazhdon të zvarritet ose të injorohet nga vet ish deputetë që sot prap po e kërkojnë votën!

Le të kujtojmë që pikërisht kjo KQZ në zgjedhjet e 2013 dhe të 2014 kishin bredhur nëpër Rashkë e Nish për të mbledhur dhjetëra mijëra fletëvotime që e sollën Listën Serbe në Kuvend dhe në Qeveri!

Tani zgjedhjet po afrohen, dhe në vend që të mbrohet me forcë pjesëmarrja e çdo mërgimtari dhe të mbrohet integriteti i votës së çdo banori të Kosovës, mërgimtari për fat të keq vazhdon ta ndjejë këtë padrejtësi thellë në shpirtin e tij. Ndërsa premtimet e ish ministrave dhe të partive politike vazhdojnë të mbesin në letër!

Mërgimtari shikon si Moisiu biblik nga larg vendin e tij, pa pasur të drejtë që të paktën me postë t' i tregojë se edhe unë mendoj për ty. Shtrohet pyetja; A nuk janë edhe mërgimtarët pjesë e Kosovës? A nuk janë edhe ata meritorë për të qenë të barabartë në procesin e votimit?

Dihet se, roli i diasporës sot, ashtu si edhe më parë në momente kthese është i rëndësishëm dhe i domosdoshëm. Ky regjim në ikje, që po gjen shëmbëlltyrën e tij edhe në KQZ , e që e ka interes, sikurse që e kishte qëllim në vetvete përjashtimin e diasporës nga angazhimi politik në Kosovë. Këtë e bënte, dhe po përpiqen që ta bëjnë për një arsye të thjesht, ngase votuesi i diasporës as nuk i nënshtrohet shitjes së vullnetit të tij ndaj klanit Pronto, apo së fundmi edhe të PAN-ikut, e as manipulimit që mund t’i bëhet. Prandaj, meqenëse periudha e regjistrimit për të votuar përmes postës është shumë e shkurtër, është mirë që mërgimtarët të organizohen e mobilizohen që të shfrytëzojnë çdo mundësi që ua lehtëson apo mundëson pjesëmarrjen në zgjedhje, duke u bërë kështu edhe pjesë edhe kontribuues në ndryshimin që po vjen, fillimi i të cilit padyshim që do të jetë edhe fundit i këtyre.

Mendoj se është mirë që në fushatën zgjedhore të premtimeve të partive politike, të realizojnë edhe premtimet e tyre që të mos plaçkiten për kartonin e gjelbërt të sigurimit të automjeteve të bashkatdhetarëve në pikat kufitare sa herë që vinë në vendlindje. Gjithashtu të jenë të barabartë në investime për hapjen e perspektivës për rininë e mrekullueshme të Kosovës, e të mos jetë ëndërr e çdo te riut vetëm ikja nga Kosova.

Sepse, dihet mërgimi, si plagë e rëndë shoqërore, politike, ekonomike, social-kulturore dhe psikologjike e ka përcjellë popullin shqiptar gjatë tërë historisë.
Mos të harrojmë se, mërgimtarët janë bijtë dhe bijat e këti populli, që të parët kapën armët dhe ia mësynë llogoreve të luftës me këngë në gojë për lirinë e Kosovës. Janë po ata mërgimtarë që para dhe pas lufte, por edhe sot vazhdojnë të japin për vendin e tyre.

Siq po shihet, fushatat elektorale në Kosovë janë një paradë premtimesh, shumica e të cilave lexohen sheshit që janë mashtrime të trasha. Dhe, a e dini pse ndodh kjo? Sepse këta njerëz nuk janë përballur asnjëherë me premtimet që kanë bërë. Ata na thonë çfarë tu teket, marrin votat dhe as që janë ulur ndonjëherë të bëjnë bilancin se çfarë realizuan nga ato që premtuan, pasi në fund të fundit shumë vota i morën pikërisht për këtë arsye, për të mashtruar.

Apo, të presim që deri atëherë, partive politike që garojnë në zgjedhjet e 6 tetorit si dhe Qeverisë së re dhe Kuvendit të Kosovës duhet të sfidohen nga çdo pikëpyetje që le vend për pasiguri!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat